Agjërimi i Ramazanit na e mëson praktikisht mbështetjen në Allahun e Madhëruar! – Mesazhe Ramazani

Mbështetja në Allahun e Madhëruar (Tevekuli) është një nga shtyllat kryesore të besimit dhe një cilësi që e forcon zemrën e besimtarit.

Mbështetja në Allahun nënkupton bindjen e plotë se çdo gjë është në dorën e Tij dhe se asgjë nuk ndodhë pa lejen dhe urtësinë e Tij.

Allahu na porositë në Kur’an:

“E kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton.” (Et-Talak: 3)

Ky ajet na kujton se kur dorëzohemi me sinqeritet dhe përkushtim tek Allahu, Ai na udhëzon, na jep forcë dhe na hapë rrugë nga nuk e presim.

Një zemër e mbushur me mbështetje në Allahun e Madhëruar është e qetë, e fortë dhe nuk tronditet nga sprovat e jetës, sepse e di se Zoti është gjithmonë me të.

Sa i përket mbështetjes në Allahun sa lidhet me agjërimin e muajit Ramazan, themi se:

Agjërimi i Ramazanit, megjithatë është një sfidë, ani pse për besimtarët jo e vështirë.

Ndonjëherë e kemi dëgjuar nga dikush që nuk guxon të vendos për të agjëruar, duke u arsyetuar, se kinse ndjehet i pa fuqishëm dhe nuk ka guxim për të filluar me agjërim.

Agjërimi i Ramazanit nënkupton fillimi i një trajnimi praktik se si besimrarët duhet të mbështeten tek Allahu i Madhëruar dhe se me ndihmën e Tij asgjë nuk është e vështirë.

Kur njeriu mbështetet tek Allahu, zemra e tij është e qetë.

Ai nuk frikësohet nga e ardhmja, nuk lëndohet nga e shkuara dhe nuk tronditet nga sprovat, sepse e di se Allahu kurrë nuk e braktis.

Kur ngrihesh për syfyr, lodhja të mposht, por ti guxon. Kur e ndjen etjen e madhe gjatë ditës, ti duron. Kur iftari afrohet, shpirti yt mbushet me gëzim. Dhe në çdo moment, zemra jote pëshpërit: “O Zot, unë mbështetem tek Ti!”

Sepse mbështetja tek Allahu nuk është vetëm një fjalë – është një ndjenjë që të mbush me forcë, me dritë dhe me paqe. E kur dorëzohesh plotësisht tek Ai, e kupton se me ndihmën e Zotit asgjë nuk është e vështirë.

Hoxhë Sadik Avdiu