Tri vendet pjesëmarrëse në procesin e Astanës, Türkiye, Rusia dhe Irani, së bashku me pesë shtete arabe, kanë bërë thirrje për nisjen e një procesi politik në Siri bazuar në Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, transmeton Anadolu.
Thirrja erdhi në një deklaratë të përbashkët të lëshuar pas një takimi në Doha, Katar, ku morën pjesë ministrat e jashtëm të Egjiptit, Arabisë Saudite, Irakut, Jordanisë dhe Katarit. Procesi i Astanës u përfaqësua nga ministrat e jashtëm të Türkiyes dhe Iranit, së bashku me një përfaqësues nga Rusia.
Sipas deklaratës së publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve e Katarit QNA, të pranishmit kanë pohuar se kriza siriane “përbën një zhvillim të rrezikshëm për sigurinë e vendit dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, që kërkon nga të gjitha palët të kërkojnë një zgjidhje politike për krizën siriane, që çon në përfundimin e operacioneve ushtarake dhe mbrojtjen e civilëve nga pasojat e kësaj krize”.
Të pranishmit “ranë dakord mbi rëndësinë e forcimit të përpjekjeve të përbashkëta ndërkombëtare për të rritur ndihmën humanitare për popullin sirian dhe sigurimin e aksesit të tij të qëndrueshëm dhe të papenguar në të gjitha zonat e prekura”, thuhet në deklaratë.
Ata kanë theksuar nevojën “për të ndaluar operacionet ushtarake në përgatitje për nisjen e një procesi politik gjithëpërfshirës, bazuar në Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit”.
Ky proces politik, thuhet në deklaratë, duhet “t’i japë fund përshkallëzimit ushtarak që çon në derdhjen e më shumë gjaku të pafajshëm dhe të pambrojtur dhe në zgjatjen e krizës, dhe të ruajë unitetin, sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Sirisë, të mbrojë nga rrëshqitja në kaos dhe terrorizëm dhe të sigurojë kthimin vullnetar të refugjatëve dhe të zhvendosurve”.
Pjesëmarrësit kanë nënvizuar gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të konsultimit dhe koordinimit të ngushtë mes tyre për të kontribuuar efektivisht në gjetjen e një zgjidhjeje paqësore të krizës siriane, në një mënyrë që të arrihen aspiratat e popullit sirian për siguri, stabilitet dhe drejtësi, si dhe për të rritur përpjekjet që synojnë konsolidimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon”.
Ata kanë pohuar mbështetjen e tyre për përpjekjet e OKB-së për të arritur një zgjidhje politike të krizës siriane bazuar në Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit.
Rezoluta 2254 e vitit 2015 bën thirrje për një proces politik të udhëhequr nga Siria me lehtësimin e Kombeve të Bashkuara, duke krijuar një qeveri të besueshme, gjithëpërfshirëse, josektare dhe duke vendosur një afat kohor dhe një proces për hartimin e një kushtetute të re.
Presidenti sirian Bashar al-Asad është larguar nga Siria në vend të panjohur pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e kryeqytetit Damask herët të dielën, duke shënuar rënien e regjimit të Partisë Baath, i cili kishte qenë në pushtet në Siri që nga viti 1963.







