A po paralajmërohet vaksinimi i “dhunshëm” kundër sëmundjes Kovid 19?

Hamdi Nuhiju

Hamdi Nuhiju

Disa ditë me radhë në medie po qarkullon informacioni i përhapur nga ministri i shëndetësisë të qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipce, se personat të cilët nuk do të pranojnë të vaksinohen me vaksinat kundër Kovid 19 do të kufizohen thuajse në tërësi në jetën publike. Përveç kësaj, këto persona kërcënohen edhe për mostrajtim shëndetësor për sëmundjen e Kovid 19, por pa u specifikuar edhe për sëmundjet tjera?!

Është e habitshme kjo qasje e ministrit, Venko Filipce dhe kjo heshtje që ka kapluar njerëzit që jetojnë dhe veprojnë në këtë shtet. Ky narracion i ndërtuar në mënyrë mediatike dhe i nxitur politikisht nga ana e ministrit të shëndetësisë, po i frymëzon me material zërat konspiracionit kundër sëmundjes Kovid 19.

Titulli i këtij reflektimi në brendi e ka termin dhunë me thonjëza duke nënkuptuar vullnetin e lirë që kanë pasur deri më tani qytetarët për t`u paraqitur për vaksinim. Po ky proces siç duket nuk është i brendshëm dhe i vetëm i ministrit, Venko Filipce por ka ardhur me insistimin e qendrave ndërkombëtare të tilla të cilat për muaj me radhë udhëhoqën propagandë të zezë kundër vaksinës Astra Zeneca, si dhe nuk po pranojnë udhëtarët në Bashkimin Evropian që janë të vaksinuar me vaksinat kineze dhe ruse. Të mos flasim për të pavaksinuarit?!!!

Pse Bashkimi Evropian dhe Maqedonia e Veriut e përmendin vullnetin e lirë të njeriut në raport me vaksinën kundër Kovid 19, ndërsa marrin masa të tilla të cilat duket haptas se dhunshëm po duan t`ia imponojnë vaksinimin e popullatës?

Në rrethana të këtilla parashtrohet pyetja, dhuna a është mjet demokratik? Po thonë filozofët e ndryshëm, por duke e përmendur si mekanizëm për mbrojtjen e shtetit dhe ruajtjen e ekuilibrave dhe drejtësisë. Edhe Ibën Halduni e përmend atë si një mënyrë se si përmes saj do të kishte mundësi që t`i ikej anarkisë shoqërore dhe se si do të krijohej mirëqenia e përgjithshme! Por dhuna a është rruga e duhur për të disiplinuar masat në lidhje me vaksinimin kundër sëmundjes kovid 19? Nuk e besoj!

Sëmundja Kovid 19 ekziston, ashtu siç kanë ekzistuar sëmundje të ndryshme për të cilat ka nevojë trajtimi përmes kurave të ndryshme. Pandemia Kovid 19 ka gjunjëzuar botën si dhe sistemet shëndetësore dhe ekonomike të gjitha shteteve. Larg konspiracionit, kjo sëmundje ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike dhe shoqërore. Ka lëvizur rende politike dhe ekonomike si dhe ka vënë në pikëpyetje shumë mekanizma shëndetësor të cilat kanë ekzistuar deri në momentin e mos ekzistimit të kësaj sëmundjeje. Vaksinat funksionale kundër kësaj sëmundjeje janë zbuluar dhe po shikohet se kanë efekt pozitiv tek njerëzit. Modeli fillestar ndaj luftës së kësaj sëmundjeje ka qenë paraqitja vullnetare për vaksinim e cila ka dhënë efekte pozitive. Porse, tendencat dhe qasja e politikanëve të Maqedonisë së Veriut, të rajonit dhe botës, që vaksinimin nga një mjet shëndetësor ta shndërrojnë në mjet politikë dhe luftarak për disiplinimin e masave të njerëzve, janë tendenca të gabueshme.

“Në Evropë dhe në botë tashmë po vendosen kufizime, për qytetarët e pa vaksinuar. Për hyrjen në një hapësirë të mbyllur, për qasjen deri te shërbimet sportive ose tjera, kërkohet certifikata e vaksinimit. Vendet tashmë janë duke i paralajmëruar qytetarët e tyre që të vaksinohen me qëllim që të mos përballen me kufizime për funksionim normal. Apeloj deri te të gjithë qytetarët të cilët ende nuk janë vaksinuar, që këtë gjë ta bëjnë sa më shpejtë. Vaksinat janë të sigurta dhe efikase, vetëm vaksinimi masiv mund që t`i jap fund pandemisë botërore kovid”, deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipce si dhe paralajmëroi se kufizime të këtilla mund të ketë edhe në Maqedoninë e Veriut që nga vjeshta e vitit 2021.

Pasi që situata qenka e këtillë, se vaksinimi qenka mjet shëndetësor e jo politik dhe ushtarak, pse nuk e obliguat qysh në fillim këtë masë? Apo ndoshta ju politikanët keni nevojë për masa të njerëzve të cilët nuk do të ju përgjigjen dhunës tuaj dhe ju të përdorni edhe mekanizmat tjera shëndetësor për të qetësuar situata të caktuara shoqërore dhe për t`i dhënë mesazhin qytetarëve tjerë se ja çka ju gjen nëse nuk na bindeni?

Përndryshe nëse vaksinimin do ta përdornit vetëm si një proces për mbrojtjen e popullsisë nga një sëmundje, këtë gjë do ta kishit bërë obligative qysh në fillim, pa pasur nevojë për kalkulime të këtilla dhe krijimin e qëllimshëm të problemeve dhe pakënaqësive tek njerëzit.