Zvicra fton mbi 160 delegacione në konferencën e paqes për Ukrainën

Zvicra tha sot se ka ftuar mbi 160 delegacione nga e gjithë bota për të marrë pjesë në konferencën e paqes për Ukrainën që do të mbahet në qershor me kërkesë të Kievit dhe në të cilën Rusia nuk është ftuar, transmeton Anadolu.

Departamenti Federal i Punëve të Jashtme në një deklaratë për shtyp tha se delegacionet e ftuara përfshijnë anëtarë të G7-tës, G20-tës, BRICS-it, BE-së, organizatave ndërkombëtare dhe dy përfaqësues fetarë.

Konferenca do të mbahet më 15-16 qershor në Burgenstock, mal zviceran në kantonin Nidwalden.

Konferenca synon të bazohet në formulën e paqes të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe propozime të tjera të bazuara në Kartën e OKB-së dhe parimet kryesore të së drejtës ndërkombëtare. Formula e paqes prej 10 pikash e paraqitur në fund të vitit 2022, ndër të tjera, kërkon dëbimin e të gjitha forcave ruse nga Ukraina.

“Objektivi kryesor i samitit është të frymëzojë një proces paqeje në të ardhmen”, tha qeveria zvicerane.

Rusia nisi “operacionin e saj special ushtarak” në Ukrainë më 24 shkurt 2022 dhe bisedime të drejtpërdrejta të paqes u mbajtën në javët e para të konfliktit, pa asnjë rezultat.

Në deklaratë thuhet se “Zvicra ka një traditë të gjatë të promovimit të dialogut” dhe “për këtë arsye e konsideron shkëmbimin e pikëpamjeve të ndryshme në rrugën drejt paqes në Ukrainë të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm”.

Rusia nuk është ftuar, por Ministria e Jashtme tha se Zvicra është e hapur për të bërë një ftesë.

Moska e ka kritikuar vazhdimisht konferencën, duke thënë se ajo nuk do t’i shërbente asnjë qëllimi pa pjesëmarrjen e saj. “Pa pjesëmarrjen e Rusisë, si mund të presim diskutime thelbësore dhe rezultate domethënëse? Kjo nismë duket në thelb me të meta”, tha sot zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.