Aeroporti i Hatay në Turqi rifillon punën pas tërmetit

Aeroporti turk i Hatajit, i cili ndodhet në një nga provincat më të goditura nga tërmeti i së hënës, ka rifilluar funksionimin.

Kështu ka bërë të ditur të dielën e 12 shkurtit, Ministria turke e Transportit.

“Ne e riparuam shpejt dëmtimin në pistën e aeroportit Hatay. Aeroporti ynë filloi të funksionojë sot”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie në faqen e saj zyrtare në Twitter, duke shpërndarë imazhe para dhe pas të pistës së aeroportit, e cila u dëmtua rëndë pas tërmetit 7.8 ballë dhe u konsiderua “e papërdorshme” nga zyrtarët.

Sipas operatorit IGA Istanbul Airport, punimet e riparimit filluan më tetë shkurt dhe zgjatën 96 orë.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Shërbimeve Teknike të Aeroportit të Stambollit, Fırat Emsen, ka deklaruar se ekipet e ndërtimit dhe teknike punuan pa ndërprerje për katër ditë, shkruan CNN.

Emsen ka theksuar se ishte “kritike” që aeroporti të funksiononte përsëri, sipas agjencisë së lajmeve.

Aeroporti ndodhet midis Antakias dhe Iskenderun, dy qytete të prekura rëndë nga tërmeti.

Ndryshe, numri i të vdekurve nga tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë, ka kaluar mbi 33 mijë e 181.

Numri i të vdekurve në Turqi është rritur në 29 mijë e 605, ka thënë të dielën Qendra Turke e Koordinimit të Emergjencave SAKOM, shkruan CNN.

Në Siri, numri i përgjithshëm i vdekjeve është tre mijë e 576, duke përfshirë dy mijë e 168 në zonat e kontrolluara nga rebelët në veriperëndim, sipas grupit të mbrojtjes civile ‘Helmetat e Bardha’, dhe një mijë e 408 vdekje në pjesët e kontrolluara nga qeveria e Sirisë.

Gjatë natës, ekipet e shpëtimit vazhduan të kërkojnë për të mbijetuar mes rrënojave të strukturave të shembura, por shpresat për të gjetur më shumë njerëz të gjallë shkojnë duke u zvogëluar, pasi kanë kaluar më shumë se tri ditë që nga goditja nga tërmetet.

Përpjekjet e shpëtimit janë penguar nga temperaturat e ulëta dhe qindra pasgoditje, të cilat e kanë bërë veçanërisht të rrezikshme punën në strukturat e paqëndrueshme.

Tërmeti i parë i 6 shkurtit ishte 7.8 ballësh me epiqendër rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.

Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.