Abbott: Krenar me reagimin e Britanisë dhe Kosovës kundër pushtim rus në Ukrainë

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nikolas Abbott, me rastin e ditës së pavarësisë së Ukrainës, ka thënë sot po festojmë forcën, qëndrueshmërinë dhe identitetin e popullit ukrainas.

Ai në një reagim në Facebook për këtë ditë tha se presidenti rus nënvlerësoi vendosmërinë e popullit ukrainas dhe aftësinë të ushtrisë së Ukrainës.

Abbott ka thënë se është krenar për reagimin e Britanisë së Madhe dhe Kosovës kundër pushtimit rus ndaj Ukrainës.

“Putin mendoi se do ta pushtonte Ukrainën brenda tre ditësh. Por ai nënvlerësoi vendosmërinë e popullit ukrainas, aftësinë dhe vendosmërinë e Forcave të tyre të Armatosura dhe angazhimin e botës për pavarësinë e Ukrainës. Unë jam krenar për reagimin instinktiv ndaj këtij pushtimi të treguar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova. Të dy instinktet tona ishin ta dënonin luftën në termat më të fortë të mundshëm dhe të bënim atë që mundëm për të mbështetur rezistencën e Ukrainës, qoftë përmes ofrimit të strehimit për ata në nevojë, ose ofrimit të trajnimit ose armëve për ata në vijën e frontit”, ka shkruar ai.

Abbott ka thënë se është jetike që mbështetja ndaj Ukrainës të vazhdojë.

“Është jetike që mbështetja jonë dhe ajo e botës të vazhdojë. Ukraina do ta fitojë këtë luftë dhe ne duhet të qëndrojmë me ta për aq kohë sa të duhet. Mbretëria e Bashkuar i është bashkuar mbi 20 vendeve në një Deklaratë të Përbashkët për të ofruar mbështetje ushtarake afatgjatë për të ndihmuar Ukrainën të fitojë luftën dhe për të forcuar sigurinë e saj në afat të gjatë për të penguar dhe mbrojtur kundër sulmeve ruse. Kjo luftë në Evropë, në mbrojtje të vlerave themelore, duhet të jetë fokusi ynë kryesor për të ardhmen e parashikueshme”, ka shkruar ai.