Ahmed Al Ahmed, 43-vjeç i cili u cilësua si hero global pasi u hodh mbi sulmuesin gjatë të shtënave masive në një plazh në Australi, u “qëllua katër deri në pesë herë”, thanë sot prindërit e tij, transmeton Anadolu.
“Ai pa se njerëzit po vdisnin dhe po humbnin jetën dhe kur atij djali (atentatori) i mbaruan municionet, ai (Ahmedi) ia mori, por u godit”, tha Malakeh Hasan Al Ahmed, nëna e Ahmedit, për Korporatën Australiane të Transmetimeve në një intervistë.
Ahmedi u “qëllua katër deri në pesë herë në shpatull, me disa nga plumbat ende të bllokuar brenda tij”, thanë prindërit e tij sirianë, Mohamed Fateh Al Ahmed dhe Malakeh, të cilët zbarkuan në Australi disa muaj më parë.
Policia australiane tha se dy persona të paidentifikuar, një burrë 50-vjeçar dhe djali i tij 24-vjeçar, hapën zjarr në plazhin Bondi në Sydney të dielën në mbrëmje, duke vrarë 15 persona dhe duke plagosur 42 të tjerë që u dërguan në spital për trajtim.
“Njëri nga dy autorët e sulmit u vra ndërsa tjetri mori plagë të rënda”, tha policia duke e shpallur incidentin një “akt terrorist”. Ahmedi u zhvendos në Australi në vitin 2006 nga Siria. Ai ka lindur në fshatin Al-Nayrab, në prefekturën e Idlibit, në veriperëndim të Sirisë.
Ai është shtetas australian dhe shitës frutash me profesion. Ahmedi ishte ndarë nga prindërit e tij që kur u transferua në Australi 19 vjet më parë.
Derisa luftonte me të shtënat nga sulmi i së dielës, prindërit e Ahmedit thonë: “Lutemi që Zoti ta shpëtojë atë”.
Ai është babai i dy vajzave, tre dhe gjashtë vjeç. “Ahmedi do të kishte bërë gjithçka për të mbrojtur këdo, pavarësisht nga prejardhja ose besimi i tyre”, thonë prindërit e tij.
“Kur bëri atë që bëri, ai nuk po mendonte për prejardhjen e njerëzve që po shpëton, njerëzit që vdesin në rrugë”, tha babai i Ahmedit, akti i të cilit ka fituar zemrat në mbarë botën, me kryeministrin australian Anthony Albanese që e shpalli atë “hero”.
“Ahmedi nuk bën dallim midis një kombësie dhe një tjetre. Sidomos këtu në Australi, nuk ka dallim midis një qytetari dhe një tjetri”, thanë prindërit e tij, duke e cilësuar atë si hero. Sipas tyre, Ahmedi dhe një mik i tij po pinin kafe në plazh të dielën në mbrëmje kur dëgjuan të shtëna me armë.
Menjëherë pas kësaj, u shfaq një video e incidentit, ku tregohej Ahmedi duke iu afruar njërit prej personave të armatosur nga pas, duke u hedhur mbi të dhe duke i rrëmbyer pushkën.
Pamjet video të incidentit janë bërë virale, me miliona shikime. Operacioni i parë i Ahmedit ishte i suksesshëm, tha kushëriri i tij Hozay Alkanj të hënën. “Mendoj se ai ka bërë dy ose tre operacione, varet”, shtoi ai.
Edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump e përshëndeti aktin, duke e quajtur Ahmedin “person të guximshëm” për të cilin ai ka “respekt të madh”.
“Ka qenë një person shumë, shumë i guximshëm, në fakt, ai që shkoi dhe sulmoi frontalisht një nga personat që qëlluan dhe shpëtoi shumë jetë”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se burri “është tani në spital, mjaft i plagosur rëndë”.
Një fushatë online për mbledhje fondesh e ngritur në emrin e tij ka mbledhur më shumë se 1 milion dollarë në donacione. Policia pranoi se ndërhyrja civile ndihmoi në parandalimin e humbjeve të mëtejshme të jetëve.
Ahmedi mbetet i shtruar në spital ndërsa hetimet për sulmin vazhdojnë.

