Afganistan, 27 të vdekur në dy sulme

Si pasojë e sulmeve të kryera në qytetet Kabul dhe Tahar të Afganistanit 27 persona kanë humbur jetën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të para, në sulmin e kryer në rajonin Musalla-i Mazari në kryeqytetin Kabul kanë humbur jetën 10 persona. Zyrtarët e sigurisë bënë të ditur që 13 persona të tjerë janë të lënduar.

Dëshmitarët okularë pohuan që ngjarja ishte një sulm vetëvrasës dhe se kanë parë një numër të madh të trupave të pajetë.

Mësohet që sulmi është kryer gjatë një ceremonie për shënimin e përvjetorit të vdekjes së liderit të Hazarave, Abdul Ali Mazari, ceremoni në të cilën merrnin pjesë zyrtarë të lartë.

Ndryshe, ende askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin në fjalë.

– Sulmi ndaj stacionit policor në Tahar

Nga ana tjetër, 17 nëpunës të sigurisë humbën jetën në Hoxhai Gar të Taharit në verilindje të vendit gjatë një sulmi të talebanëve ndaj një stacioni policor.

Në deklaratën për AA, zëdhënësi i guvernatorit të Taharit, Sunnetullah Timur, bëri të ditur që pjesëtarët e talebanëve kanë sulmuar stacionin policor nga të katër anët.

Timur më tej theksoi që në sulm kanë ngelur të vdekur 10 policë dhe 7 ushtarë dhe shtoi që gjatë përleshjeve humbje kanë pësuar dhe pjesëtarët e organizatës.

Nga ana tjetër, në deklaratën e publikuar nga talebanët, pretendohet që gjatë sulmit janë vrarë 30 nëpunës të sigurisë.