Zv/ministri i arsimit: Për 14 vite tekste shkollore i kanë kushtuar shtetit mbi 124 milionë

Zëvendësministri i arsimit, Taulant Kelmendi ka thënë se për 14 vite tekste shkollore i kanë kushtuar shtetit 124 milionë e 803 mijë e 403 euro.

Sipas tij, procesi më shumë ka qenë i fokusuar në biznes e transaksione shitblerjesh sesa rritje të cilësisë.

“Në periudhën 2008-2022 (14 vite) tekstet shkollore i kanë kushtuar shtetit 124,803,403.00 €. Asnjëherë më parë, nuk është zhvilluar një analizë, vlerësim apo reflektim lidhur me furnizimin me tekste si në aspektin e cilësisë, ashtu edhe në aspektin e procedurave të ndjekura. Procesi më shumë ka qenë i fokusuar në biznes e transaksione shitblerjesh sesa rritje të cilësisë. Janë rritur vetëm çmimet e teksteve”.

Kelmendi tha se këto keqpërdorime janë konfirmuar edhe në raportin e auditorit, ku sipas tij, është konstatuar se brenda një viti të vetëm këto keqpërdorime kanë kapur vlerën prej afro 500,000 €.

“Ka pasur raportime publike rreth keqpërdorimeve në procesin e shpërndarjes së teksteve, stoqe të mbetura në bodrumet e shkollave dhe blerje të teksteve të panevojshme. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga raporti i auditorit, ku është konstatuar se brenda një viti të vetëm këto keqpërdorime kanë kapur vlerën prej afro 500,000 €”, tha ai.

Me tej, ai tha se buxheti i planifikuar me ligjin e buxhetit vit pas viti është tejkaluar për së paku dyfishin e vlerës së tij. Ai deklaroi se me mënyrën e re të cilët janë duke e praktikuar është ndalur abuzimi.

“Ish-ministrat e Arsimit, ish-ministrat e Financave, ish-kryeministrat që sot janë në opozitë dhe po e ngrisin zërin për prishjen e kësaj praktike abuzive kanë qenë vetë nënshkruesit e vendimeve për blerjet e teksteve shkollore dhe rritjen e shpenzimeve sipas infografikes më poshtë. Ndoshta nuk kanë harruar! Këtë vit, nëse do të vazhdonim me të njëjtën praktikë është parallogaritur shpenzimi i 8,029,717 € për blerjen e teksteve shkollore nga klasa I deri V, pra vlera e parashikuar (4,316,885 €) në ligjin për buxhet pothuajse të dyfishohet. Këtë mënyrë të furnizimit me tekste shkollore e kemi ndalur. Janë ndarë 6,323,380 € për ta përmbushur obligimin për tekste shkollore për të gjithë nxënësit nga klasa I deri V dhe Qeveria e Republikës së Kosovës për herë të parë ka ndarë 6,617,340 € për të mbështetur nxënësit e klasave I deri IX me materiale mësimore. Të gjitha mjetet po dalin në llogari të prindërve, të cilët në bashkëpunim me mësimdhënësit po i blejnë librat e nevojshëm. Pra, është e mundur të ndalet abuzimi, të jemi transparent me buxhetin e shtetit dhe të furnizohen nxënësit me tekste shkollore ndërkohë që nuk ndjejmë keqardhje për ata që kanë qenë të përfshirë në këto praktika”, ka shkruar ai.