Të paktën katër persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të rënda në Kentucky, pasi reshjet e pandërprera të shiut përmbytën pjesë të këtij shteti jugor amerikan, duke çuar qw guvernatori Andy Beshear të shpallë gjendje të jashtëzakonshme, transmeton Anadolu.
Beshear në rrjetin social amerikan X njoftoi se tre nga viktimat u regjistruan në qarkun Madison dhe një në qarkun Jackson.
Sipas ABC News, Beshear shpalli gjendje të jashtëzakonshme dje, pasi gjatë natës priteshin reshje të tjera të dendura.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, më shumë se 15 centimetra shi kanë rënë tashmë në disa pjesë të Kentuckyt.
“Ky është një episod serioz përmbytjesh, ku ekipet tashmë kanë kryer disa operacione shpëtimi nga automjetet dhe shtëpitë në të gjithë shtetin”, tha Beshear.
Sipas mjekut ligjor të qarkut Madison, dy prej viktimave në këtë qark, një burrë dhe një grua, humbën jetën në një banesë në Richmond.
Viktima e tretë në qark ishte një burrë që u mor nga rrjedha e ujit së bashku me automjetin e tij në rrugën Tates Creek.
Shërbimi Kombëtar i Motit lëshoi gjithashtu paralajmërime për përmbytje të menjëhershme në pjesë të Kentuckyt dhe Indianës, duke raportuar se në disa zona të Indianës jugperëndimore kanë rënë nga 10 deri në 25 centimetra shi, ndërsa reshje të tjera mbeten të mundshme.




