Zyrtari palestinez: Nuk ka vend të sigurt për evakuimin e të lënduarve nga spitali Al-Shifa

Një zyrtar palestinez i shëndetësisë ka bërë të ditur se nuk ka vend të sigurt për evakuimin e të plagosurve dhe foshnjave të porsalindura nga spitali Al-Shifa në Gaza, pasi ushtria izraelite e mban atë nën rrethim tashmë tre ditë, transmeton Anadolu.

“Ka qindra njerëz të plagosur që nuk mund të largohen nga spitali”, tha Mohammed Zaqqout, drejtor i përgjithshëm i spitaleve në Gaza.

Zaqqout tha se ndërprerja e energjisë elektrike dhe shërbimeve mjekësore në spital ka sjellë vdekjen e 32 pacientëve dhe foshnjave të porsalindura.

Ai tha se oferta izraelite për spitalin për t’i siguruar një sasi karburanti është një “mospërfillje ndaj botës”. Sipas tij, sasia e ofruar nuk do të mjaftonte për të furnizuar gjeneratorin e spitalit as për një orë.

Që nga java e kaluar, zona afër spitalit ishte nën sulme të rënda ajrore izraelite, përfshirë disa sulme ajrore brenda kompleksit të spitalit Al-Shifa.

Ushtria izraelite pretendoi se spitali përdoret nga grupi Hamas për një bazë ushtarake, një akuzë e mohuar kategorikisht nga grupi Hamas.

Që nga dje, autoritetet lokale në Gaza thanë se 22 spitale nga gjithsej 34 dolën jashtë shërbimit si rezultat i sulmit izraelit në Gaza.

Derisa sulmi izraelit në Rripin e Gazës hyri në ditën e 38-të, sipas shifrave të fundit nga autoritetet palestineze, të paktën 11.180 palestinezë janë vrarë, përfshirë mbi 7.700 fëmijë dhe gra, si dhe mbi 28.200 të tjerë janë plagosur.

Mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar që nga muaji i kaluar.