Agjërimi në vendet që kanë gjatësi të disbalansuar të ditës e të natës

Dr. Bashkim Aliu

Agjërimi më muajin Ramazan, krahas aspektit shpirtëror dhe impaktit në ngritjen morale të njeriut, e ka edhe aspektin juridik dhe normativ, pasi agjëruesi duhet të plotësojë kushte të caktuara, me qëllim që agjërimi që e bën të jetë i vlefshëm. Me pak fjalë, mund të thuhet se agjërimi ka dy aspekte: atë shpirtëror, dhe atë legjislativ. Marrë parasysh se agjërimi, në kuptim të kohës, lidhet me “Imsakun” (fillimin) dhe “Iftarin” (përfundimin), një aspekt i rëndësishëm që është temë debati për agjërimin, është edhe kohëzgjatja e ditës e cila agjërohet në Ramazan. Me fjalë tjera, ardhja e muajit Ramazan, e ka hapur edhe debatin për agjërimin në vendet që kanë gjatësi të disbalancuar të ditës dhe natës, siç janë vendet në veri të Evropës, gjegjësisht vendet skandinave, Kanadaja, etj. Muslimanët janë të shpërndarë në të gjitha anët e botës, dhe në çdo kontinent ka bashkësi muslimane, ashtu që është edhe e pritshme që të diskutohen probleme që ngriten nga këto bashkësi, përkitazi me agjërimin, si rezultat i kushteve dhe rrethanave specifike në vendin ku ata jetojnë. Ndër çështjet të cilat kanë hapur debat në mesin e bashkësive muslimane të cilat jetojnë jashtë vendeve me shumicë muslimane, është edhe agjërimi në vendet që kanë gjatësi të disbalansuar të ditës dhe të natës, siç janë, fjala vjen vendet skandinave.
Debati për agjërimin në vendet në fjalë gjenë mbështetje në trashëgiminë pejgamberike, pasi i Dërguari i Zotit kur ka folur për Dexhallin, ka thënë se do të qëndrojë në botë dyzet ditë, ashtu që dita e parë do të jetë sa një vit, e dyta sa një muaj, e treta sa një javë, dhe ditët e tjera si ditët e zakonshme. Kjo i ka shtyrë disa që ta pyesin të Dërguarin e Allahut se në këtë rast, si t’ia bëjnë me namazin, dhe a mjaftojnë vetëm pesë namaze ? Ai u ka thënë se nuk mjaftojnë vetëm pesë namaze, por do të duhet të bëjnë llogari. Kjo përgjigje merret si element i rëndësishëm në përgjigjen për agjërimin në vendet ku ka gjatësi të disbalansuar të ditës dhe të natës, pasi edhe agjërimi është adhurim i obliguar sikur edhe namazi, dhe po ashtu, sikur edhe namazi, edhe agjërimi lidhet me kohë në kuptim të fillimit dhe mbarimit. Llogaritja e përmendur për kohët e namazit, në periudhën të cilës i referohet hadithi, është kuptuar si tregues nga disa dijetarë se kjo llogaritje duhet të vlejë edhe për agjërimin, në rast se në ndonjë vend ka gjatësi të disbalansuar të ditës dhe të natës. Kjo është baza e mendimit se kohëzgjatja e agjërimit në këto zona, duhet të bëhet analogji me kohëzgjatjen e agjërimit në Meke, kur dita është më e gjatë.
NDARJA E ZONAVE QË KANË DISBALANS TË GJATËSISË SË DITËS DHE TË NATËS GJATË VITIT
Po qese analizohen zonat të cilat kanë një disbalans të theksuar të kohëzgjatjes së ditës dhe të natës në periudha të caktuara të vitit, do të shihet se mund të dallojmë tre zona të këtilla:
I-Zona ku dita, apo nata, zgjat njëzetekatër orë, varësisht prej stinës së vitit. Në vendet e këtilla, në këto raste, përllogariten kohët e namazit, agjërimit dhe adhurimeve tjera në bazë të vendeve më të afërta, ku nata dhe dita dallohen brenda njëzetekatër orëve.
II- Zona ku nuk humb skuqja e mbrëmjes pas perëndimit të Diellit derisa të agojë dita, ashtu që nuk dallohet muzgu i mbrëmjes prej muzgut të mëngjesit, koha e fundit e jacisë dhe e imsakut për agjërim, si dhe koha e namazit të sabahut në bazë të periudhës së fundit kur këto dy drita dallohen.
III-Zona ku ka ditë dhe natë gjatë njëzetekatër orëve, dhe kohët dallohen. Mirëpo, në këto vende, në disa periudha të vitit, nata zgjatë shumë, dhe në disa periudha tjera të vitit, dita zgjatë shumë.
Në lidhje me këtë ndarje, është replikuar se ka një përzierje të nocioneve “ditë” dhe “natë” sipas dy koncepteve: atij juridik islam, dhe atij astronomik. Kështu, nëse ridefinohen nocionet “ditë” dhe “natë” sipas konceptit juridik islam, do të konkludojmë se zonat në botë ndahen në dy grupe: 1-Zona ku “dita” sipas konceptit juridik islam, dallohet nga “nata” sipas të njejtit koncept; 2-Zona ku nuk dallohet “dita” nga “nata” sipas kuptimit të këtyre dy nocioneve në të Drejtën Islame. Sipas kësaj ndarje të dyfishtë, do të kemi dispozita juridike islame për agjërimin në zona ku kemi ndrrim të dalluar të ditës dhe të natës brenda njëzetekatër orëve; si dhe dispozita juridike islame për agjërimin në zona ku nuk dallohen shenjat e ndrrimit të ditës dhe të natës, apo ka ndërhyrje të kohëve të shenjave të namazit të sabahut dhe të jacisë, për shkak jo dallimit të qartë të këtyre shenjave nga njëra-tjetra.

PËRCAKTIMI I ÇËSHTJES DISKUTABILE
Diskutimet e dijetarëve përkitazi me agjërimin në zonat me kohëzgjatje të disbalansuar të ditës dhe të natës në disa periudha gjatë vitit, u referohen zonave ku dallohet qartë nata prej ditës brenda njëzetekatër orëve, por në disa periudha të vitit, dita është shumë e gjatë, dhe në rast të Ramazanit, duhet agjëruar më tepër se 18 orë.
Ndërkaq, në zonat ku nuk dallohen shenjat e ditës dhe natës sipas konceptit juridik islam, apo shenjat e ditës dhe natës dallohen, por në disa periudha gjatë vitit, dita zgjat shumë, e në disa periudha të tjera, nata zgjat shumë, është evidente se duhet përllogaritur koha e agjërimit si dhe e faljes së namazeve. Dijetarët kanë ndjekur dy rrugë në këtë përllogaritje: Disa mendojnë se përllogaritja duhet bërë në bazë të kohëve të namazeve dhe agjërimit në Meke; e disa dijetarë tjerë janë të mendimit se përllogariten kohët e namazit, agjërimit dhe adhurimeve tjera në bazë të vendeve më të afërta, ku nata dhe dita dallohen brenda njëzetekatër orëve.

MENDIMET E DIJETARËVE NË LIDHJE ME AGJËRIMIN NË KËTO ZONA
Kjo çështje është bërë temë debati në mesin e dijetarëve të shekujve të fundit, pasi muslimanët u përballën me këtë problem pas vendosjes në vendet të cilat kanë zona të këtilla të kohëzgjatjes së disbalansuar të natës dhe të ditës në periudha të caktuara gjatë vitit. Nëse analizohen mendimet e dijetarëve, do të shihet se mund të përmblidhen në mendimet vijuese:
1-Që njerëzit në këto vende të agjërojnë aq orë sa agjërojnë banorët e Mekes, atëherë kur është dita më e gjatë atje. Ata do të çelin iftar kur ta plotësojnë këtë numër orësh, edhe nëse dielli ende nuk ka perënduar. Këtu mund të përmenden dijetarët: Muhamed Abduhu, Reshid Rida , Mahmud Sheltut, Xhadul Hakk Ali Xhadul Hakk, Abdulatif Hamza, Atijje Sakër, Mustafa Ez Zerka, Bessam Xherar, si dhe shumë dijetarë tjerë të Al Az harit.
2-Banorët e këtyre vendeve duhet të agjërojnë aq orë sa agjërojnë banorët e vendeve më të largëta që muslimanët kanë arritur t’i çlirojnë, kur dita është më e gjatë atje, e që nuk e kanë këtë disbalans kaq të madh. Apo, do të agjërojnë sipas kohës së vendeve më të afërta që i kanë, kur dita është më e gjatë, e që nuk e kanë këtë disbalans kaq të madh në kohëzgjatjen e ditës dhe të natës gjatë vitit.
3- Ata që e kanë farz agjërimin, në këto vende, duhet të agjërojnë për çdo ditë prej agimit të ditës e deri në perëndim të diellit në vendin e tyre, nëse dita dallohet prej natës në vendin ku jetojnë, dhe dita dhe nata së bashku zgjatin njëzetekatër orë. Ata mund të hanë, të pinë dhe të kenë marrëdhënie legale intime vetëm gjatë natës, edhe nëse nata është e shkurtë. E kush nuk ka mundësi të agjërojë për shkak të gjatësisë së ditës, apo e di nga simptomet, apo nga përvoja, apo e lajmëron ndonjë mjek i thirrur dhe besnik, apo më tepër ia merr mendja se agjërimi do ta bëjë që të sëmuret rëndë, apo do t’ia shtojë sëmundjen, apo do ta ngadalsoj shërimin, ai nuk agjëron, por ditët i mbetura pa i agjëruar do t’i kompenzojë kurdo që të mund ta bëjë këtë. Ky është qëndrimi që e ka miratuar Këshilli i Akademisë së Fikhut Islam pranë Ligës së Botës Islame, Shoqata e Dijetarëve të mëdhej në Arabinë Saudite , si dhe ky qëndrim është adaptuar edhe nga Këshilli Evropian për Fetva dhe Gjurmime. Anëtarë të këtyre dy institucioneve janë dijetarë të shquar.

JUSTIFIKIMET E QËNDRIMEVE
I-Dijetarët të cilët e lejojnë analogjinë në këtë çështje, gjegjësisht dijetarët që e përfaqësojnë mendimin e parë dhe të dytë dhe lejojnë që kohëzgjatja e agjërimit në zonat e këtilla të disbalansuara në kohëzgjatjen e ditës dhe të natës, në disa periudha kohore gjatë vitit, mendimin e tyre e justifikojnë si vijon:
-Rregulla se për rastet e rralla, nuk vlejnë rregullat e përgjithshme, por rregulla të veçanta. Këto zona, nuk janë pjesë e zonave të cilat njihen si normale në zbatimin e dispozitave që kanë të bëjnë me kohët e adhurimeve, dhe për këtë, për këto vlejnë dispozita të veçanta. Për këtë edhe duhet bërë analogji me vende të tjera, qoftë me Meken, sipas disa dijetarëve, apo me zonat më të afërta që i kanë afër, dhe që këto zona e marrin statusin e zonave normale, sipas disa dijetarëve të tjerë. Koha e përcaktuar për agjërim në legjislacionin islam, e që është prej agimit e deri në perëndim të Diellit komform ajetit: <<…dhe hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësonie deri në mbrëmje…>>[El-Bekare: 187], vlenë për zonat që nuk kanë disbalans të madh në kohëzgjatjen e ditës dhe të natës gjatë vitit.
-Parimi i jovështirësisë dhe lehtësimit të dispozitave islame, i cili është parim bazë i të drejtës islame që gjeneron nga tekste fetare, si: <<… dhe nuk ju obligoi në fe me ndonjë vështirësi…>> [El Haxhxh: 78]; <<… Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju…>> [El Bekare: 185]; << Allahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij…>> [El Bekare: 286]. Agjërimi në këto vende, sipas parimit të agimit të ditës dhe perëndimit të Diellit, shkakton vështirësi evidente për agjëruesit, dhe kryesisht ësht i pa përballueshëm, pasi arrinë deri mbi 18 orë.
-Hadithi që flet për kohën kur do të vjen Dexhalli, dhe se ditët e para të tij do të jenë jo të zakonshme në kohëzgjatje, ashtu që do të duhet të bëhet llogaritja e kohës së namazeve, e për rrjedhojë edhe e agjërimit.
Mbështetësit e mendimit të tretë kanë replikuar ndaj këtij argumenti me atë se në kohën për të cilën flet hadithi, pra në ditët e para që nuk do të jenë të zakonshme në kohëzgjatje, nuk do të ketë shenja që e përcaktojnë fillimin dhe mbarimin e ditës. Kjo për dallim prej zonave me disbalans, ku në disa prej tyre ka agim të ditës dhe perëndim të Diellit, por koha prej agimit të ditës, e deri në perëndim të Diellit, është mbi 18 orë.

II-Dijetarët të cilët e pëfaqësojnë mendimin e tretë, qëndrimin e tyre e arsyetojnë me parimet bazë të përcaktimit të kohës së syfirit dhe iftarit në Ramazan, e që lidhet me fillimin e agimit dhe perëndimin e Diellit. Sipas Akademisë së Fikhut Islam pranë Ligës së Botës Islame, për zonën e parë, vlen ajo që banorët duhet t’u përmbahen kohëve të namazit të përcaktuara sipas sheriatit, si dhe kohës së agjërimit, po ashtu, të përcaktuar sipas sheriatit, e që nënkupton agjërimin prej daljes së agimit të vërtetë, e deri në perëndim të Diellit, duke iu përmbajtuar teksteve fetare që përcaktojnë kohët e agjërimit. Ata që nuk mund të agjërojnë, apo nuk mund ta plotësojnë agjërimin e ndonjë dite, për shkak të orëve të gjata të agjërimit, nuk do të agjërojnë, por këtë agjërim do ta kompensojnë në kohë tjera të përshtatshme gjatë vitit. Kjo zonë shtrihet ndërmjet paraleleve 45 shkallë dhe 48 shkallë në veri dhe jug. Në këtë zonë dallohen shenjat e dukshme të kohëve brenda njëzetekatër orëve, pa marrë parasysh, a janë dita dhe nata, të gjata apo të shkurtëra. Në një vendim tjetër të Akademisë së Fikhut Islam pranë Ligës së Botës Islame, qëndron:
“Ndërkaq, për sa i përket agjërimit të muajit të Ramazanit, ata që e kanë farz agjërimin në këto vende duhet të agjërojnë për çdo ditë prej agimit të ditës e deri në perëndim të Diellit në vendin e tyre, nëse dita dallohet prej natës në vendin ku jetojnë, dhe dita dhe nata së bashku zgjatin njëzetekatër orë. Ata mund të hanë, të pinë dhe të kenë marrëdhënie legale intime vetëm gjatë natës, edhe nëse nata është e shkurtë. Kjo, ngase sheriati islam vlen për të gjithë njerëzit, në çdo vend. Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<…dhe hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësonie deri në mbrëmje…>>[El-Bekare: 187].
E kush nuk ka mundësi të agjërojë për shkak të gjatësisë së ditës, apo e di nga simptomet, apo nga përvoja, apo e lajmëron ndonjë mjek i thirrur dhe besnik, apo më tepër ia merr mendja se agjërimi do ta bëjë që të sëmuret rëndë, apo do t’ia shtojë sëmundjen, apo do ta ngadalsoj shërimin, ai nuk agjëron, dhe ditët i mbetura pa i agjëruar do t’i kompenzojë kurdo që të mund ta bëjë këtë. Allahu i Madhërishëm ka thënë:<>[El-Bekare: 185]. Po ashtu, Allahu i Madhërishëm ka thënë:<>[ El-Bekare: 286].”

Ndaj këtij argumentimi është replikuar se lidhja e fillimit dhe mbarimit të agjërimit të një dite me agimin e ditës dhe perëndimin e Diellit, u referohet zonave të cilat kanë një kohëzgjatje normale të ditës dhe natës, apo që janë të afërta me zonat normale, por nuk u referohet zonave të cilat kanë disbalans të madh të kohëzgjatjes së ditës dhe natës gjatë ndonjë periudhe brenda vitit, apo që për një periudhë të caktuar, nuk dallohen shenjat e fillimit dhe mbarimit të ditës dhe të natës.

REKOMANDIM (në vend të përzgjedhjes së mendimit më të saktë):
Në çështjet e këtilla diskutabile të cilat i takojnë kohës më të re, ku nuk ka argumente decide dhe konkrete që u referohen çështjeve të këtilla, nuk është lehtë të thuhet për një mendim se është më i saktë se mendimet e tjera. Për këtë, edhe juristi i shquar hanefit, Ibn Abidin, për mendimet përktazi me agjërimin në vendet ku Dielli perëndon, dhe pas kësaj, nuk ka kohë të mjaftueshme për agjëruesin që të konsumojë ushqim të nevojshëm për ta mbajtur trupin, pasi shpejt agon dita, thotë se të gjitha mendimet, mbajnë. Përzgjedhja e një mendimi, megjithatë, ngelet çështje relative, e cila përputhet me qasjen e atij që bën përzgjedhjen.
Personalisht anoj kah mendimet e institucioneve që dalin me qëndrime kolektive, siç është rasti i Akademisë së Fikhut Islam, Këshillit Evropian për Fetva dhe Gjurmime, etj., dhe nëse qëndrimi i këtyre institucioneve është unik, rekomandoj të përzgjidhet.
Për çështjet e këtilla diskutabile, ku jashtë këtyre institucioneve për qëndrime kolektive, ka dijetarë të shquar që mbajnë qëndrim të ndryshëm nga ai i këtyre institucioneve, duhet treguar konsideratë dhe nuk duhet hedhur poshtë në mënyrë kategorike, as të kualifikohet kategorikisht si jo i saktë dhe i gabuar. Kjo don të thotë se nëse dikush vepron sipas mendimit të tyre, si në rastin e agjërimit në vendet me disbalans të madh të kohëzgjatjes së ditës dhe të natës në periudha të caktuara gjatë vitit, nuk është e drejtë që t’i themi në mënyrë kategorike se agjërimi i tij nuk është i vlefshëm. Kjo, ngase kjo çështje, siç shprehet edhe Muhamed Reshid Rida, në fund, është çështje që edhe më tutje i nënshtrohet analizës dhe debatit.
Për çështjen në fjalë, si dhe për çështje tjera diskutabile të kësaj natyre, ku nuk ka argumente decide dhe konkrete për çështjen në fjalë, si dhe ka debat që merret në konsideratë nga të gjitha palët, më e rrugës është që të arrihet konsensus sa më i gjërë i institucioneve dhe udhëheqësve fetarë në vendin përkatës, ku muslimanët si komunitet nuk janë shumicë, fjala vjen si në rastin e vendeve skandinave dhe në vendet e tjera perëndimore. Qëndrimi unik i institucioneve dhe personaliteteve fetare të vendit përkatës, do të ishte vendimi më i drejtë për këtë çështje dhe për çështjet e tjera diskutabile të kësaj natyre. Në këtë vijë është edhe rekomandimi i Këshillit Evropian për Fetva dhe Gjurmime që: “Muslimanët e këtyre vendeve t’u drejtohen personave adekuat për fetva-përgjigje fetare në vendet e tyre, për vështirësitë të cilat e lejojnë mos agjërimin për shkak orëve të shumta të agjërimit gjatë ditës.”

Nga: Bashkim Aliu