Zyra e BE-së në Kosovë me rekomandime për reformën e administratës publike

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës përmes një njoftimi për media thekson se në Kosovë janë duke u zhvilluar reforma përmbajtjesore të administratës publike, nën udhëheqjen e Ministrisë së Administratës Publike dhe Zyrës së Kryeministrit.

Në njoftim thuhet se Komisioni Evropian ka mirëpritur paketën e planifikuar legjislative të ligjeve, që përfshin ligjet mbi zyrtarët publikë, ligjin për pagat dhe ligjin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura.

Komisioni gjithashtu mirëpret faktin se kjo paketë po përgatitet në një mënyrë të koordinuar, ashtu siç është zotuar Kosova se do të veprojë në dialogun e politikave për reformën e administratës publike të ngritur në kuadër të MSA-së.

“Progresi në këtë drejtim u diskutua së fundmi më 26 prill, në Grupin e Veçantë për Reformë të Administratës Publike (RAP) në Prishtinë. Grupi i Veçantë për RAP vëzhgon dhe shoqëron zbatimin nga Kosova të zotimeve të saj për të pasur institucione demokratike që funksionojnë mirë dhe për reformimin e administratës publike. Grupi gjithashtu identifikon se si BE mund të ndihmojë më tej në këtë proces. Në takim u diskutuan vendimet kyçe politike që ende nuk janë marrë dhe që duhet të merren në muajt e ardhshëm”, thuhet në njoftim.

Zyre e BE-së në Kosovë thekson se tri ligjet përbëjnë shtyllën e një reforme shumë përmbajtjesore për Kosovën, e cila do t’i mundësojë Kosovës të ndërtojë kornizën legjislative dhe institucionale për një administratë publike më të barabartë, të bazuar në merita, koherente dhe llogaridhënëse.

Në njoftim thuhet se e gjithë kjo bëhet me synimin për të siguruar ofrim më efektiv dhe efikas të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.

“Qëllimi i ligjit për paga, për shembull, është të harmonizojë strukturën e pagave në shërbimin civil, në mënyrë që të ketë pagë të barabartë për punë të barabartë. Si pjesë e këtij objektivi të gjerë reformash janë duke u hartuar tre ligje dhe aktualisht janë duke hyrë në fazën përfundimtare të përgatitjes nga ana e qeverisë. Një numër çështjesh kyçe të politikave janë ende të hapura dhe BE mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mënyrë që të mund të gjenden zgjidhje të zbatueshme dhe të qëndrueshme, duke përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me kostot e pashmangshme të zbatimit të tyre”, thuhet më tej.

Sipas Zyrës së BE-së në Kosovë të gjitha reformat e administratës publike duhet të projektohen në bazë të realiteteve në Kosovë, duke përfshirë kulturën e punës, strukturën institucionale dhe kapacitetet në dispozicion.

Si kryesore, veçanërisht në lidhje me Projektligjin për pagat, Komisioni vazhdimisht ka kërkuar nga Kosova që të sigurojë konsultime publike sa më të gjera, duke përfshirë me sindikatat e mësuesve, personelin e kujdesit shëndetësor dhe grupet e tjera të prekura, veçanërisht duke pasur parasysh afatin ambicioz dhe fushëveprimin.

BE thekson se këto konsultime gjithashtu janë të rëndësishme për shkak të rreziqeve që mungesa e komunikimit të mjaftueshëm mund të sjellë në pranimin nga shoqëria të një projekti më të gjerë reformash.

“Lidhur me Ligjin e ri për Zyrtarët Publikë, Komisioni rekomandoi që të ketë rekrutim të bazuar në pozita (konkurs të hapur) për shërbyesit e lartë civilë, e jo rekrutim të menaxhmentit të lartë nga një ‘grup’ i mbyllur, në mënyrë që të sigurohet aftësia e institucioneve publike për të tërhequr talentet dhe ekspertizën e nevojshme. Në të njëjtën kohë, Komisioni thekson se ndikimi politik mbi emërimet e larta vazhdon të jetë një shqetësim serioz dhe se duhet të ndërmerren hapa brenda ligjit të ri, si dhe rregullores aktuale, për të siguruar një proces më shumë të bazuar në merita”, bëhet e ditur në njoftim.

BE-ja mbetet e përkushtuar që reformat e vetë Kosovës t’i shoqërojë edhe me ndihmë.

Për këtë arsye, BE-ja dhe Kosova kanë lidhur një Kontratë për Reformë Sektoriale për Reformë të Administratës Publike, e cila parashikon një ndihmë financiare prej 25 milion euro për Kosovën deri në vitin 2021. Kjo ndihmë është e ndarë në katër pagesa me një shumë maksimale prej 22 milion euro në buxhetin e Kosovës, dhe 3 milion euro asistencë teknike.

Pagesat në buxhet janë të kushtëzuara me përparim në reforma dhe në përmbushjen e synimeve që janë rënë dakord reciprokisht.

“Një pagesë prej 5,5 milionë euro është planifikuar për disbursim në vitin 2018, nëse Kosova plotëson kushtet e përcaktuara në kontratë. Këto kushte kanë të bëjnë me përparimin e bërë në zbatimin e reformave të administratës publike dhe menaxhimit të financave publike, në zbatimin e politikave makroekonomike të orientuara drejt stabilitetit dhe në rritjen e transparencës së buxhetit. Këto kushte vlerësohen dhe duhet të përmbushen për secilën pagesë të kontratës, përfshirë pagesat e parashikuara për 2019, 2020 dhe 2021. Për vitet në vijim, pagesa do të lidhet gjithashtu me arritjen e tetë synimeve, të negociuara bashkërisht dhe të përcaktuara në kontratën e reformës”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë lidhur me reformat në administratën publike.