14 vjetori i Pavarësisë, kuadratet e FSK-së sot parakalojnë me Policinë e Kosovës

Sot në 14 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, në kuadër të aktiviteteve festive shtetërore, bëhet edhe parakalimi i kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës së bashku me ato të Policisë së Kosovës.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se parakalimi do të realizohet më 17 shkurt, nga ora 12 deri në ora 13, në Bulevardin “Nëna Terezë” në Prishtinë.

“Me këtë rast, Ministria e Mbrojtjes dhe FSK, ju ftojmë të gjithëve pa dallim, që të merrni pjesë në këtë ngjarje të veçantë, ku prania juaj sa më masive do të bëjë shumë më madhështore Festën tonë të Pavarësisë.

Forca e Sigurisë së Kosovës është e juaja, andaj ejani të festojmë së bashku!”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Në kuadër të shënimit të kësaj dite, janë paraparë një sërë aktivitetesh shtetërore.

Sipas agjendës të dërguar nga Zyra e Kryeministrit, aktivitetet për shënimin e 14 vjetorit të pavarësisë do të nisin qysh në orën 08:00 me ngritjen e flamurit në oborrin e Qeverisë së Kosovës.

Pas kësaj në orën 09:10-09:30 do të vendosen kurora lulesh tek kompleksi “Adem Jashari” në Prekaz. Kurora lulesh do të vendosen edhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi.

Kurse në orën 11:00 do të nis seanca solemne e Kuvendit të Kosovës. Për shënimin e këtij përvjetori do të parakalojë edhe FSK-ja dhe Policia e Kosovës nga ora 12:00 deri në ora 13:00.

Aktivitetet për shënimin e 14 vjetorit të pavarësisë do të mbyllen në orën 20:00 me një koncert që do të mbahen të Kino Armata në Prishtinë.