A po e adhurojmë Erdoganin?

Eduart Thartori

Kjo pyetje na vjen në mendje të gjithëve, pas kaq shumë ditësh që po e përmendim emrin e tij vazhdimisht.
Nëse do të kishte ndonjë, që do të meritonte adhurimin përvec Allahut të Madhëruar, ai do të ishte Muhamedi a.s, i dashuri i Allahut.
Por as ai, nuk e meriton të adhurohet. Sepse i Vetmi që e meriton adhurimin është vetëm Allahu, Zoti i gjithësisë.
Gjithsesi ne që e duam Erdoganin, a mendoni se e duam se është Erdogani, i forti, i mencuri dhe i miri? Jo. Sigurisht që jo. Ka edhe më të mencur edhe më të fortë edhe më të mirë se ai.
Por ne duam Rrugën e Erdoganit. Ajo është një rrugë që –flas nga përvoja personale- e kam besuar, para se ta njoh Erdoganin. E kam njohur që kur kam qenë 15 vjec kur shkova në Xhami për herë të parë. E kam njohur nga disa njerëz të mencur-një pjesë nuk jetojnë më- që na mësuan: la sharkia la garbia, islamia, islamia!
Këto fjalë ishin pa kuptim për ne, atëherë. Por me kalimin e kohës u bënë shenjat e rrugës, së cilës i besova. Ato kanë kuptimin: as lindja as perëndimi. islami dhe vetëm islami..
Sot më shumë se kurrë këto shenja po na orientojnë në rrugën tonë, plot kurthe dhe sfida. Sot kur politikat janë aq të pista, sa nuk ke më kujt ti besosh. As Amerikës, as Rusisë, as Europës, as Kinës. Prandaj zgjodha të eci me dashni duke i thënë vetes: jo more as perëndimi, as lindja, islami dhe vetëm islami.

Le të kthehemi tek Erdogan:

Në fakt Erdogan, është një Kauzë së cilës i kemi besuar. Pas tij është një Umet i tërë që ecën në këtë rrugë. Jam unë, je ti, janë dy miliardë njerëz, që i plas zemra vec për të qenë në këtë rrugë të drejtë të Islamit.
Erdogan është një vdekatar, si unë e si ti. Edhe ai ka gabimet e veta, ashtu si ne. Edhe ai është një rrugëtar, në këtë rrugë që ecim të gjithë ne si Muslimanë.
Pas Erdogan është sistem, është kauzë, është një karvan i gjatë që ecën prej 100 vjetësh. Shumë kanë dhënë jetën në këtë rrugë e shumë të tjerë e shpresojnë këtë.
Nuk ka rëndësi nëse jemi të parët, apo të fundit në këtë rrugë. Mjafton që jemi në këtë rrugë dhe lusim Allahun të vazhdojmë deri në fund, të ecim vetëm në këtë rrugë.
Sepse e rëndësishme nuk është Erdogan, as unë as ti. Por rruga është e rëndësishme.

Nga: Eduart Hekuran Thartori