Zyrtare: Shtyhet ndeshja testuese në stadiumin “Fadil Vokrri”

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), njofton se ndeshja testuese në stadiumin e rinovuar të Prishtinës “Fadil Vokrri”, e paraparë për të shtunën, pra nesër, është shtyrë se Kosova mban tri ditë zi pas vdekjes së Adem Demaçit.

Deklarata e FFK-së:

27 korrik, 2018 – Për shkak të vdekjes së atdhetarit, simbolit të rezistencës, Adem Demaçi, siç quhet ndryshe edhe Mandela i Kosovës, dhe për faktin se presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në nderim të tij ka shpallur tre ditë zie, Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se ndeshja testuese që ishte paraparë të zhvillohej nesër më 28 korrik në stadiumin ”Fadil Vokrri”, është pezulluar për një kohë tjetër dhe në koordinim të plotë me UEFA-n dhe inspektorët e saj. Për terminin e ri opinioni do të njoftohet me kohë në ditët në vijim. FFK edhe një herë iu shprehë ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Me respekt

Federata e Futbollit e Kosovës