1. Njeriu – një qenie e bërë përmes krijimit.
Zoti – botët – njeriu (njerëzimi): këto janë tri “tema” të Kur’anit, rreth të cilave, si petalet e një trëndafili, shpalosen rrëfimet e shpallura të pjesës më të madhe të Kur’anit. Dhe ashtu siç në Kur’an nënkuptohet, por edhe shpallet qartazi: a) se Zoti është pa fillim dhe pa mbarim; b) se botët janë krijuar në kohëzgjatjet dhe format e tyre, të cilat nuk i kanë zgjedhur vetë, dhe se, ndaj thirrjes hyjnore, janë shfaqur “me dëshirë ose pa dëshirë” (tau’an eu kerhen – Fussilet, 41:11); c) po ashtu, Kur’ani jo vetëm që e nënkupton, por edhe e shpall shprehimisht krijueshmërinë e njeriut dhe “të qenët e njeriut”. Në të vërtetë, nga faqja e parë deri te faqja e fundit e Kur’anit, “të qenët e njeriut” shfaqet pandashëm në mënyrën e të qenit krijesë. Ashtu si edhe krijesat e tjera që e mbartin vulën hyjnore të krijueshmërisë së tyre, po ashtu ndodh edhe me njeriun.
Të gjitha pyetjet që për njeriun shfaqen ose nënkuptohen në Kur’an, nisen nga një nxitje e heshtur drejtuar njeriut: “të qenët e njeriut” duhet të përputhet me krijueshmërinë e tij, por edhe krijueshmëria e njeriut me “të qenët e tij”. Dhe megjithëse në Kur’an përmenden shumë krijesa të tjera, si uji, gurët, pluhuri, palma, fiku, kungulli, shega, shpendët, ujku, gomari, miza, kuajt, yjet, yjësitë…, megjithatë, nga të gjitha krijesat, Kur’ani më së shumti i drejtohet njeriut, krijimit të tij, të bërit e tij krijesë dhe “fatit të tij”. Por, pavarësisht kësaj, për Kur’anin është e pasaktë të thuhet se ai është një libër “antropocentrik”.
Ashtu siç shihet nga tërësia e Kur’anit, njeriut i drejtohet një nxitje që të shikojë aq sa i mbërrin shikimi – e gjithë kjo me qëllim të njohjes se ku gjendet ai pa vullnetin e vet. Megjithatë, nga kjo nuk mund të nxirret përfundimi se Fjala Hyjnore e Kur’anit i vë përballë botët e pafundme, nga njëra anë, dhe njeriun, nga ana tjetër, me qëllim që ta frikësojë njeriun, ta bëjë ose ta paraqesë atë si të parëndësishëm e të vogël, apo ta poshtërojë. Në të gjitha rrafshet e Kur’anit, të dukshme dhe të padukshme, është i pranishëm Zoti që garanton dinjitetin e gjithçkaje, përfshirë edhe të njeriut. Përveçse është Krijuesi i tij, Zoti për njeriun është edhe gjithçka tjetër thelbësore: shpresë, inkurajim, mbështetje dhe ajo gjithëpërfshirësja e këndshme.
Këtu qëndron arsyeja kryesore pse nuk mund të thuhet se Kur’ani tek njeriu nxit një qëndrim nihilist, mendime nihiliste, parandjenja pesimiste apo kontemplime pa shpresë, as për Zotin, as për botët, e as për vetveten. Po ashtu, nga Kur’ani nuk mund të nxirren motivime apo nxitje që njeriu ta vendosë veten nën një shenjë të madhe pyetjeje. Nëse ndiqet tërësia e Kur’anit, mund të thuhet kjo: ashtu si Zoti që nuk vihet në pikëpyetje, ashtu si as botët dhe as ekzistenca në tërësi që nuk mund të mbështillen me dyshim, po ashtu as njeriu nuk duhet të trillojë nga vetvetja pyetje që e mohojnë, e nënçmojnë, e përbuzin dhe, në fund, e mbushin atë me trishtim.
Pikërisht për këtë arsye Kur’ani te njeriu zgjon një lloj krenarie (el-keram, et-takrīm; krahaso 17:70) për veçantinë e krijimit të tij. Natyrisht, kjo krenari nuk duhet të shndërrohet në arrogancë, as ndaj Zotit dhe as ndaj krijesave: “Mos ec nëpër tokë me mburrje, pse ti as nuk mund ta çash tokën, as nuk mund ta arrish lartësinë e maleve.” (el-Isra’, 17:37)
Në tonin e tij të kthjellët, Kur’ani, me këmbëngulje dhe vazhdimisht, e nxit njeriun që për “të qenët e tij” të mendojë dhe të kontemploje duke u nisur nga fakti i “ardhjes së tij me qëllim”, e jo nga fakti i “rastësisë së thjeshtë” (krahaso el-Mu’minun, 23:115). Mirëpo, kjo ardhje e njeriut si krijesë buron nga vetë Zoti i Pakrijuar, nga akti i Tij krijues.
Fillimi i njeriut nuk shënohet nga ndonjë “asgjë” kërcënuese, por është nën shenjën e një akti të lartë krijues hyjnor. Për më tepër, akti krijues hyjnor, prej të cilit njeriu e ka prejardhjen, është vetë një nderim për njeriun. Zoti është Ai (dhe askush tjetër) që e ka krijuar njeriun, ashtu siç i ka krijuar edhe të gjitha krijesat e tjera. Pikërisht kjo porosi mbi krijueshmërinë dhe ardhjen në ekzistencë të njeriut i kumtohet marrësit njerëzor të Kur’anit si në mënyrë të drejtpërdrejtë, ashtu edhe të tërthortë. Në mënyrë të drejtpërdrejtë i kumtohet sa herë që njerëzimit i përkujtohet se atje, në një fillim të largët të njerëzimit, nuk ka pasur asnjë “asgjë” nihiliste që, nga vetvetja dhe vetvetiu, të kishte vepruar në mënyrë demiurgjike: “A mos u krjuan ata prej kurgjësë, apo mos ata vetë janë krijues?” (et-Tur, 52:35)
Por Kur’ani, me porositë e tij të shprehura qartazi, kumton se Zoti e dhuron aktin e Vet krijues pikërisht në çdo çast edhe për mijëra e mijëra krijesa të tjera, jo vetëm për njeriun. Njerëzimi ftohet që, si krijesë e Zotit që është, ta shikojë, për shembull, botën vegjetative, florën, dhe të nxjerrë mësim nga bukuria e frutave kur ato mbijnë dhe piqen: “Shikoni pra frutat e tyre kur i formojnë dhe kur piqen. Edhe në këto ka fakte për njerëzit që besojnë.” (el-En’am, 6:99)
Fakti se akti krijues hyjnor është i përhershëm dhe vepron si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, nga të gjitha anët, të njohura dhe të panjohura për njeriun, duke bërë të gjitha universet, botët, mineralet, florën, faunën, njerëzit, botët e panumërta shpirtërore…, dhe fakti se akti krijues hyjnor i përfshin dhe i bashkon të gjitha këto – është një temë që mbetet për t’u trajtuar veçmas. Ndër të gjitha krijesat, Kur’ani promovon “bashkëpunimin në afërsi nëpërmjet krijimit”, “afërsinë në ekzistencë të gjithçkaje nëpërmjet aktit krijues të Krijuesit të Amshuar”. Në mënyrë të veçantë, njeriut i përkujtohet kjo “botshmëri” e tij, ose hapja e tij ndaj të gjitha botëve: “Ne, vërtet i nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), ua mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam (i lartësuam) ata ndaj shumicës së krijesave që Ne i kemi krijuar.”(el-Isra’, 17:70)
2. Njeriu – një qenie në mes të “skenës” së gjithëpranisë hyjnore, të pastërtisë engjëllore, të ligësisë djallëzore, të hapjes njerëzore ndaj kësaj bote dhe ndaj botës së përtejme…
Kush dëshiron të nisë një kërkim mbi këndvështrimet kur’anore për njeriun, është mirë që të ndalet me vëmendje mbi faqen e katërt të Kur’anit (krahaso: el-Bekara, 2:30–38) dhe, përmes metodologjisë së “linguistikës faktike”, të konstatojë përmendjen e: Zotit, njeriut si i ngarkuar hyjnor (halif), përmendjen e melekëve (engjëjve), të tokës, të gjakut, të shejtanit, të Xhenetit, të Ademit a.s. dhe të gruas së tij, nxitjen satanike që çifti i parë bashkëshortor ta shkelë ndalesën hyjnore (pema si kufi dhe tabu) dhe, së fundi, përmendjen e dëbimit nga Xheneti…
Ky rrëfim i parë për njeriun në Kur’an (2:30–38) është dhënë si themelor. Në raport me njeriun, me Ademin dhe Havanë a.s., ky rrëfim është dhënë njëkohësisht, në të njëjtin çast: edhe si krijimi i njeriut, edhe si rrëfim mbi njeriun. Ashtu si edhe gjetkë në Kur’an, edhe këtu bashkohen “e thëna krijuese hyjnore” me “të bërën krijuese hyjnore” (kun, fe-jekūn – Ja-Sin, 36:82).
Por, me këto vargje (2:30–38) nuk duhet t’i atribuohet Kur’anit diçka që është e huaj për të, as të paraqitet shfaqja e njeriut dhe të vendoset ai në ndonjë “skenë të errët”, “rrëfim”, “dramë” apo “odise pa qëllim”. Nuk mund të thuhet se tërësia e njeriutgjendet drejt në tërësinë e Kur’anit, nëse Kur’ani lexohet dhe kuptohet si një lloj “drame hyjnore”, si një “skenë e paracaktuar”, apo si një sagë mbi një “tragjedi të përgjithshme njerëzore”. Në të vërtetë, toni i kthjellët i Kur’anit nuk përmban nxitje apo udhëzime të tilla për leximin e tij. Sipas Kur’anit, Zoti nuk ka krijuar asgjë me qëllim që ta bëjë atë – të palumtur, të pafat. Zoti as njeriun nuk e krijon për ta bërë atë të palumtur.
Siç shihet qartë nga faqja e katërt e Kur’anit (2:30–38), njeriu është një qenie në mes të “skenës” së gjithëpranisë hyjnore, të pastërtisë engjëllore, të ligësisë satanike/djallëzore dhe të hapjes njerëzore ndaj botëshmërisë. Me këtë, Kur’ani – përmes asaj që nuk e thotë shprehimisht (mantuk), por që nënkuptohet prej tij (mefhum) – tregon se krijimi hyjnor i njeriut nuk nënkupton krijimin e njeriut si një “robot hyjnor”. Gjithçka e përmendur dhe gjithçka e pranishme në këtë “skenë fillestare që shpalos ardhjen në ekzistencë të njeriut” (2:30–38) do të mbetet në mënyrë të qëndrueshme pranë njeriut si ngjarje e lirisë njerëzore. Mbetet ajo shkëndijë e krijimit hyjnor e depozituar në njeriun, në vetë ndodhinë e misterit se Zoti e krijon atë prej dheu, e bën një qenie të harmonishme dhe në të “fryn nga Shpirti i Vet” (fe idha sevvejtuhu ve nefahtu fihi min ruhi – Sad, 38:72).
Mbetet dhe vazhdon edhe fakti se Zoti e ka pajisur atë me autorizim (halif) për botëshmërinë, për universalitetin (madje edhe në vetë Xhenetin /2:36/ njeriu është ai që niset në kërkim; njeriu i afrohet pemës me vullnetin e vet të lirë, e jo pema atij!).
Te njeriu mbetet e qëndrueshme edhe prirja engjëllore (dimensioni melekor), e cila, në aleancë me shkëndijën hyjnore të krijimit, sjell si pasojë veprat më të bukura dhe përkushtimet më fisnike. Natyrisht, te njeriu dhe brenda tij është edhe konstanta shtazore dhe djallëzore (iblisiane), përmes së cilës derdhet gjak, dhe përmes së cilës njeriu mund të rrëshqasë nga njerëzorja në nënnjerëzore, nga qenia humane në atë hominide. Por, nuk është mirë që Kur’ani të lexohet si një tekst i ndërtuar në mënyrë dualiste. Sipas Kur’anit, njeriu nuk është vendosur nga ndonjë forcë e verbër në një hapësirë të ngushtë, ku duhet të zgjedhë “ose–ose”; ai nuk është një qenie e vendosur mes engjëllit dhe djallit. Përkundrazi, përpara njeriut qëndron një mori rrugësh dhe një mori zgjedhjesh të guximshme, të gjitha si hapa drejt lirisë së tij personale. Nëse udhëhiqet nga nxitjet hyjnore, njeriu do ta ketë lirinë e vet si aleate në rrugët e bërjes së veprave të mira.
Është e vështirë të shprehet plotësisht se çfarë shpall në të vërtetë Fjala Hyjnore e Kur’anit kur thotë: Lekad halekne’l-insane fi ahseni takvim – “Ne e krijuam njeriun në përbërjen (formën) më të bukur!” (et-Tin, 95:4)
Përkthyesit e shquar të Kur’anit e kuptojnë sintagmën ahseni takvim (“forma më e mirë, më e bukur”) në mënyra të ndryshme. Kraçkovski (Перевод Корана) sugjeron se njeriu është një qenie “me përbërjen më të mirë” (лучшим сложением), pra me komponentë të rregulluar në mënyrën më të përsosur. Kasimirski (Le Coran) nënkupton një qenie të krijuar “në përmasa të denja për admirim” (les plus admirables proportions). Arberry (The Koran Interpreted) thekson se, me aktin krijues, Zoti e ka bërë njeriun një qenie “me shtatin më të bukur” (in the fairest stature), ose, siç do të mund të thoshim, “një qenie me qëndrimin drejt më të hijshëm”.
Kur tërësia kur’anore vihet në përputhje me faqen e katërt të Kur’anit (2:30–38), bëhet krejtësisht e qartë të qenët e njeriut në liri. Ofertën hyjnore: “Bano ti dhe gruaja jote në Xhenet!” – njeriu e refuzon. Në aleancë me shejtanin, por edhe në mënyrë të pavarur, njeriu bën hapat e parë të lirisë së vet dhe shkel një rregull të vetëm të Xhenetit: të mos i afrohet vetëm një peme, ndërsa të gjitha pemët e tjera dhe gjërat e tjera i ka të lejuara. Pastaj – sipas rrëfimit të Kur’anit – njeriu e humb Xhenetin shumë shpejt.
Me dëbimin e njeriut nga Xheneti, për të ai Xhenet bëhet e kaluar. Por ata që e lexojnë Kur’anin me mprehtësi e shohin shumë qartë: Xheneti tani i zhvendoset njeriut në të Ardhmen, në Botën e Pasme ose në Botën Tjetër (ahiret). Për atë Xhenet njerëzimi do të mallëngjehet në këtë botë.
Vërtet, shumë janë pasazhet e Kur’anit që i flasin njeriut të sprovuar dhe të vuajtur, por edhe bashkëbiseduesit dinjitoz të Zotit, në këtë botë (ed-dunja, el-ūlā). Sa shumë faqe të Kur’anit i kushtohen njeriut në këtë botë! Gjithçka njerëzore që shfaqet në faqet e Kur’anit, shfaqet edhe në faqet e botës: popuj, fise, individë, kryengritës kundër Zotit, paganë, dualistë, politeistë, sundimtarë, eprorë dhe të nënshtruar, ndërtues, bamirës dhe shkatërrues, përçarës, luftëtarë dhe tiranë, të këqij, të mirë dhe të dëlirë, besimtarë, hipokritë dhe jobesimtarë, pendestarë të llojeve më të ndryshme… Shkurt thënë, Kur’ani e paraqet njeriun si një qenie të lirë, por edhe si një njeri që i bart dhe përjeton të gjitha rreziqet e lirisë së vet në këtë botë.
3. “Jo”-ja kur’anore ndaj botës si burg i njeriut të dëbuar nga Xheneti
Megjithatë, në fund të fundit, Kur’ani nuk është një përmbledhje shpalljesh hyjnore drejtuar një njerëzimi të vuajtur. Përpara njeriut dhe njerëzimit, kjo botë (ed-dunja) nuk shtrihet si një hapësirë errësire, vuajtjeje, dëshpërimi dhe ndëshkimi, por, në të vërtetë, si një hapësirë shansesh, shprese dhe inkurajimi për gëzime dhe suksese në bërjen e veprave të mira (‘amilū s-sālihāt). Në vend që liria e tij të provohet në aleancë me shejtanin, Kur’ani këmbëngulshëm na mëson se njeriu duhet ta realizojë lirinë e vet me vetëdijen për Zotin si Udhërrëfyes të tijin. Në shumë sure dhe ajete të Kur’anit, kjo është porosia që promovohet me ngulm.
Është e mundur që pikërisht për këto arsye Kur’ani e quan veten “Përkujtim i Urtë” (edh-dhikru’l-hakim – el-Bekara, 2:25) ose “Kujtesë” (edh-dhikrā – Alu Imran, 3:58): që njeriu ta ketë përpara vetes hapësirën e mundësive dhe të shanseve, që të ndihet mirë në këtë botë dhe që tani, nëpërmjet lirisë së vet dhe veprave të mira, ta fitojë botën tjetër, botën e ardhshme ose botën e dytë, e cila në mënyrë të padukshme e përfshin edhe këtë botë, ashtu siç atmosfera e padukshme e përfshin Tokën.
“Pse ekziston njeriu?” – nuk është një pyetje që njeriu, qoftë grua apo burrë, ia parashtron vetes vetëm një herë në jetë dhe vetëm një herë i jep përgjigje. “Pse ekziston njeriu?” është një pyetje që çdo njeri ia shtron vetes pothuajse çdo ditë, në mes të ndryshimeve të kësaj bote. Madje edhe atëherë kur njeriu ia shtron vetes këtë pyetje nga habia (e jo vetëm nga nxitja e shkencës, teologjisë, filozofisë…), edhe atëherë kjo pyetje mbetet e rëndësishme.
Këtu duhet kujtuar shpallja hyjnore mbi vendimin hyjnor për të vendosur në Tokë një mëkëmbës, një halif (2:30). Është mirë të mos pranohet që në fjalën halif të kërkohet ndonjë ide e sundimit të njeriut mbi Tokën. Sipas Kur’anit, njeriu de facto nuk është zotërues i Tokës. Mjafton të kujtohet se mësime të lashta, si p.sh. sufizmi dhe taoizmi, e hedhin poshtë edhe vetë mendimin se njeriu mund të jetë zotërues i Tokës. Në të vërtetë, Toka e tejkalon njeriun në shumëfish.
Por, duke qenë një krijesë e pajisur me resurse të mëdha dhuratash hyjnore, njeriu nderohet nga Kur’ani me emërtimin halif dhe këshillohet që në Tokë të jetë “i dorëzuar Zotit” (2:136), që “të stoliset sa herë që falet dhe adhuron” (7:31), që “të mos vrasë” (6:151), që “të mos u afrohet të këqijave dhe shthurjeve” (6:151), që “të mos e shkatërrojë botën bimore dhe shtazore” (2:205), që t’i bëjë “ato vepra që mund t’i paraqesë pa turp para Zotit dhe të Dërguarit të Tij” (9:105), që të jetojë “në paqe me gjithë njerëzimin” (2:208), që “t’ia ndajë pasurinë të afërmit, të varfrit dhe udhëtarit” (17:26), që “nga të korrat dhe prodhimet bimore të japë për të tjerët në ditët e korrjes dhe të vjeljes” (6:141), që nga të lejuarat “të hajë dhe të pijë, por të mos e teprojë” (7:31), që në Tokë “të mos jetë shpërdorues” (17:26), e kështu me radhë.
Të gjitha këto udhëzime dhe këshilla morale hyjnore mund t’i pranojë vetëm njeriu si halif në Tokë. Mineralet nuk munden, flora nuk mundet, fauna nuk mundet ta bëjë këtë. Për botët shtazore, xhindore, engjëllore… dimë pak, por supozojmë se këto botë nuk janë të përfshira në krejt atë në të cilën është i përfshirë njeriu.
Pyetja “pse ekziston njeriu?” sipas natyrës së saj shtrohet në njëjës. Por përgjigjet ndaj kësaj pyetjeje janë në shumës. Vërtet, Kur’ani na jep shumë përgjigje për pyetjen “pse ekziston njeriu?”. Në fund të fundit, Kur’ani është një përmbledhje shpalljesh hyjnore të dhuruara njeriut. Sikur me shpalljen e Kur’anit, me Vullnetin Hyjnor, dëshirohet të thuhet: Ja, o njeri, lexoje Kur’anin dhe zbuloje përgjigjen ndaj pyetjes “pse ekziston njeriu?”.
Burimi: Preporod, nr. 4/1206, 15 shkurt 2022, f. 8-9
Nga gjuha boshnjake: Rehan Neziri








