Ballina Lajmet Rajon dhe Botë A na spiunojnë televizorët Smart TV?

A na spiunojnë televizorët Smart TV?

Disa tv mund të regjistrojnë biseda dhe të analizojnë atë që shohim në ekran

A do të shikonit një video më shumë se dy orë që shpjegon se si funksionojnë televizorët Smart TV? Videoja e publikuar shtatorin e kaluar nga kanali YouTube Gamers Nexus është parë më shumë se 8.5 milionë herë.

Arsyeja është se ajo tregon në mënyrë të hollësishme se si disa televizorë të kompanisë koreano-jugore LG mund të regjistrojnë përdoruesit e tyre, madje edhe kur pajisja ndodhet në gjendje gatishmërie (stand-by).

Investigimi ka tërhequr vëmendje të madhe gjatë javëve të fundit, duke nxitur edhe media të tjera të shqyrtojnë mënyrën se si prodhuesit mbledhin dhe përdorin të dhënat personale.

Sipas Federprivacy, një shoqatë italiane për mbrojtjen e privatësisë, shqetësimet nuk lidhen vetëm me një markë të caktuar. Televizorët inteligjentë duhet të konsiderohen pajisje që kërkojnë vëmendje të veçantë për sigurinë e të dhënave.

Në videon e Gamers Nexus, tregohet se regjistrimet e kryera nga televizorët LG ruhen në mënyrë të pasigurt. Autorët arritën t’i aksesojnë ato duke shfrytëzuar disa dobësi të sistemit.

Sipas tyre, televizorët mund të analizojnë edhe rrjetet Wi-Fi me të cilat janë lidhur, duke mbledhur informacione për pajisjet e tjera që përdorin të njëjtin rrjet.

Në përgjigje të investigimit, LG deklaroi se televizorët e saj nuk i regjistrojnë vazhdimisht përdoruesit, por vetëm kur aktivizohet funksioni i njohjes së zërit.

Megjithatë, sipas Gamers Nexus, disa regjistrime ruhen shumë më gjatë nga sa do të ishte e nevojshme. Mbledhja e të dhënave nga televizorët inteligjentë nuk është një praktikë e re.

Shumë prej tyre përdorin teknologjinë Automatic Content Recognition (ACR), e cila analizon dhe identifikon përmbajtjen që shohin përdoruesit. Qëllimi është krijimi i profileve të interesave dhe zakoneve të tyre, për t’u shfaqur reklama të përshtatura sipas preferencave personale.

Me ardhjen e Smart TV, modeli i biznesit të prodhuesve ka ndryshuar. Kompanitë nuk mbështeten më vetëm te shitja e televizorëve, por përfitojnë gjithnjë e më shumë nga mbledhja e të dhënave dhe shitja e hapësirave publicitare.

Për shembull LG dhe Samsung, shfaqin reklama në ekranin kryesor dhe në menutë e televizorëve, duke përdorur edhe informacionin e mbledhur përmes ACR.

Sipas LG-së, teknologjia ACR nuk përdor mikrofonat për të monitoruar përdoruesit, por shfrytëzon të dhënat e rrjetit Wi-Fi për të përcaktuar përafërsisht vendndodhjen e televizorit.

Ndërkohë, Samsung është akuzuar së fundmi se mbledh të dhëna mbi zakonet e përdoruesve edhe nga televizorët ku funksioni ACR është çaktivizuar. Në parim, ky sistem duhet të aktivizohet vetëm me pëlqimin e përdoruesit.

Megjithatë, siç vëren platforma Agenda Digitale, prodhuesit shpesh e përfshijnë autorizimin për monitorimin e përmbajtjes brenda kushteve të përgjithshme të përdorimit.

Në disa raste përdoren edhe të ashtuquajturat dark patterns, elemente grafike që i shtyjnë njerëzit të pranojnë të gjitha kushtet, pa i shqyrtuar veçmas.

Në Bashkimin Evropian, ku zbatohet Rregullorja për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR), përdoruesit kanë të drejtë t’i çaktivizojnë këto funksione në çdo moment.

Por gjetja e opsioneve përkatëse në menutë e televizorëve nuk është gjithmonë e lehtë. Aktivizimi i mikrofonit dhe komandave zanore gjithashtu mund të fshihet mes kushteve të përgjithshme, duke bërë që përdoruesit të mos kuptojnë se kanë autorizuar televizorin t’i dëgjojë.

“Nëse shqetësoheni për privatësinë tuaj, mos përdorni kontrollin zanor”, këshillon John Higgins, recensues televizorësh për The Verge.

Përveç rrezikut për privatësinë, modeli i biznesit i bazuar te reklamat ka përkeqësuar edhe përvojën e përdoruesve. Televizorët janë mbushur me reklama, banera dhe aplikacione të panevojshme të instaluara paraprakisht, një fenomen i njohur si bloatware.

Për këtë arsye, disa përdorues kanë filluar të përdorin inteligjencën artificiale për t’i kthyer televizorët në pajisje më të thjeshta.

Një përdorues i platformës X tregoi se, me ndihmën e Claude Code, arriti të hiqte disa programe të instaluara nga Xiaomi në televizorin e prindërve të tij, duke eliminuar edhe reklamat që shfaqeshin përpara hapjes së Netflix.

Projekte të ngjashme janë publikuar edhe në GitHub, kryesisht për televizorët me sistem operativ Android. Popullariteti i kësaj praktike ka qenë aq i madh, saqë Anthropic dhe OpenAI kanë bllokuar disa kërkesa për analizimin e kodeve të televizorëve, duke përmendur arsye sigurie. /tesheshi