Një kulturë gjithnjë e më shumë në rritje e “smartfonizimit” nuk ka lënë jashtë ndikimit të saj as besimtarin, i cili shpesh përfshihet nga një ankth i heshtur: mungesa e telefonit edhe në momentet më të larta shpirtërore, siç është agjërimi.
Ky ankth, që buron nga frika se mos “humbet momenti” pa u dokumentuar, ka depërtuar edhe në aktet më intime të adhurimit. Agjërimi, që në thelb është një marrëdhënie e thellë dhe e fshehtë mes njeriut dhe Zotit, po rrezikon të zhvendoset nga përjetimi i brendshëm tek paraqitja e jashtme.
Sot shohim se si vlera e një dite agjërimi shpesh matet jo me përkushtimin shpirtëror, por me postimet: fotografi të iftarit, video nga momentet e faljes, apo rrëfime të shpejta për sakrificën e ditës. Madje, në disa raste, duket sikur agjërimi “merr kuptim” vetëm kur dokumentohet dhe publikohet.
Ky fenomen bëhet edhe më i dukshëm gjatë muajit të Ramazanit, ku rrjetet sociale mbushen me pamje të tryezave të iftarit, me lutje të shpërndara publikisht dhe me përjetime që, në thelb, janë tejet personale dhe intime. Në vend që të thellohet lidhja shpirtërore, vëmendja shpesh zhvendoset tek mënyra se si do të paraqitet ky përjetim para të tjerëve.
Agjërimi nuk është një akt që kërkon dëshmitarë njerëzorë, por një adhurim që forcohet në heshtje. Ai ka vlerë kur përjetohet në thellësi, jo kur ekspozohet. Është një ushtrim i shpirtit, i durimit dhe i sinqeritetit, që nuk ka nevojë për filtër, as për publik.
Prandaj, ndoshta ka ardhur koha që gjatë agjërimit të bëjmë një “shkëputje” të vetëdijshme: të lëmë telefonin mënjanë, të zvogëlojmë nevojën për të dokumentuar çdo moment dhe të rikthehemi tek thelbi i adhurimit. Të kërkojmë qetësinë e lutjes së sinqertë, përqendrimin në vetvete dhe afrimin e vërtetë me Zotin.
Le të mos kërkojmë momentin më të bukur për ta fotografuar, por momentin më të sinqertë për ta përjetuar.
Hoxhë Vladimir Kera








