31 të vdekur nga përplasja në një kishë në Nigeri

Policia nigeriane ka thënë se ka nisur një hetim pasi 31 persona vdiqën në një përplasje në qytetin jugor, Port Harcourt.

Ngjarja ka ndodhur në një fushë sporti në mëngjesin e së shtunës, ku një kishë po shpërndante ushqime për të varfërit, disa prej të cilëve kishin pritur atje gjatë natës.

“Turma u bë e trazuar dhe e pakontrollueshme dhe organizatorët nuk arritën të qetësonin situatën, ka thënë Policia.

Shumë nga ata që vdiqën në përplasje ishin gra dhe fëmijë, shkruan BBC.

Dëshmitarët i thanë agjencisë së lajmeve AFP se kishte shtyrje të furishme dhe disa u shkelën me këmbë kur njerëzit që përpiqeshin të arrinin në hyrje, u detyruan të kthehen.

“Ata po u thoshin njerëzve të ktheheshin”, tha Chisom Nwachukwu. “Disa njerëz që po shtynin nga prapa po shkelnin mbi ata njerëz”.

Në vendin e ngjarjen kanë mbërritur shërbimet e sigurisë dhe emergjencës për të vënë nën kontroll situatën. Disa nga të plagosurit po trajtohen në spitalin ushtarak të Port Harcourt.

Kisha tha se ishte e pikëlluar nga incidenti dhe po rishikonte procedura e saj të sigurisë dhe menaxhimit të turmës.

Ajo filloi bamirësinë vjetore në vitin 2014, por tha se pjesëmarrja e këtij viti ishte e paparashikuar dhe se të pranishmit filluan të mblidheshin përpara se ekipet e sigurisë për ngjarjen të ishin në vend.

Komisioneri i Policisë së shtetit të Riversit, Eboka Friday, u ka bërë thirrje grupeve fetare dhe bamirëse që të sigurohen që të punojnë me policinë për sigurinë dhe kontrollin e turmës në organizimin e programeve të tilla në të ardhmen.

Përveç hetimit të policisë, një komitet qeveritar rajonal do të formohet për të shqyrtuar rrethanat e incidentit të së shtunës, ka thnëë guvernatori i shtetit të Rivers, Nyesom Wike.

Nigeria ka parë disa tragjedi të ngjashme në vitet e fundit, duke përfshirë një program ushqimor të agjencisë së ndihmës në shtetin Borno vitin e kaluar, ku shtatë gra u shkelën për vdekje.

Port Harcourt është qendra kryesore e naftës në Nigeri, por pavarësisht nga pasuria e naftës në vend, rreth 40% e nigerianëve jetojnë nën kufirin e varfërisë. /koha