Zyrtarizim të partizimit

Rilind Dauti

S’ka dyshim se do të ishte e papranueshme që në ligj të shënojë “e bardhë në të zezë” që pozita të caktuara u takojnë anëtarëve të partive në pushtet, por ka mënyra se si faktikisht mund të arrihet deri te kjo dhe njëkohësisht të jetë e arsyeshme nga pikëpamja logjike.

Shkruan: Rilind DAUTI, Shkup

Edhe në shtetet me demokraci liberale më të konsoliduar, gjysma e politikës është aktrim. Pushteti aktron kinse gjithçka bën tamam, ndërsa opozita aktron kinse punët janë katastrofë. Gjatë fushatës zgjedhore politikanët aktrojnë në reklama, shkojnë të takohen me përfaqësues të profesioneve të ndryshme dhe bëhen kinse i dëgjojnë brengat e tyre dhe shtiren sikur shumë kanë merak t’ua shtrëngojnë dorën votuesve dhe të përqafohen me ta. Por, nëse në shtetet më të përparuara gjysma e politikës është “shfaqje skenike”, ndërsa gjysma tjetër është politikëbërje e mirëfilltë, në një shtet si Maqedonia e Veriut “teatri politik” karakterizon mbi 90 për qind të realitetit politik! Përveç formave të përvetësuara nga demokracitë e përparuara, në RMV aktrohet edhe demokracia e brendshme partiake (“këshilli i përgjithshëm e autorizon kryetarin e partisë” për këtë ose atë), pushteti ekzekutiv i ngrit supet kinse janë të pafuqishëm ndaj gjyqësisë e në veçanti shquhen fjalimet e zjarrta nga foltorja e kuvendit ose konferencat për shtyp në selinë e partisë, ku rivalëve të partive tjera u bëjnë akuza për gjëra për të cilat as ata nuk janë të pastër: kurdisje të tenderëve, punësim të të afërmve dhe aktivistëve partiakë, sharje të njëri-tjetrit, pastaj ndërtim të koalicionit, konflikt të interesit dhe forma të tjera të korrupsionit politik.

Por, në mesin e gjithë atyre formave të korrupsionit, ku asnjë parti nuk është e pastër, në këtë numër tematik të “Shenjës” mbi korrupsionin politik e pashë të arsyeshme të fokusohem në një formë të korrupsionit, që është aq endemike, saqë nuk marrin pjesë vetëm politikanët, por edhe aktivistët partiakë të nivelit të ulët, ndërsa prej zorit marrin pjesë edhe qytetarët e thjeshtë! Fjala është për punësimet në sektorin publik.

Korrupsioni endemik në këtë fushë është kombinim i tre faktorëve: 1. nevoja e partive politike që t’i shpërblejnë aktivistët partiakë që vrapojnë për partinë gjatë fushatës (dhe jo vetëm); 2. atraktiviteti i sektorit publik si vende pune me kushte shumë më të mira se sektori privat; 3. shfrytëzimi nga partitë politike i këtij atraktiviteti si leverdi për të tërhequr dhe mbajtur vota edhe përtej anëtarëve të regjistruar dhe aktivistëve partiakë.

Pasojat nga kjo janë të shumta. Ajo që është lehtazi e dëshmueshme me numra dhe që është vërejtje e kamotshme e Komisionit Europian është stërngarkimi i administratës publike me nëpunës të panevojshëm. Përtej kësaj që dëshmohet me statistika, pasojë tjetër është edhe përmbysja e sistemit të vlerave, ku vendi i punës nuk i jepet më meritorit, bazuar në arritje të mirëfillta, si suksesi gjatë studimeve, por i jepet aparatçikëve partiakë, që vendin e punës e fitojnë përmes aktivizmit për partinë dhe vardisjes së bosave partiakë. Dhe, ajo që është më tragjike, një aparatçik i tillë ka autoritet edhe mbi mësuesit në shkollat publike, që prej zorit janë punësuar përmes lidhjeve partiake, duke i dërguar SMS që e ka për detyrim të marrë pjesë në mitingun e partisë. Kështu ia kanë ulur autoritetin dhe dinjitetin punëtorëve të arsimit, që e kryejnë këtë profesion të shenjtë. Më tej, intelektuali nuk mund ta thotë atë që e mendon për gabimet e një partie ose e lavdëron pa meritë atë, me shpresë që të fitojë ndonjë pozitë. Dhe, konkursi bëhet pretekst i njerëzve të pabesë për mosmbajtje të premtimit për ndonjë vend pune: “epo, pse nuk i ndjekë konkurset, a unë duhet të të tregoj se kur del konkursi?”.

Zgjidhja e këtij problemi të partizimit të skajshëm të administratës publike, si edhe në përgjithësi të sektorit publik, ku përfshihen fushat si arsimi, është shumë e vështirë. Ashtu si edhe format tjera të korrupsionit, edhe për punësimet në bazë partiake partitë i bëjnë akuza të pasinqerta njëra-tjetrës. Përderisa ishte në pushtet, “VMRO”-DPMNE e stërmbushi administratën publike me aktivistë të saj, ndërsa LSDM-ja e kritikonte për këtë. Pasi kjo erdhi në pushtet, vazhdoi me të njëjtin veprim. Ministri i Administratës dhe Shoqërisë Informatike nga radhët e tyre, Damjan Mançevski, erdhi e shkoi pa e përmbushur premtimin për reduktim të administratës për 20 për qind. Përderisa nëpër televizione jepte intervista për këtë premtim, gazetat ishin të mbushura me konkurse, ku kërkohej “bashkëpunëtor i ri për këtë”, “bashkëpunëtor i ri për atë”.

Të gjithë e dinë se punësimet partiake nuk janë gjë e mirë, por veprojnë në bazë të formulës “nëse kështu kanë bërë ata para neve, përse mos të bëjmë edhe ne? Përse t’iu bëjmë padrejtësi aktivistëve tanë”. Në Maqedoni të Veriut nuk ka asnjë politikan që është i gatshëm ta rrezikojë pozitën e tij përmes refuzimit të presioneve klienteliste nga partia e tij. Por, edhe sikur ai të ishte aq këmbëngulës në parime, nuk ka asnjë garanci që ata që do të vijnë pas tij do të jenë parimorë si ai, kështu që në këtë aspekt mandati i tij do të konsiderohej “shans i humbur”. Ndërsa dihet që “(vetëm) një herë kalon miu ndër mustaqe”!

As shtetet më të përparuara dhe BE-ja nuk janë plotësisht imune!

Çka është më befasuese, as shtetet më të përparuara, si edhe Bashkimi Europian, ku synojmë të jemi, nuk janë aq të pafajshme nga favorizimi (bazuar në çfarëdo relacioni) ashtu siç kemi menduar! Fjala bie, në Bankën Qendrore Europiane, në 17 nga 25 departamentet e saj janë detektuar shembuj ku stafi përbëhet i mbipërfaqësuar me nëpunës dhe menaxherë nga ndonjë kombësi e caktuar, kryesisht të gjermanëve (BQE selinë e ka në Frankfurt) dhe të italianëve (nga 2011-2019 President i BQE ishte italiani Mario Draghi). Domethënë, nëse shtetet ballkanike zbatojnë favorizim bazuar në afërsi familjare dhe partiake, në Bankën Qendrore Europiane kanë shkuar një nivel “më lartë” dhe zbatojnë “nepotizëm kombëtar”! (Shih: politico.eu/article/european-central-bank-nepotism-nationality-problem).

Por, kjo nuk do të thotë se gjithë Europa ka “përparuar” në stad “më të lartë” evolutiv të favorizimit. Sipas studiuesit belg në Universitetin e Antwerpit, Kristof Titeca, burokracia e ndërlikuar e Brukselit është mundësia që partitë politike e shfrytëzojnë për distribuim të vendeve të punës dhe kryetarët e 19 komunave të Brukselit, që nofkën popullore e kanë “baronë” për shkak të pushtetit të madh që e posedojnë, e kanë në dorë çelësin e punësimeve në sektorin publik, qasjen në banesat sociale dhe të mirat e tjera publike! (Shih: opendemocracy.net/en/can-europe-make-it/brussels-works-disorder-as-political-instrument/). Domethënë, në Brukselin e Bashkimit Europian, që Ballkanin e mëson për reforma në administratë, për meritokraci dhe sundimin e ligjit, zbatohet klientelizëm dhe praktikohet sistemi patronazhist si me qenë midis Ballkanit!

Në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku si askund tjetër pozita e përfaqësuesit të popullit është prestigj që ngërthen në vete edhe sjellje të caktuara morale, me dhjetëra kongresmenë të Kongresit Amerikan, si dhe deputetë në Dhomën e Komunave të Parlamentit Britanik, kanë të punësuar familjarë si pjesë e stafit të tyre, që paguhet nga buxheti i mbushur prej taksapaguesve!

Në Greqi, e cila krenohet si djep i demokracisë, gjeneratë pas gjenerate PASOK-u dhe Demokracia e Re punësimet në sektorin publik i kanë përdorur në këmbim të votave dhe kjo çoi te një sektor publik i stërngarkuar, që nuk mund të mbahej nga buxheti i mbushur nga tatimet prej sektorit privat, por medoemos duhej të merrej borxh prej jashtë. (Shih: nytimes.com/2012/10/11/opinion/the-cost-of-protecting-greeces-public-sector.html).

Kështu që, nga e gjithë kjo që u tha për realitetin tonë, dhe faktin që as shtetet më të përparuara nuk janë aq të pastra nga korrupsioni ose sjellja moralisht e dyshimtë kur vjen puna te punësimet në sektorin publik, përmirësimi i gjendjes me punësimet partiake nuk janë përpjekjet e rrejshme të politikanëve për departizim ose shtirja sikur punësimet bëhen sipas konkursit, por e kundërta: që pozita të caktuara në administratën publike të jenë publikisht të pranueshme për t’ua dhënë aktivistëve partiakë!

Nga korrupsioni në avantazh

Të kthehemi edhe njëherë te shembujt nga shtetet e përparuara. Prej shumë kohësh te ata është hetuar se si administrata profesionale shpesh di të bëhet pengesë e zbatimit të politikave të qeverisë. Pra, burokracia bëhet penguese e demokracisë!

Pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 1952, që u fituan nga ish-gjenerali i madh Dwight D. Eisenhower, presidenti në largim, Harry S. Truman, u pat shprehur se si ky ish-oficer do ta gjejë një befasi të pakëndshme kur nëpunësit shtetërorë nuk do të jenë aq efikas në zbatimin e urdhrave të presidentit! “Do të ulet këtu dhe do të thotë ‘bëje këtë-bëje atë’! Dhe asgjë nuk do të ndodhë! I shkreti Ajk [nofkë për Ajzenhauerin], fare nuk do të jetë si ushtria”. (“He’ll sit right here and he’ll say do this, do that! And nothing will happen. Poor Ike—it won’t be a bit like the Army.”)

Viteve të fundit, në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar qarqet konservatore po shprehin frustracion që administrata burokratike, e cila nuk i jep llogari askujt, e bllokon agjendën konservatore të pushtetit të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe duhet t’i japë llogari popullit për premtimet e dhëna. Për këtë arsye, qarqet konservatore e kanë shprehur haptazi qëllimin për “politizim” të pjesshëm të shërbimit civil, ashtu që në mënyrë më efikase të zbatohet agjenda e qeverisë.

Kështu i bie se një burokraci tërësisht apolitike nuk është një gjë aq pozitive sa është menduar. Prandaj, në vend të përpjekjeve të pasinqerta për departizim të plotë të sektorit publik, reforma duhet bërë në atë mënyrë që pozita të caktuara të administratën publike të jenë për akomodim të anëtarëve të partisë.

Si mund të jetë zgjidhja?

S’ka dyshim se do të ishte e papranueshme që në ligj të shënojë “e bardhë në të zezë”, që pozita të caktuara u takojnë anëtarëve të partive në pushtet, por ka mënyra se si faktikisht mund të arrihet deri te kjo dhe njëkohësisht të jetë e arsyeshme nga pikëpamja logjike.

Kjo mund të bëhet ashtu që në sektorët dhe njësitë e organeve shtetërore, përveç udhëheqësit që në atë pozitë ka arritur përmes ngjitjes në karrierë, në pozitë bashkëudhëheqëse të jetë edhe dikush i emëruar nga ministri. Dhe, titulli i tij mund të jetë “i deleguar politik” ose diçka e tillë. Pozita e tyre do të ishte e përkohshme, që varet aq sa është në pozitë ministri nga partia e tij ose aq sa zgjatë koalicioni i partisë së tij me partinë e ministrit. Por, edhe pse të përkohshme, këto pozita duhet t’i përfshijnë të drejtat, si sigurimi shëndetësor dhe përparimi i stazhit, si dhe privilegjet shtesë, siç janë celularët falas.

Përveçse nëpër ministri, pozita të tilla duhet të ekzistojnë edhe në institucione të tjera (si p.sh. drejtoritë) që janë nën ministrinë e caktuar, ndërsa për institucionet që nuk janë nën asnjë ministri, emërimet në pozita të tilla duhet t’i bëjë qeveria ose kryeministri.

Kjo që u tha më lart vlen për aktivistët e nivelit të ulët, për ata që ngjisin posterë elektoralë nëpër trafostacione dhe bëjnë aksione guerile para selive të partive të tjera, ndërsa për anëtarët e nivelit të mesëm dhe të lartë duhet të vlejnë shpërblime të tjera. Nuk ka asgjë të keqe në zgjidhjen aktuale që për ta të ekzistojnë postet si këshilltar i kryeministrit, sekretarë shtetërorë nëpër ministri ose ambasador (si magjistër i diplomacisë jam kundër “profesionalizimit të plotë” të shërbimit të jashtëm. Përderisa në superfuqinë botërore, SHBA, një numër pozitash ambasadoriale zyrtarisht quhen “emërime politike”, përse një shtet si Maqedonia e Veriut të bëhet kinse ka staf diplomatik më të mirë?). Por, pas pozitës së ministrit, më e dëshiruara është pozita e drejtorit të drejtorive, agjencive, etj. Përkundër asaj që zyrtarisht këta zgjidhen me konkurs dhe kanë mandat të caktuar, në realitet ata ndërrohen sa herë që hyn në qeveri një parti tjetër ose si rezultat i përplasjeve brendapartiake. Për këtë praktikë ka kritika nga Komisioni Europian, kështu që për pozitat e drejtorëve me të vërtetë duhet të vlejnë kriteret e konkurseve dhe të krijohet një klasë e shërbyesve civilë të nivelit më të lartë që do të jenë në ato pozita. Ndërkaq, për anëtarët e lartë të partive në pushtet, në vend se drejtor, mund të konsiderohet emërimi në bordin drejtues ose, madje, edhe kryetar i bordit të asaj drejtorie, agjencie ose firme shtetërore.

Këto janë propozime të përgjithësuara, ndërsa për detajet le të kujdesen ekspertët e administratës dhe juristët, ashtu që gjithçka të rregullohet sa më mirë dhe të jetë në përputhje me kriteret e Bashkimit Europian. Por, ajo që duhet thënë fund janë përpjekjet e rrejshme për departizim dhe aktrim të konkursit!

Shpresa për dalje nga rrethi vicioz

Përmirësimi i korrupsionit politik në sektorin publik do të vijë vetëm atëherë kur të përballemi me disa të vërteta, si për shembull: 1. Edhe shtetet më të përparuara dhe vetë Bashkimi Europian, nuk janë aq të pastra nga favorizimi partiak, familjar dhe kombëtar, siç i kemi idealizuar; 2. Partitë politike veprojnë që ta marrin pushtetin dhe për numrin e madh të anëtarëve që i kanë nuk mjaftojnë ulëset në kuvend dhe në qeveri; 3. Përvoja e shteteve të përparuara ka dëshmuar se administrata tërësisht profesionale di të bëhet pengesë e zbatimit të politikave të qeverisë, madje burokracia mund ta dobësojë demokracinë.

Kur ta kemi pranuar këtë realitet për administratën publike dhe nevojën që aspekte të caktuara të saj të jenë de jure të politizuara dhe de fakto të partizuara, të përpiqemi në maksimum për departizim të pjesës më të madhe të administratës publike (si pozita e bashkëpunëtorit të ri, etj.), dhe, në përgjithësi, të përpiqemi për departizim të sektorit publik, ku përfshihet edhe arsimi. Ndërkaq, prej kësaj të nxitet një rreth i virtytshëm, që do ta ndërtonte një sistem të vlerave, të karakterizuar me dhënien e vendit të punës dhe pozitës më të shkolluarit, më të aftit, më profesionistit, më meritorit!