Ngërçi në Islamabad dhe “ftohja” e madhe amerikane Trump-Bibi, diktuar nga opinioni publik
Zhvillimet e fundit rreth konfliktit në Lindjen e Mesme sugjerojnë një ndryshim tektonik në dinamikën e fuqisë globale.
Shtyrja e papritur e armëpushimit nga presidenti Donald Trump, pasi Teherani refuzoi të paraqitej në tavolinën e bisedimeve në Islamabad, shënon një moment ku fuqia botërore duket se po ndjek ritmin e kundërshtarit.
Kjo nuk është thjesht një pauzë taktike, por një shenjë e qartë se Teherani, pavarësisht goditjeve, po dikton aktualisht rregullat e lojës diplomatike, duke e lënë Uashingtonin në pritje të një “propozimi të unifikuar”.
Refuzimi iranian për të dërguar një delegacion në Pakistan është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj strategjisë së “diplomacisë shtrënguese” të Trumpit. Ndërsa zëvendëspresidenti J.D. Vance mbeti me “valixhe gati”, i paralizuar nga mungesa e një përgjigjeje pozitive, Irani tregoi se nuk është i gatshëm të negociojë nën thundrën e bllokadës detare.
Ky qëndrim e ka detyruar Shtëpinë e Bardhë të tërhiqet nga ultimatumet e mëparshme, duke e shtyrë “Armagedonin” pa një afat të përcaktuar, çka dëmton rëndë besueshmërinë e kërcënimit ushtarak amerikan.
Nga ana tjetër, ngurrimi i Trump për të rifilluar bombardimet tregon se ai është i vetëdijshëm për koston e një përshkallëzimi total.
Edhe pse retorika e tij mbetet agresive, fakti që ai pranoi kërkesën e ndërmjetësve pakistanezë për të pezulluar sulmet, dëshmon se prioriteti i tij është shmangia e një lufte që do të rrëzonte tregjet dhe do të rriste jopopullaritetin e tij.
Kjo çarje në pozicionin amerikan po shfrytëzohet mjeshtërisht nga fraksionet radikale në Teheran, të cilët e shohin hezitimin e Trumpit si një mundësi për të fituar lëshime pa dhënë asgjë në këmbim.
Trump, që e cilëson veten si “mjeshtër të marrëveshjeve”, po përballet me një kundërshtar që ka kuptuar se koha dhe rezistenca në Ngushticën e Hormuzit janë asete më të fuqishme se kërcënimet në rrjetet sociale. Ky ngërç nuk është thjesht ushtarak; është një dështim i projektimit të fuqisë që po detyron SHBA-në të rishikojë edhe aleancat e saj më të ngushta.
Pse Amerika po e humb “dashurinë” për Izraelin?
Sipas një analize të thelluar të Financial Times, ky ndryshim i kursit me Iranin shoqërohet me një ftohje të dukshme ndaj Izraelit. FT vëren se “ndryshimi në ndjesinë amerikane është i thellë”, duke theksuar se brezat e rinj nuk ushqejnë më të njëjtën simpati si paraardhësit e tyre.
Ky fenomen po krijon një hendek mes nevojave të Netanyahut për luftë dhe dëshirës së Trumpit për të mbyllur kapitullin “Epic Fury”. Analiza nënvizon se “në një moment Trump do të bëjë një marrëveshje me regjimin e Iranit për t’i dhënë fund luftës”, një lëvizje që do ta vendoste atë në kurs përplasjeje me Tel Avivin.
Amerikanët po bëhen gjithnjë e më të ndërgjegjshëm për ndikimin e Netanyahut në nxitjen e konfliktit, dhe kjo po përkthehet në një presion politik brenda SHBA-së për t’u distancuar nga militarizmi izraelit.
FT argumenton se instinkti i mbijetesës politike do të mbizotërojë mbi aleancat historike. “Instinkti i vetëruajtjes së Trumpit, do ta ndalojë atë të rrezikojë viktima masive amerikane”- shkruan gazeta, duke lënë të kuptohet se kohës kur Izraeli mund të diktonte politikën e jashtme amerikane në Lindjen e Mesme po i vjen fundi. /tesheshi





