Intervistë nga Gluten-free Albania me mjekun imunolog Genc Sulçebe
Mjeku imunolog, Genc Sulçebe, Shef i Shërbimit Universitar të Imunologjisë, i pari në Shqipëri, që ka aplikuar diagnoztikimin imunologjik të celiakisë flet mbi aspekte të ndryshme të saj. Grupi Gluten-free Albania i parashtroi mjekut imunolog 10 pyetje, të cilave iu përgjigj pa hezitim.
Çfarë është gluteni?
Gluteni është një proteinë, e cila gjendet në 3 drithëra, në grurë, elb dhe thekër.
Çfarë është celiakia?
Celiakia është një çrregullim sistemik me natyrë autoimmune që nxitet nga gluteni në individë, që janë gjenetikisht të ndjeshëm ndaj saj. Celiakia nuk është një sëmundje aq e rrallë sa mendohet. Sipas të dhënave, 1% e popullatës njerëzore mund të jenë të prekur prej saj. Celiakia kushtëzohet nga disa gene të cilat kodohen në sistemin HLA, që është një sistem gjenetik i veçantë, që ndryshon nga një individ në tjetrin. Individë që kanë këto gene, të cilat predispozojnë shfaqjen e kësaj gjendjeje shëndetësore, duhet të shmangin glutenin, proteinën e gjendur në drithëra si grurë, elb dhe thekër, por jo vetëm. Në rastet kur këta individë konsumojnë gluten, trupi i tyre reagon duke prodhuar antitrupa, duke krijuar inflamacion të enterociteve dhe vilet intestinale, që janë përgjegjëse për përthithjen e lëndëve ushqyese, pra vitaminave, mineraleve, elektroliteve etj. Ky dëmtim mund të çojë në kequshqyerje dhe keqpërthithje.
Cilat janë simptomat e celiakisë?
Individët të cilët dyshohen se mund të jenë të prekur nga celiakia, shfaqin simptoma të ndryshme. Ka individë që nuk shtojnë në peshë, mund të kenë diarre, këputje, anemi apo shenja të tjera. Është e rëndësishme të theksohet së këto shenja klinike variojnë nga një individ te tjetri. Ka individë që mund të shfaqin disa shenja klinike, por ka edhe individë që nuk kanë asnjë simptomë. Pra, ndonëse mund të jenë të prekur nga kjo gjendje shëndetësore, ata nuk shfaqin asnjë shenjë klinike dhe në një moment të caktuar shfaqin sëmundje të lëkures apo probleme të tjera, të cilat mund të bëhen shqetësuese. Për këtë arsye është e rëndesishme që mjekët pediatër dhe mjekët në përgjithësi ta kërkojnë këtë sëmundje edhe tek ata individë që nuk kanë shenja të qarta klinike, të arrijnë ta identifikojnë sa më herët për të shmangur pasoja të rënda shëndetësore.
Cili është protokolli i diagnoztikimit të celiakisë? A mund të diagnoztikohet ajo vetëm përmes testeve serologjike?
Mund të themi se metoda më e thjeshtë dhe më e shpejtë e diagnoztikimit të celiakisë është metoda serologjike. Pra me fjalë të tjera është metoda imunologjike nëpërmjet përcaktimit të auto-antitrupave, të cilat janë drejtuar ndaj një proteine të veçantë, që shërben si enzimë që është transglutaminasë, por edhe ndaj vetë glutenit/gliadinës. Këto krijojnë antitrupa ndaj glutenit/gliadinës. Pra kemi antitrupa anti-gluten dhe antitrupa anti-transglutaminansë, të cilët mund të jenë sipas tipit të antitrupave IgA, IgG. Këto antitrupa na tregojnë nëse këta individë janë të prekur nga celiakia. Kjo është metota më e thjeshtë për të evidentuar praninë e kësaj gjendjeje shëndetësore.
Megjithatë, mjekët për të përcaktuar me saktësi maksimale diagnozën e kësaj sëmundjeje kryejnë edhe biopsinë e zorrës së hollë. Duhet pranuar se ky ekzaminim konsiderohet invaziv. Për shembull, sipas udhëzimeve më të fundit të vitit 2020, për diagnoztikimin e sëmundjes së celiakisë te femijet nga Shoqata Evropiane për Hepatologjinë dhe Ushqimin e Gastroenterologjisë Pediatrike (ESPGHAN), kryerja e biopsisë nuk është më pjesë e protokollit pikërisht për këtë arsye.
Krahas testit serologjik dhe biopsisë është e rëndësishme të kryhet edhe testi gjenetik, që vë në dukje genet që predispozojnë këtë gjendje shëndetësore.
Sa e rëndësishme është siguria ushqimore në mbajtjen e një regjimi ushqimor pa gluten?
Është e rëndësishme të permendim se celiakia është e VETMJA sëmundje autoimmune të cilës i njihet faktori nxitës, që është gluteni. Pra pasojat shëndetësore mund të eliminohen duke shmangur glutenin nga produktet ushqimore.
Nuk ekziston asnjë sëmundje deri më tani që mund të trajtohet duke i eliminuar shkakun. Shkaku i sëmundjeve të tjera është shpesh nga autoantigjenë të brendshëm. Ndërsa në rastin e celiakisë kemi një autoimunitet që vjen nga një antigjen nga jashtë. Pra duke shmangur glutenin, duke siguruar një regjim ushqimor sa më rigoroz, 100% pa gluten, këta individë mund bëjnë një jetë shumë të shëndetshme.
Diagnoztikimi i hershëm dhe mbi të gjitha, mbajtja e një regjimi ushqimor të përhershëm dhe shumë strikt 100% pa gluten, janë thelbësore në sigurimin e një jete normale për këta individë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të theksojmë se mjafton një sasi fare e vogël e kësaj proteine, për të nxitur antigjene në krijimin e qelizave që e dëmtojnë zorrën. Kjo është THELBËSORE.
Cili është dallimi ndërmjet ndjeshmërisë, alergjisë dhe intolerancës ndaj glutenit?
Kur flasim per alergji apo hipersensitivitet ndaj glutenit, duhet thënë se këto janë gjendje që nuk kanë natyrë gjenetike. Pra këta individë nuk kanë antitrupa, pra anti-transglutaminansa apo anti-gliadinë, por mund të kenë një gjendje hiperndjeshmërie me natyrë tjetër. Në të tilla rastesh, diagoztikimi i kësaj gjendjeje shëndetësore bëhet disi më i vështirë dhe i takon specialistit përkatës që ta evidentojë. Por kur flasim për celiakinë si sëmundje autoimune që ka praninë e geneve të DQ2 dhe DQ8, të cilat predispozojnë për këtë gjendje shendetësore, vlen të theksohet, se ndonëse ka individë me këto gene të mbartura, vetëm një përqindje e vogël e tyre mund të shfaqin këtë sëmundje. Pra prania e këtyre geneve nuk nënkupton praninë të sëmundjes, por predispozitën gjenetike të saj. Arsyeja e shfaqjes apo mosshfaqjes së celiakisë tek individët që i kanë këto gene lidhet me shumë faktorë të tjerë gjenetikë, pra me praninë apo mungesën e geneve të tjera apo edhe me stilin e jetesës.
Çfarë ndikimi ka vaksina në sistemin imunitar te pacientët me celiaki?
Në valën e pandemisë nga Covid-19, shtrohet me të drejtë pyetja nëse individët me celiaki vihen në rrezik për kryerjen e vaksinës. Patjetër që duhet ta bëjnë dhe nuk kanë asnjë ndryshim nga ata individë që nuk e kanë këtë gjendje shëndetësore. Nuk kanë arsye pse të kenë frikë. Përkundrazi. Ata duhet të mbrohen si gjithë të tjerët përmes vaksinimit.
A është e nevojshme të merren suplemente ushqimore në rastin e ndjeshmërisë ndaj glutenit, dhe nëse po, çfarë suplementesh dhe për sa kohë?
Eshte thelbësore që individët me këtë gjendje shëndetësore të mbajnë një regjim shumë strikt pa gluten. Kjo është JETIKE. Në rast se këta individë sigurojnë një regjim të sigurtë, ata sigurojnë njëherazi shëndet të plotë. Në rast se këta individë kanë pasur shqetësime si diarre apo malabsorbim/kequshqyerje për një kohë të gjatë apo të shkurtër, do të ishte mire që regjimi shumë rigoroz pa gluten të shoqërohej edhe me suplemente.
Sa i rëndesishëm është monitorimi i celiakisë?
Sikurse e përmenda, sigurimi i një regjimi ushqimor 100% pa gluten është thelbësor. Monitorimi i kësaj gjendjeje shëndetësore është shumë i rëndesishëm dhe kryhet përmes testimeve të antitruprave. Reezultati i këtyre antitrupave duhet të jetë negativ, çka tregon se ky individ po mban një regjim ushqimor 100% pa gluten. Pra ky test pasqyron respektimin apo mosrespektimin e këtij regjimi ushqimor.
Gjithashtu, në mbajtjen e këtij regjimi, një rol tepër të rëndësishëm luan disponibiliteti i produkteve ushqimore, që duhet të jenë të sigurta, pra 100% pa gluten NË MËNYRË ABSOLUTE. Sikurse e thashë, mjafton një sasi e vogël gluteni për të stimuluar ato qeliza që dëmtojnë mukozën, duke dhënë pasoja në traktin tretës.
Çfarë rreziqesh ka celiakia?
Në lidhje me rreziqet që mund të ketë celiakia, do të dal përsëri në atë që përmenda më parë, që respektimi i regjimit ushqimor 100% pa gluten, pra ushqime të vërteta është thelbesor, pra përcaktues në cilesinë e jetës së individëve me celiaki. Respektimi i regjimit ushqimor 100% pa gluten, nuk është vetëm një përgjegjësi individuale, por edhe e shoqërisë, e cila duhet të garantojë produkte të vërteta, NË MËNYRË ABSOLUTE, 100 % pa gluten”.