Të paktën 12 persona u vranë në sulme të ndara të SHBA-së dhe Izraelit që shënjestruan zona banimi në Iranin qendror dhe perëndimor sot, transmeton Anadolu.
Televizioni shtetëror iranian raportoi se një sulm i SHBA-së dhe Izraelit shënjestroi fshatin Hizab në provincën Markazi në Iranin qendror, duke goditur një shtëpi banimi dhe duke vrarë gjashtë civilë, ndërsa shtatë të tjerë u plagosën.
Në një incident tjetër, administrata e provincës Ilam njoftoi se një sulm goditi një shtëpi banimi në qytetin Eyvan në Iranin perëndimor, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që shkatërroi ndërtesën.
Ajo tha se gjashtë anëtarë të një familjeje u vranë në sulm, përfshirë edhe një foshnjë 6-muajshe.
Ekipet e shpëtimit po i vazhdojnë operacionet për largimin e rrënojave në vendngjarje në Eyvan, shtoi administrata provinciale.
Që kur Izraeli dhe SHBA-ja nisën sulme të përbashkëta kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë rreth 1.200 persona, përfshirë udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Khamenei, luftimet janë përshkallëzuar.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane.






