19 vjeçari ndërron jetë në QKUK, rasti në duart e Inspektoratit

Në Kosovë, dhjetë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, ekziston një sistem shëndetësor me probleme të shumta. Pacientët ankohen për trajtim jo të duhur, mungesë të barnave e materialeve të tjera mjekësore. E institucionet që ofrojnë shërbime emergjente vazhdojnë të jenë të mbingarkuara dhe jo rrallëherë pacientët marrin trajtimin e duhur.

Një 19 vjeçar nga komuna e Drenasit, i operuar nga zorra qorre dy vjet më parë, iu drejtua Qendrës Klinike Universitare të Kosovës këtë muaj. Ai kishte të vjella dhe kërkoi shërbime mjekësore në Klinikën Emergjente.

Sipas familjarëve, Drin Lekut i ishte dhënë një infuzion dhe ishte kthyer prapa pastaj nga mjekët, me arsyetimin se nuk është rast urgjent. Dy ditë më vonë, nga gjendja e rëndë shëndetësore, ai iu drejtua prapë Emergjencës në Prishtinë. Mjekët e morën për trajtim, e operuan, por 19 vjeçari vdiq me datën 8 të këtij muaji në QKUK.

Familjarët rrëfejnë një tmerr të përjetuar në korridoret e spitalit, ku sipas tyre, nuk kanë marrë trajtimin e duhur, dhe se i biri nuk ka mundur të mbijetojë meqë nuk e ka marrë trajtimin mjekësor me kohë.