Një nga dhjetë të përgëzuarit me Xhenet që do të trajtojmë në këtë temë, është Abdullah ibn Zubejri. Babai i tij Zubejri ishte i përkushtuar në edukimin e fëmijëve me frymë islame dhe atë të trimërisë. Mbi këtë fakt, është dhe një histori gjatë një beteje mes muslimanëve dhe romakëve. Një ditë para betejës, Zubejri u kërkoi luftëtarëve muslimanë që t’i mbronin krahët pasi kishte vendosur të depërtojë në rreshtat e ushtrisë armike. Duke parë se askush nuk e mori përsipër një mision të tillë vetëflijues, Zubejri iu drejtua djalit të tij Abdullahit, që asokohe ishte vetëm dhjetë vjeç: ”Më mbro krahët nga pas o bir!”
Kështu u nis Zubejri mbi kalin e tij duke çarë rreshtat e ushtrisë romake dhe duke goditur sa djathtas dhe majtas me shpatën e tij. Nga pas i vinte djali i tij Abdullahu, që përpiqej t’i mbrojë krahët të atit. Ata vazhduan kështu derisa arritën në qoshen tjetër të ushtrisë. Me këtë, Zubejri përpiqej të kultivojë tek i biri trimërinë dhe guximin.
Gjatë këtij sulmi dhe kësaj aventure, Zubejri mori disa plagë në shpinë. Këtë e rrëfen vetë djali i tij Urve ibn Zubejri. Ai tregon:”Kur isha i vogël, vëreja gropa të vogla në shpinën e babait, me të cilat lozja me qejf.”
Është e habitshme dhe shokuese ajo që bëri Zubejri me të birin, për t’i kultivuar të birit ndjenjën e trimërisë dhe guximit.
Fëmijët tanë sot jetojnë në krizë dhe janë në kulmin e nevojës për kultivimin e trimërisë dhe guximit.
Trimëria e Abdullah ibn Zubejrit
Historitë mbi trimërinë dhe guximin e Abdullah ibn Zubejrit janë të shumta. Një nga këto është dhe ajo që ndodhi mes tij dhe Umer ibn Hattabit.
Gjatë kohës që Umer ibn Hattabi ishte Halife, po lëvizte një ditë rrugëve të Medines. Ai kaloi në një rrugicë, ku ndodhej Abdullah ibn Zubejri i vogël me disa shokë të tij. Me të parë Umerin duke u afruar, shokët e tij ia mbathën me të katra, ndërkohë që Abdullahu nuk lëvizi fare nga vendi.
Umeri i vuri re dhe kur u afrua, i tha Abdullahut:”Po ti, përse nuk ia mbathe bashkë me shokët e tu?!”
Abdullahu i tha:”Nuk kam bërë asgjë që të kem frikë dhe rruga nuk është e ngushtë që të të bëj vend të kalosh.”
Me këto fjalë, ai i drejtohej Umer ibn Hattabit nga i cili frikësoheshin edhe burrat e rritur kur e takonin. Kjo ishte një trimëri dhe guxim të cilin e kishte trashëguar nga i ati i tij.
Këtu duhet të bëjmë dallim mes trimërisë dhe guximit të shoqëruar me turp dhe atij të pacipë dhe pa ndrojtje. Natyrisht ajo që synohet në islam, është guximi dhe trimëria e shoqëruar me ndjenjën e turpit.
Vetë Kurani famëlartë ka përmendur historinë e gruas së Azizit në Egjypt, e cila u përpoq ta joshë profetin Jusuf a.s. Diçka e tillë ishte një vepër e guximshme nga ana e saj, por ishte diçka negative pasi çonte në gjynah dhe degjenerim.
Guximin që synojmë është guximi që çon në vepra të mira, të drejta dhe drejt triumfit të kësaj feje.
Një shembull tjetër i guximit në çështje të drejta është shembulli i gruas së Faraonit. Ajo duronte ambjentin ku jetonte dhe kur iu dha rasti qëndroi e patundur përballë Faraonit, duke e shpallur hapurazi besimin e saj në të vetmin Zot.
Zubejr ibn Avami ishte një shkollë, prej ku djali i tij mësoi dhe u edukua me guximin dhe trimërinë në jetë.
Guximi dhe trimëria janë dy cilësi të ndërthurura me njëra-tjetrën dhe asnjëra nuk mund të bëjë pa tjetrën. Nuk mund të gjesh trimëri pa guxim dhe as guxim pa trimëri. E kundërta e guximit dhe trimërisë është frika dhe ngurimi.
Vallë a i edukojmë fëmijët tanë dhe a ua kultivojmë atyre guximin dhe trimërinë? A përpiqemi që bashkë me kukltivimin e guximit dhe trimërisë, të kultivojmë dhe ndjenjën e turpit dhe ndrotjes?
Kjo, me qëllim që trimëria dhe guximi të mos keqpërdoren por të kanalizohen vetëm drejt vlerave njerëzore dhe pozitive.
Zubejr ibn Avami u ekspozua ndaj shumë sprovave dhe vuajtjeve. Që në ditët e para kur pranoi islamin, ai u keqtrajtua barbarisht nga xhaxhai i tij, për ta detyruar të kthehej sërish në fenë e të parëve. Xhaxhai i tij e mbështillte me rrogoz dhe këtij të fundit i vinte flakën, me qëllim që tymi t’i bllokojë frymëmarrjen dhe të detyrohej ta braktisë islamin. Megjithatë, ai vazhdonte i patundur në besimin që kishte zgjedhur me vullnetin dhe dëshirën e tij.
E tillë ishte fëmijëria e Zubejr ibn Avamit, plot dhimbje dhe vuajtje, të cilat nuk e thyen dhe nuk ia dobësuan guximin dhe qëndresën në rrugë të drejtë. Padyshim që një njeri dhe prind që ka qëndrime të tilla të guximshme, do i edukojë fëmijët e tij me frymën e guximit dhe të trimërisë.
Sa herë që përmendim Zubejr ibn Avamin, na shkon mendja tek guximi, forca dhe trimëria.
Guximi nuk është në kontradiktë me turpin
I Dërguari i Zotit në shumë hadithe rrëfen dhe tregon që guximi dhe trimëria nuk janë në kontradiktë me moralin e turpit.
Vetë Aishja e konfirmon një fakt të tillë, ku thotë:”Sa gra të mira janë gratë e Medines. Turpi nuk i pengoi që të pyesin dhe përftojnë dijet e duhura në fikh.”
Edhe pse gratë e Medines dalloheshin dhe njiheshin si të turpshme, kjo nuk i pengoi që të përftojnë dijet e duhura. Nga vetë natyra e saj, gruaja e ka të vështirë të pyesë në disa çështje. Pyetjet rreth disa çështjeve delikate, shpesh herë konsiderohen si dritë e kuqe që nuk duhet kaluar dhe janë këto pyetje burim i shumë dyshimeve rreth kësaj gruaje.
Kështu, guximi i duhur dhe i kërkuar është ai që bëhet në vendin dhe kohën e duhur.
Një herë ndodhesha në Itali i ftuar nga komuniteti musliman atje. Unë u takova me drejtorët e shkollave dhe disa mësues, të cilët më përmendën problemet më kryesore me të cilat përballohesin atje. A e dini cili ishte problemi më i madh nga i cili vuanin..?
Ata pohonin me frikë se vajzat e tyre ishin shumë të guximshme, gjë të cilën e kishin mësuar në perëndim, i cili nuk e njeh ndjenjën e turpit.
Në shumë vende europiane, muslimanët ballafaqohen me një problem kritik, ku fëmijët e tyre detyrohen të studiojnë në shkolla ku vajzat nuk janë të ndara nga djemtë. Vajzat e reja dhe të vogla, duke kontaktuar dhe u takuar me djem, që në këtë moshë të vogël fillon t’i hiqet ndjenja e turpit.
Nëse një grua është e guximshme dhe e paturpshme njëkohësisht, diçka e tillë do të ishte shkatërruese për të. Diçka të tillë e përforcon Aishja kur tha për gratë e Medines:”Sa gra të mira janë gratë e Medines. Turpi nuk i pengoi që të pyesin dhe përftojnë dijet e duhura në fikh.”
Në një hadith, Profeti a.s tërheq vëmendjen tonë mbi çështjen e guximit dhe trimërisë. Thotë Profeti a.s:”Besimtari i fortë, është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu se besimtari i dobët. Megjithatë, e mira gjendet tek të dy.”
Që të dy janë të mirë, por i guximshmi është më i dashur tek Zoti i madhëruar.
Profeti a.s kultivon tek fëmijët guximin
Zubejr ibn Avami e kishte të trashëguar guximin dhe trimërinë nga vetë i dërguari i Zotit. Ishte ai që i nxiste dhe përpiqej të kultivojë guximin dhe trimërinë tek muslimanët në përgjithësi dhe tek të rinjtë dhe fëmijët në veçanti.
Një herë, Profeti a.s kaloi pranë një grupi djelmoshash të rinj të cilët po gjuanin me shigjeta. Profeti a.s u tha duke i nxitur:”Qëlloni me shigjetë o bijtë e Ismailit, pasi vetë babai jua ka qenë shigjetar!”
Duket qartë stimulimi dhe kultivimi i guximit, trimërisë dhe forcës.
Jeta e Zubejr ibn Avamit, i ngjan shumë jetës dhe vuajtjeve të një figure tjetër nga të përgëzuarit me Xhenet dhe ai është Talha ibn Ubejdullah. Për këtë, vetë Profeti a.s i përgëzoi të dy njëkohësisht me xhenet, duke thënë:”Ata do të jenë dy komshinjtë e mi në Xhenet.”
Padyshim që të jesh komshi i Profetit a.s në Xhenet, është një nder dhe priviligj i madh për Zubejrin dhe Talhan. Një nga lutjet tona gjatë namazit është:”O Zot! Ne të lutemi që të na nderosh me shoqërinë e të dërguarit Tënd në xhenet!”
Dijetari i nderuar musliman Ali Tantavi, përmend shumë ndodhi reale në librat e tij mbi temën rreth të cilës po flasim.
Në një nga librat e tij, ai tregon se gjithmonë është përpjekur që të kultivojë guximin tek fëmijët dhe nipërit e tij. Ai kishte një nip të vogël në moshë, megjithatë e nxirrte të falej si imam. Kjo, për të kultivuar tek ai guximin dhe iniciativën.
Tregon mbesa e tij Abide El-Muadham:”Gjatë sezonit të shkollës, hasja shumë vështirësi në kryerjen e namazit të drekës dhe ikindisë, të cilat më duhej t’i falja në shkollë. Gjatë kryerjes së namazit, unë bëhesha objekt i talljeve dhe përbuzjeve të shoqeve. Kjo gjendje u përkeqësua shumë, saqë një ditë u ankova tek gjyshi. Atë e pyeta nëse më lejohej që namazin e drekës ta vonoj dhe ta fal bashkë me atë të iqindisë për shkak të talljeve dhe përbuzjes. Ai më mori me të butë, dialogoi me mua dhe më bindi që të vazhdoj ta fal namazin në kohë, ndërkohë që më këshilloi si t’u përgjigjem shoqeve që më tallin.”
Një edukatë dhe guxim i tillë, është një shtrirje e guximit të Zubejr ibn Avamit. Ai mori pjesë në shumë beteja me Profetin a.s dhe pa Profetin a.s. Një pjesëmarrje e tillë në gjithë këto beteja, e kishte frymëzimin tek guximi dhe trimëria e tij e rrallë. Me të drejtë, ai konsiderohet si një nga heronjtë dhe kreshnikët e muslimanëve dhe të brezit të sahabëve.
Ai është një nga gjashtë personat që zgjodhi Umer ibn Hattabi për të zgjedhur Halifen pasues pas Umerit.
Një ditë, Zubejri bleu një shtëpi me vlerë gjashtëqind mijë derhemë, të cilën e shiti pa kaluar shumë kohë nga blerja. Shokët e tij e pyetën:”Përse e bleve dhe e shite? Çfarë do të bësh me gjithë ato para?”
Ai u tha:”Unë e bleva dhe e shita përsëri, me qëllim që paratë t’i shpenzoj në rrugë të Zotit.”
Gjatë betejës, ai shënonte heroizma dhe trimëri të rrallë.
Në luftën e Uhudit, Zubejri qëndronte në krahun e djathtë të Profetit a.s, ndërkohë që në të majtën e Profetit a.s qëndronte Mikdad ibn Amr. Profeti a.s i mbështetej forcës dhe fuqisë së Zubejrit në këtë betejë.
Një herë, kur Xhibrili a.s i erdhi Profetit a.s, iu shfaq me pamjen dhe fizionominë e Zubejr ibn Avamit.
Ai ua mësonte artin e kalërimit fëmijëve të tij, duke i marrë me vete mbi kalë derisa mësoheshin. Kalërimi dhe qëndrimi me kalin, i jep kalëruesit forcë, guxim dhe trimëri. Të gjitha këto, e bëjnë të riun të fitojë eksperiencë me vuajtjet dhe vështirësitë e jetës dhe e bëjnë të patundur përballë armiqve. Të gjitha këto cilësi, i riu i përfton duke kalëruar.
Veç kalërimit, Zubejri u mësonte fëmijëve dhe gjuajtjen me heshtë dhe shigjetë dhe dyluftimin me shpatë. Rreth lidhjes së tij me artin e luftës, thuhet që fjala e parë që kishte shqiptuar si fëmijë Zubejri, ishte fjala shpatë.
Me një edukatë dhe kultivim të këtyre vlerave dhe moraleve, ai zbatonte porosinë profetike, ku i dërguari i Zotit thotë:”U mësoni fëmijëve tuaj hedhjen e shigjetës, notin dhe kalërimin.”
Me tre sportet e mësipërme, krahaso çdo lloj sporti dhe arti me anë të të cilit zhvillohet dhe stimulohet trimëria, guximi dhe forca.
Paqja e Zotit qoftë mbi ju!
Autor: Xhasim Mutaua
Përktheu: Elmaz Fida
Ardhmëriaonline.com







