Ballina Lajmet Rajon dhe Botë 14 persona, përfshirë 4 fëmijë, të vrarë në sulme izraelite në Libanin...

14 persona, përfshirë 4 fëmijë, të vrarë në sulme izraelite në Libanin jugor

Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi sot se 14 persona, përfshirë katër fëmijë, u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën në tre sulme ajrore të kryera nga Izraeli në jug të Libanit, transmeton Anadolu.

“Në sulmin e kryer në lagjen Rahibat në qytetin Nebatieh në jug të Libanit, u vranë shtatë persona, përfshirë katër fëmijë”, tha ministria në një deklaratë.

Deklarata dha gjithashtu informacion për sulmet që shënjestruan zonën Haret Saida në qytetin Sidon (Saida) dhe zonën Katrani në qytetin Jezzine në jug të Libanit.

Sipas ministrisë, edhe shtatë persona të tjerë u vranë në dy sulmet izraelite në Haret Saida dhe Katrani.

Katër persona humbën jetën në Haret Saida dhe tre në Katrani, ndërsa tetë persona u plagosën në këto sulme.

Gjithashtu, mediat lokale libaneze raportuan se më herët në mëngjes, ushtria izraelite kishte shënjestruar një apartament në zonën Shurahbil të Sidonit.

Ende nuk është dhënë informacion i detajuar për pasojat e atij sulmi.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit kishte njoftuar më parë se 826 persona janë vrarë që nga 2 marsi në sulmet e vazhdueshme izraelite, përfshirë 106 fëmijë dhe 65 gra.