A është një ide e mirë instalimi i Windows 11 në një kompjuter të pambështetur?

Me shumë gjasa do të duhet të përditësoni manualisht sistemin operativ dhe driverat. Kështu qëndrimi me Windows 10-ën do të ishte opsioni më i mirë për një kompjuter.

Windows 11 është një sistem operativ i ri i cili është pritur mirë nga shumë ndjekës të Microsoft, por diçka që ka cenuar entuziazmin rreth këtij sistemi operativ është pamundësia për ta instaluar në çdo kompjuter.

Megjithatë përdoruesit mund ta bëjnë këtë në mënyrë të “paligjshme” edhe në kompjuterët e vjetër duke anashkaluar kontrollin e harduerit.

Por a është një ide e mirë të anashkalohen kontrollet e vendosura nga Microsoft? Çfarë ndodh nëse nuk ndjekim procedurat standarde?
Problemi i papajtueshmërisë së Windows 11

Problemet filluan kur Microsoft lëshoi një mjet për të analizuar kompjuterin e përdoruesve nëse instalimi i Windows 11 është i mundur në të.

Shumë përdorues shkarkuan mjetin në mënyrë që të provonin Windows 11, për tu përballur më pas me një mesazh gabimi se kompjuteri i tyre nuk është mjaftueshëm i mirë për sistemin operativ.

Njerëzit u hutuan ndërsa Microsoft refuzoi edhe kompjuterët e fuqishëm gaming duke i konsideruar të paaftë të kenë Windows 11. Në të vërtetë Microsoft nuk kërkon nëse kompjuteri juaj ka harduerë të fuqishëm ose jo, por sa i ri është.

Kjo sepse procesorët modernë kanë masa sigurie të integruara që Microsoft dëshiron ti përdorë në Windows 11. Kështu nëse procesori i kompjuterit tuaj nuk është i viteve të fundit dhe përpiqeni të instaloni Windows 11-ën, do të ballafaqoheni me një mesazh që thotë se hardueri është tepër i vjetër.

Por sa i fundit duhet të jetë kompjuteri? Microsoft thotë se Windows 11-ta funksionon me procesorë Intel të gjeneratës së 8-të dhe më të fundit. Çdo kompjuter tjetër me harduerë më të vjetër sesa gjenerata e 8-të nuk mjafton pavarësisht sa i fuqishëm mund të jetë.

A është në rregull instalimi i Windows 11-ës në një kompjuter me procesor të vjetër?

Nisur nga rekomandimet e Microsoft, ne nuk sugjerojmë instalimin e Windows 11-ës në një kompjuter të papajtueshëm.

Për të pasur eksperiencën e plotë të Windows 11-ës dhe për të mos hasur në probleme në të ardhmen, rekomandohet shmangia e instalimit të Windows 11—ës në një kompjuter të tillë.

Me shumë gjasa do të duhet të përditësoni manualisht sistemin operativ dhe driverat. Kështu qëndrimi me Windows 10-ën do të ishte opsioni më i mirë për një kompjuter.

Mungesa e mbështetjes e bën dhimbje koke mbajtjen e sistemit operativ të përditësuar. /PCWorld Albanian