Ahmeti dorëheqjet i quan humbje: Ndarja do ta dobësojë Vetëvendosjen

Deri tani ka zgjedhur që të heshtë rreth situatës së rëndë të krijuar në Vetëvendosje. Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, pak çaste më parë ka bërë publik një qëndrim ku ka kërkuar që të dy palët kundërshtuese brenda partisë të ulen bashkë, duke thënë se ndarja do ta dobësojë partinë, shkruan Gazeta Metro.

Se ndarja është afër e ka vërtetuar edhe ai, duke mos qenë i sigurtë a të flasë në të shkuarën apo në të ardhmen për atë që e quajti si fitore të partisë.

‘…që është apo ishte pranë fitores’, ka shruar ai në një pjesë.

“Dorëheqjet në VV janë humbje, pa marr parasysh nga cili këndvështrim e sheh. Të gjithë janë të vlefshëm dhe të domosdoshëm për VV që është apo ishte pranë fitores. Në qoftë se ndodh ndarja do të jenë të gjithë më të dobët, edhe ata që rrijnë edhe ata që shkojnë, edhe deputetët edhe kryetarët”, ka shkruar Ahmeti në rrjetin social Facebook.

Ai në fund u shpreh se mendime ndryshe do të ketë gjithmonë e posaçërisht kur organizata rritet.

Ndarja në Vetëvendosje veçse po bëhet më serioze, me tashmë një numër të lartë të dorëhequrish nga kjo parti.

Kujtojmë që kandidatura e Albin Kurtit për kryetar të partisë sipas gjitha gjasave do të mbetet edhe e vetmja, pasiqë afati për këtë kandidim përfundon në më pak se 3 orë, shkruan Gazeta Metro.