Të paktën 80.865 raste të kthimeve të paligjshme u regjistruan në kufijtë e jashtëm të Evropës gjatë vitit 2025, sipas një raporti të publikuar nga një koalicion organizatash ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë organizatën 11.11.11 me bazë në Bruksel, transmeton Anadolu.
Sipas raportit, kthimet e paligjshme përfshijnë kthimin me forcë të migrantëve përtej kufijve pa u dhënë qasje në procedurat e azilit, shpesh të shoqëruara me dhunë.
“Na hodhën në lumë në tre të mëngjesit”, tha një i ri egjiptian që i mbijetoi një kthimi të paligjshëm përgjatë rrugës ballkanike.
Ai udhëtonte me 40 persona të tjerë, përfshirë 12 të mitur dhe përshkroi se si ishin rrahur dhe zhveshur para se të detyroheshin të hynin në një lumë në kufirin me Bosnjë e Hercegovinën.
“Këto praktika janë plotësisht të paligjshme sipas ligjit evropian dhe Konventës së OKB-së për Refugjatët”, thuhet në raport, duke theksuar se kthimet e paligjshme shkelin parimin e moskthimit, i cili ndalon kthimin e individëve pa vlerësimin e nevojave të tyre për mbrojtje.
Raporti thekson se kthimet e paligjshme përbëjnë një “politikë sistematike” dhe jo incidente të izoluara.
Në janar të vitit 2025, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut konfirmoi se kthimet e paligjshme në Greqi nuk ishin raste të izoluara, por pjesë e një qasjeje sistematike.
Megjithatë, raportimet për dhunë, përfshirë incidente vdekjeprurëse në det, vazhduan.
Më herët këtë muaj, 15 persona humbën jetën pasi varka e tyre dyshohet se u përplas me rojën bregdetare greke, ndërsa të mbijetuarit pretenduan se mjeti ishte bllokuar qëllimisht për të mos arritur në breg.
Edhe Bullgaria është përmendur në lidhje me kthimet e paligjshme vdekjeprurëse.
Grupet e të drejtave të njeriut theksojnë se rastet e regjistruara mund të nënvlerësojnë përmasat reale të problemit, pasi shumë incidente ndodhin në zona të largëta kufitare ose në det.
Flor Didden, eksperte e politikave të migracionit në 11.11.11, tha se autoritetet evropiane nuk kanë treguar të njëjtin shqyrtim ndaj kthimeve të paligjshme si ndaj operacioneve të Agjencisë Amerikane për Imigracionin dhe Doganat (ICE).
“Ku është e njëjta qartësi morale kur autoritetet kufitare evropiane abuzojnë, grabisin dhe i lënë njerëzit të vdesin”, u shpreh Didden.
Raporti u bën thirrje autoriteteve evropiane t’i japin fund kthimeve të paligjshme, të sigurojnë qasje në procedurat e azilit dhe të garantojnë sigurinë dhe të drejtat e njeriut për të gjithë migrantët.




