Ballina Lajmet Kosovë Afati kushtetues po afron, LVV-ja ende pa hapa konkretë për zgjedhjen e...

Afati kushtetues po afron, LVV-ja ende pa hapa konkretë për zgjedhjen e presidentit

Kanë mbetur rreth dy muaj deri në afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, por deri më tani nuk ka pasur bisedime konkrete ndërmjet subjekteve politike për këtë çështje. Edhe pse dështimi për zgjedhjen e presidentit brenda afatit do të çonte në zgjedhje të parakohshme parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka cilësuar veprimet në këtë drejtim si urgjente.

LVV-ja, e cila ka 57 deputetë në Kuvend, thekson se aktualisht ka tri prioritete të tjera: konstituimin e Kuvendit, votimin e Qeverisë dhe miratimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë planin e rritjes së BE-së dhe marrëveshjet me Bankën Botërore. Sipas këtij subjekti, çështja e presidentit do të trajtohet më pas, brenda afateve kushtetuese.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur synimin për një mandat të dytë, por nga kabineti i saj nuk janë bërë të ditura veprimet konkrete për sigurimin e përkrahjes politike. Ndërkohë, kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, nuk ka garantuar rizgjedhjen e saj, por ka ftuar publikisht opozitën për një marrëveshje, qoftë për Osmanin apo për një kandidat tjetër konsensual.

Politologu Melazim Koci vlerëson se situata aktuale reflekton zhvillimet politike të vitit të kaluar dhe nuk e përjashton mundësinë e një marrëveshjeje mes LVV-së dhe PDK-së për një kandidat konsensual. Megjithatë, ai thekson se LVV-ja ka përjashtuar bashkëqeverisjen me PDK-në, duke lënë si opsion të vetëm pajtimin për një figurë të pranueshme për të dyja palët.

Sipas Kushtetutës, presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Vjosa Osmani është zgjedhur presidente më 5 prill 2021 dhe mandati i saj përfundon në prill të këtij viti, çka e bën procesin politik për zgjedhjen e presidentit një çështje me rëndësi të veçantë në javët në vijim.