​Emërohet Avokati i Popullit i Gjykatës Speciale

Emërohet Avokati i Popullit i Gjykatës Speciale

Pietro Spera me shtetësi italiane, u emërua Avokat i Popullit i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Spera ka thuajse 30 vjet përvojë pune ligjore si gjykatës, veçanërisht për mbrojtjen e të drejtave në procedurat gjyqësore.

Ndër të tjera, ai ka punuar si gjykatës ndërkombëtar në Dhomën për krime lufte dhe krimin e organizuar të Gjykatës Shtetërore të Bosnjё-Hercegovinёs dhe gjithashtu në Afganistan, ku ka kryesuar disa projekte për fuqizimin e sundimit të ligjit në sistemin gjyqësor të Afganistanit.

Me rastin e emërimit, Avokati i Popullit Spera deklaroi:

“Emërimi si Avokat i Popullit i Dhomave të Specializuara është një nder dhe privilegj për mua dhe jam i gatshëm për sfidën e përmbushjes së mandatit që më është besuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.”

Avokati i Popullit luan një rol thelbësor në monitorimin, mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore mishëruar në Kushtetutën e Kosovës të të gjithë personave që kanë punë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Nga ana tjetër, Avokati i Popullit nuk mund të ndërhyjë në procedura gjyqësore të Dhomave të Specializuara, përveçse në rast të vonesave të paarsyeshme.

Gjithashtu, Avokati I Popullit mund t’i paraqesë rekomandime Kryetarit të Dhomave të Specializuara ose Prokurorit të Specializuar për çështje që janë pjesë e funksioneve të tyre.

Duke e përgëzuar Avokatin e Popullit Spera, Kryetarja e Dhomave të Specializuara, gjykatësja Ekaterina Trendafilova, deklaroi:

“Sot është një ditë e rëndësishme për Dhomat e Specializuara. Emërimi i z. Spera si Avokat i Popullit shënon një moment tjetër kyç për institucionin tonë. Mandati dhe roli unik i Avokatit të Popullit e bëjnë atë garantues të të drejtave themelore të kujtdo që ka punë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke mundësuar përmbushjen e standardeve më të larta të të drejtave të njeriut.”