Zyrtarë të lartë amerikanë marrin pjesë në inaugurimin e tunelit që çon në Aksa

Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Jason Greenblatt, dhe ambasadori amerikan në Izrael, David Friedman, morën pjesë në inaugurimin e një tuneli që çon drejt Murit Burak (Muri i Vajit) në Mesxhid al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në Kuds u bë hapja e një tuneli që fillon nga Pishina e Silvanit (Breikhat HaShiloah) që llogaritet e shenjtë sipas besimit hebre dhe gjendet në lagjen Silvan në jug të Mesxhid al-Aksasë dhe del në Murin Burak, raportoi agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA.

Krahas zyrtarëve të lartë amerikanë, në ceremnoninë e inaugurimit që u organizua nën masa të rrepta të sigurisë morën pjesë edhe shumë deputetë dhe ministra izraelitë.

“Hapja e këtij tuneli është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kritikojnë vendimin e presidentit Donald Trump për shpalljen Kudsit si kryeqytet izraelit”, tha ambasadori amerikan Friedman, duke pretenduar se Kudsi është kryeqyteti i Izraelit.

Sipas WAFA-s, në afërsi të vendit ku u mbajt ceremonia është organizuar një protestë nga aktivistë të organizatës së të drejtave të njeriut “Paqe Tani” (Peace Now).

Tuneli në fjalë është pjesë e projektit “Shalem” të qeverisë izraelite, i cili parasheh projekte turistike dhe gërmime arkeologjike në tërë Kudsin Lindor dhe lagjen Silvan, e cila nga hebrenjtë konsiderohet si Qyteti i Davudit, veçanërisht përreth faltores së shenjtë Mesxhid al-Aksa.

Nga ana tjetër, palestinezët nuk heqin dorë nga kërkesa e tyre për ta bërë Kudsin Lindor kryeqytet të shtetit të një shteti të ardhshëm palestinez, ndërsa thonë se Izraeli përpiqet ta ndryshojë identitetin arab dhe musliman të qytetit të shenjtë duke zbatuar politika të hebraizimit.

Ndërkaq, pjesëmarrja e zyrtarëve të lartë amerikanë në ceremoni është cilësuar si një hap tjetër për njohjen e sovranitetit izraelit mbi Kudsin Lindor.

Muri Burak

Sipas Muslimanëve, Muri Burak, i cili gjendet në perëndim të Aksasë, është vendi prej ku profeti Muhamed bëri udhëtimin në natën e Israsë dhe Miraxhit përmes krijesës me emrin “Burak”.

Nga ana tjetër, hebrenjtë pohojnë se ky mur, të cilit i referohen si “Muri i Vajit” është mbetja e vetme e Tempullit të Sulejmanit për të cilin thonë se është rrënuar dhe duhet rindërtuar mbi vendin ku gjendet Mesxhid al-Aksa.

Nën Aksa, ku krahas Xhamisë së Kibles dhe Kupolës së Shkëmbit gjenden edhe muze, medrese dhe oborri i madh, hebrenjtë janë duke kryer gërmime me arsyetimin se aty “gjenden mbetjet e Tempullit të Sulejmanit”, duke pretenduar të drejtën për të kryer rite fetare në Aksa.

Për muslimanët, Al-Aksa përfaqëson vendin e tretë më të shenjtë në botë pas Mekës dhe Medinës. Hebrenjtë, nga ana e tyre, i referohen zonës si “Mali i Tempullit”, duke pretenduar se ai është vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.

Komisioni i UNESCO-s për Punë të Jashtme më 13 tetor të vitit 2016 miratoi një rezolutë e cila theksonte se nuk ekziston asnjë mbishkrim që tregon se Mesxhid al-Aksa ka lidhje me Judaizmin.

Për rezolutën, e cila kishte shkaktuar reagime në izrael, SHBA, Gjermania dhe Britania kishin votuan kundër. Rezoluta ishte miratuar më pas edhe nga Këshlli Ekzekutiv i UNESCO-s.