Zoti e do faljen

“O Allah xh.sh, Ti je falës bujar, e do faljen andaj më fal mua”

Është një shprehje që për shumë kënd mund të duket e thjeshtë. Por, në fakt në vete ngërthen shumë. Përmbajtja e saj është shumë dimensionale dhe mjaftë e thellë.

Le të ndalemi dhe të mendojmë pak…

Fjala العفو/ el-Afuv që është përdorur në këtë transmetim, sipas Kurtubiut, dallon nga fjala الغفران/ el-Gufran. Dallimi është në atë se e para mund të përfshijë faljen edhe pas dënimit. Pra, njeriu mund të ndëshkohet për mëkatin dhe pas tij të falet duke e bërë dënimin të mos jetë i përhershëm. Përderisa fjala el-Gufran, nuk mund të lë pas gjurmët e mëkatit. Pra, ajo ka të bëjë më faljen para ndëshkimit.
Fjala الكريم/ el-Kerim tregon bujarinë. Pra, tregon për bujarinë e madhe që ka Allahu xh.sh në faljen e Tij.
Fjala تحب العفو/ e do faljen është edhe një dëshmi tjetër për gjerësinë e faljes së Allahut xh.sh. Ngase kur dikush e do një gjë e bënë pa asnjë hezitim edhe nëse ajo kërkon që të përsëritet me qindra e mija herë. E Allahut xh.sh i takon shembulli më sublim dhe më i lartë. Pra, Allahu xh.sh do të fal robin e Tij mëkatar edhe nëse kërkim falja bëhet pas një lumi të tërë mëkatesh.
Fjala فاعف عني/ fe-afu anni tregon për kërkim faljen që bënë robi nga Allahu xh.sh.
Pra, në tërë këtë rëndësi të madhe që ka nata e Kadrit nuk ka qenë rastësi përzgjedhja e kësaj duaje.
Kjo pasi që:
1. Dëshmohet besimi në Zotin xh.sh, kur themi “O Zoti im”.
2. Dëshmohen emrat e bukur të Allahut xh.sh, kur dëshmojmë se Ai është Falës.
3. Dëshmohen cilësitë sublime të Allahut xh.sh, kur dëshmojmë se Ai është bujar dhe e do faljen.
4. Dëshmohen të drejtat eksplicite që i takojnë vetëm Allahut xh.sh. Pra, e drejta e amnestisë dhe faljes.
Andaj, o rob i Allahut xh.sh, mos e humb shpresën në faljen e Zotit xh.sh. Ajo do te të arrijë, nëse kërkohet, pavarsisht mëkatit. Do të arrijë sepse Allahu xh.sh, me gjithë bujarinë dhe dashurinë për falje, nuk mund te të anashakalojë.
Andaj, neva na takon që me përgjërim, me nënshtrim, me përultësi, me sinqeritet, me mbështetje, me besim dhe me shpresë tek falja e Zotit xh.sh, ti lutemi Atij…
Vëllezër dhe motra, qofshi prej të falurve dhe banorëve të Xhennetit…

Nga: Artan Musliu