A është veganizmi i sigurt për fëmijët? Ja çfarë thonë ekspertët

Ndërsa dieta vegane po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet në mbarë botën, një pyetje mbetet e hapur: A është e sigurt kjo mënyrë të ushqyeri për fëmijët? Ekspertët janë të ndarë, dhe studimet e fundit hedhin dritë mbi përfitimet, por edhe rreziqet e mundshme të veganizmit në fëmijëri.

Veganizmi në rritje, por i diskutueshëm tek të vegjlit

Sipas Shoqatës Vegane në Mbretërinë e Bashkuar, rreth 3% e popullsisë ndjek një dietë me bazë bimore. Megjithatë, ndryshe nga të rriturit, tek fëmijët kjo qasje ushqyese kërkon vëmendje të veçantë dhe planifikim rigoroz për të shmangur mangësitë.

Përfitime të qarta për zemrën dhe shëndetin metabolik

Sipas dr. Federica Amati nga Imperial College London, një dietë vegane e planifikuar mirë mund të përmirësojë shëndetin kardiovaskular, të reduktojë kolesterolin dhe të ulë rrezikun për sëmundje kronike si diabeti tip 2. Bimët janë të pasura me fibra dhe antioksidantë si polifenolet, përbërës që lidhen me uljen e inflamacionit dhe përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme.Vitamina B12 dhe rreziqet për zhvillimin e trurit

Megjithatë, mungesa e vitaminës B12, e cila gjendet kryesisht në produktet shtazore, mbetet një shqetësim i madh, veçanërisht për fëmijët në faza kritike të zhvillimit. Në disa raste të izoluara, mungesa e B12 është shoqëruar me probleme neurologjike serioze tek foshnjat e ushqyera vetëm me gji nga nëna vegane që nuk kishin marrë suplemente.

Omega-3, kalciumi dhe vitamina D: pika të tjera të dobëta

Po ashtu, mungesat në omega-3 (EPA dhe DHA), kalcium, vitaminë D dhe hekur mund të ndikojnë në zhvillimin e kockave dhe funksionet mendore. Një studim në Poloni (2021) zbuloi se fëmijët veganë kishin dendësi më të ulët minerale në kocka, ishin mesatarisht më të shkurtër dhe kishin më shumë risk për mangësi ushqimore, pavarësisht marrjes së disa suplementeve.

Përfundimi: e mundur, por jo pa rrezik

Sipas dietologëve, një të vegane për fëmijët mund të jetë e sigurt dhe e shëndetshme, por kërkon ndjekje të kujdesshme, suplemente të rregullta dhe konsultime me specialistë të ushqyerjes. Prindërit duhet të informohen mirë, të shmangin ushqimet ultra të përpunuara dhe të sigurojnë që fëmijët marrin sasinë e duhur të proteinave dhe mikronutrientëve përmes kombinimeve të përshtatshme ushqimore.