90 organizata në Francë thirrje për marshe protestuese pas vrasjes së adoleshentit nga policia

Nëntëdhjetë organizata franceze bënë thirrje sot për marshe më 8 korrik për të “shprehur zi dhe zemërim” për vrasjen e fundit të një adoleshenti migrant nga policia, transmeton Anadolu.

Organizatat, duke përfshirë sindikatat e krahut të majtë, grupet e të drejtave, “Amnesty International” dhe “Greenpeace”, thanë se kërkojnë që qeveria të marrë përgjegjësinë dhe të japë zgjidhje të menjëhershme për t’i dhënë fund konfrontimit.

Ata kërkuan gjithashtu “një reformë të thellë të policisë, të teknikave të ndërhyrjes dhe armatimit të saj”.

Ligji i prezantuar në vitin 2017 që relaksoi rregullat për përdorimin e armëve të zjarrit nga policia duhet të shfuqizohet, thanë ata.

Duke theksuar racizmin sistematik që përshkon gjithë shoqërinë, organizatat denoncuan gjithashtu “politikat diskriminuese” ndaj lagjeve të klasës punëtore.

Javën e kaluar në Francë nisën protesta të dhunshme pasi një oficer policie qëlloi për vdekje Nahel M., 17 vjeç, me origjinë algjeriane, gjatë një kontrolli trafiku në periferinë Nanterre të Parisit, pasi ai dyshohet se injoroi urdhrat për të ndaluar.

Oficeri që qëlloi të riun për vdekje përballet me një hetim zyrtar për vrasje me dashje dhe është vendosur në paraburgim.

Protestat nisën në Nanterre dhe u përhapën shpejt në qytete të tjera, si Lyon, Toulouse, Lille dhe Marseille.