4 dekada me zemër të transplantuar

Holandezi hyn në librin e rekordeve Guiness për jetëgjatësinë pas transplantit

Katër dekada pasi u diagnostikua me një sëmundje serioze të zemrës dhe iu dha vetëm gjashtë muaj jetë, Bert Janssen ka vendosur një rekord botëror Guinness si pacienti më jetëgjatë me transplant zemre.

Bert Janssen nga Holanda jeton për gati 40 vjet me një zemër donatore, që iu transplantua në spitalin Harefield të Londrës. Në vitin 1984, Holanda nuk kishte kryer ende transplantin e parë të zemrës, kështu që kardiologu Albert Mattart e dërgoi adoleshentin në këtë spital.

“Atëherë nuk dihej se çfarë lloj jete do të kishit pas transplantit të zemrës dhe sa kohë do të jetonit. Sot, jetëgjatësia pas një transplanti vlerësohet ende nga 15 deri në 17 vjet. Për mua, kjo ishte arsyeja kryesore të shkoja në librin e rekordeve Guinness dhe t’u thoja: Hej shikoni, kanë kaluar gati 40 vite. Unë dua të jem shembull për njerëzit që kanë nevojë dhe t’u jap shpresë”.

Pas shfaqjes së simptomave të ngjashme me gripin në moshën 17-vjeçare, Janssen u diagnostikua me kardiomiopati, një trashje e muskujve të zemrës që e pengon atë të pompojë gjak nëpër trup. Ai e kreu operacionin kur ishte vetëm 18 vjeç dhe sot është prova e gjallë  se mund të jetosh një kohë të gjatë  edhe nëse ke kryer një transplant të zemrës.

“Vështirë se e kisha menduar ndonjëherë se do të jetoja kaq gjatë. Çfarë mund të prisja unë në ato kushte. Nuk ma kishte marrë mendja që do të jetoja kaq gjatë. Mundohem ta kthej kohën pas. Dhe sa më shumë e bëj diçka të tillë them me se vete se diçka e tillë nuk është vërtet e mundur.”

57-vjeçari thekson se zemra e re e lejoi atë të kthehej shpejt në një “jetë cilësore”. Ai luante tenis dhe volejboll dhe punonte me orar të plotë dhe thekson gjatë kësaj interviste se nuk u dekurajua nga problemet e tij shëndetësore.

“Jeta mund të jetë ende e bukur. Ajo ka edhe anët e saj të bukura. Një nga anët e bukura është se pavarësisht gjithçkaje, ne kemi dy fëmijë të shëndetshëm. Ata tashmë janë 23 dhe 27 vjeç. Pra, kjo po shkon mirë. Ne e shijojmë atë. Edhe të kesh një familje është e mundur pas një transplanti të zemrës”.

Janssen iu nënshtrua një transplanti të zemrës në Qershor të  vitit 1984. Zemra e tij i përket një të riu i cili fatkeqësisht ndërroi jetë nga një aksident me makinë.

“Ky është një ultratingull mjekësor i zemrës sime të re. Është bërë më 21 qershor 1984, pak para se të largohesha nga spitali për të shkuar në shtëpi.”

57-vjeçari shpjegon se me futjen në rekordin e librave Guinees dëshiron të jetë një rast shprese për të gjithë ata që ndodhen në të njëjtën situatë si ai.

“Një mik më tha se dikush ishte në librin e rekordeve botërore Guinness i cili e kishte zemrën disa vite më pak se unë dhe më pyeti pse nuk isha në të. Unë i thashë: “Pse duhet të jem në atë libër? Nuk e kuptoj dot këtë. Ai u përgjigj: “Ti nuk ke nevojë për të, por unë kam”. Ai tha se unë jam shembull për të. Dhe kjo më bëri të mendoj. Në fund, vendosa  se do të shkoj tek Rekordet Botërore Guinness dhe për t’u thënë atyre se ajo që ishte shkruar në libër nuk ishte e saktë. Unë jam personi më jetëgjatë dhe doja të isha një shembull pozitiv për njerëzit e tjerë.”

Transplanti i zemrës është një ndërhyrje e vështirë kirurgjikale, por ajo çfarë e bën akoma për personat që vuajnë nga problemet me zemrën është gjetja e donatorëve të këtij organi.

“Kjo është shumë e veçantë, edhe në ato ditë, por ende në ditët e sotme nuk është aq e lehtë të marrësh një zemër. Në Holandë, ne kemi rreth 158 njerëz që presin për një transplantim zemre, dhe kur jeni në listën e pritjes, rreth 15 përqindja  e tyre nuk ia dalin dot të marrin zemrën e dhuruesit. Pra, kjo është një luftë mjaft e vështirë. Dhe edhe kur merrni, merrni zemrën e dhuruesit, shkalla e mbijetesës është e vështirë. Në fillim ishte rreth 12 vjet, tani është rreth 16 vjet”.

Ndërsa ai është në formë dhe i shëndetshëm, mjekimi i tij për zemrën  ka efekte anësore dhe vitet e fundit i është dashur të ngadalësojë ritmin.

Jetëgjatësia mesatare për pacientët e zemrës pas një transplanti është 16 vjet, sipas kardiologut aktual të Janssen, Casper Eurlings i cili i nxit personat që kanë kryer transplant zemre të ndjekin një stil të shëndetshëm jetese.

“Duhet të ruani një mënyrë jetese të shëndetshme dhe të jeni aktiv. Kështu bëri edhe z. Janssen. Kishte një përvojë pune për një kohë të gjatë, një karrierë të gjatë. Ai po ja del më së miri  dhe kjo është vërtet e jashtëzakonshme. Ai krijoi një familje me dy fëmijë të shëndetshëm, dhe kjo është vërtet e veçantë  kur kthehesh  pas në  kohë, pra  kur ai ishte një  i ri 17 vjeçar që  nuk kishte asnjë shans për të mbijetuar, dhe më pas ai pati këtë. Pra, kjo është vërtet një histori e bukur.”

Janssen-it ka jetuar 39 vjet e 100 ditë pas marrjes së transplantit. Sipas librit të rekordeve Guiness , Rekordi i mëparshëm ishte 34 vjet e 359 ditë i vendosur nga kanadezi Harold Sokyrka në vitin 2021.