Ballina Lajmet Rajon dhe Botë A po e blejnë Emiratet postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB?

A po e blejnë Emiratet postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB?

Abu Dhabi, lidhje të fuqishme ekonomike me pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit

Këshilli i Sigurimit i OKB, pritet të zhvillojë sot një tjetër votim paraprak për tetë kandidatët që synojnë të pasojnë Antonio Guterresin, mandati i të cilit përfundon më 31 dhjetor.

Ky proces zhvillohet përmes një votimi informal dhe anonim, në të cilin anëtarët shprehin nëse e mbështesin, e kundërshtojnë apo nuk kanë qëndrim për një kandidat.

Vëmendja kryesore është përqendruar te Lana Nusseibeh, diplomate me përvojë e Emirateve, kandidatura e së cilës është shoqëruar me polemika për shkak të rolit të Abu Dhabit në luftën civile në Sudan.

Emiratet akuzohen se kanë furnizuar me armë dhe mbështetje të tjera Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), grupin paramilitar që është përgjegjës për masakra të rënda ndaj civilëve.

Hetuesit e OKB-së kanë konstatuar se disa prej këtyre krimeve mbartin shenja të gjenocidit. Abu Dhabi i ka mohuar vazhdimisht akuzat, ndërsa Nusseibeh ka kundërshtuar publikisht raportimet për përfshirjen e vendit të saj.

Pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Kina dhe Rusia, janë të vetmet vende që mund të përdorin veton për të bllokuar një kandidaturë.

Megjithatë, burime diplomatike i kanë thënë Middle East Eye se Nusseibeh gëzon aktualisht mbështetjen e të pesë këtyre fuqive. Dhe një prej instrumenteve kryesore të ndikimit të Emirateve është pesha e investimeve ekonomike.

Britania dhe Franca

Britania është një aleate historike e Emirateve, ndërsa gjatë dy dekadave të fundit Abu Dhabi është shndërruar në një investitor të rëndësishëm në ekonominë britanike.

Përmes partneritetit të investimeve sovrane, Emiratet kanë angazhuar rreth 30 miliardë dollarë për periudhën 2021-2026.

Megjithatë, marrëdhëniet janë tensionuar për shkak të çështjes së Manchester City-t, klubit në pronësi të sheikut Mansour bin Zayed.

Në shtator, klubi u shpall fajtor për shkeljen e 114 rregullave financiare të Premier League, lidhur me fshehjen e më shumë se 830 milionë paundëve në financime të paligjshme. Vendimi është apeluar nga klubi.

Sipas burimeve të cituara nga MEE, Londra po anon drejt mbështetjes së Nusseibeh, edhe për të ruajtur marrëdhëniet me Abu Dhabin dhe për të mos rrezikuar investimet e ardhshme, përfshirë projektin e një korridori ekonomik mes Oksfordit dhe Kembrixhit.

Ndërkohë, tregtia mes Emirateve dhe Francës arriti në 10.8 miliardë euro gjatë vitit 2025. Parisi ka siguruar gjithashtu investime emiratase në teknologjinë hapësinore dhe inteligjencën artificiale, ndërsa të dy vendet kanë zgjeruar bashkëpunimin ushtarak.

Në tetor u nënshkrua një marrëveshje prej 16 miliardë eurosh për bashkëpunimin rreth avionëve luftarakë Rafale F5.

Rusia, SHBA-ja dhe Kina

Emiratet kanë ruajtur gjithashtu marrëdhënie të ngushta ekonomike me Moskën, pavarësisht luftës në Ukrainë. Tregtia dypalëshe jashtë sektorit të naftës arriti në 20.4 miliardë dollarë në vitin 2025, me një rritje prej 77.7 për qind krahasuar me vitin paraardhës.

Vladimir Putin i ka cilësuar Emiratet si një prej partnerëve kryesorë tregtarë të Rusisë në botën arabe.Në anën tjetër, Abu Dhabi ka ruajtur marrëdhënie të privilegjuara me Uashingtonin.

Në mars 2025, Emiratet u angazhuan të investonin 1.4 trilionë dollarë në SHBA gjatë dhjetë viteve të ardhshme, veçanërisht në inteligjencën artificiale, gjysmëpërçuesit, energjinë dhe industrinë prodhuese.

Marrëdhëniet me administratën Trump, janë forcuar edhe përmes marrëveshjeve të teknologjisë dhe investimeve.

Sipas raportimeve, një investitor emiratës me lidhje mbretërore kishte derdhur 500 milionë dollarë në biznesin e kriptomonedhave të familjes Trump, përpara se Uashingtoni t’u jepte Emirateve qasje të veçantë në çipa kompjuterikë të avancuar.

Ndërkohë, Kina është partneri më i madh tregtar i Emirateve. Tregtia dypalëshe jashtë sektorit të naftës kaloi 111 miliardë dollarë vitin e kaluar. Rreth 60 për qind e tregtisë kineze me Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut rishpërndahet përmes porteve emiratase.

Megjithatë, kandidatura e Nusseibeh po përballet me kundërshtime. Gjashtëdhjetë e gjashtë deputetë britanikë, nga parti të ndryshme politike, i kanë kërkuar qeverisë së tyre të përdorë veton për ta bllokuar atë, duke përmendur akuzat për mbështetjen e RSF-së në Sudan.

Një raport konfidencial i Panelit të Ekspertëve të OKB-së, i siguruar nga MEE, pretendon se Emiratet kanë punësuar mercenarë kolumbianë për të luftuar në radhët e RSF-së dhe kanë furnizuar këtë grup përmes rrjeteve që kalojnë nga Libia, Çadi, Etiopia dhe rajonet somaleze të Puntlandit dhe Somalilandit.

Nëse zgjidhet, 48-vjeçarja Nusseibeh do të bëhej gruaja e parë në krye të OKB-së dhe sekretarja e dytë e përgjithshme arabe, pas egjiptianit Boutros Boutros-Ghali. /tesheshi