Ballina Artikuj Aishe bintu Ebu Bekr 3

Aishe bintu Ebu Bekr 3

Aishe bintu Ebu Bekr

Kërkesa për një jetë më të mirë Gratë e Profetit (a.s) bashkë me to dhe Aisheja, e duronin këtë jetë me të dërguarin e Zotit. Por ato u vunë në provë, kur filluan të shtoheshin pasuritë e myslimanëve, sidomos nga plaçka e luftës. Duke parë pasuritë që u vinin myslimanëve dhe vetë Profetit (a.s), ato u mblodhën dhe vendosën t’i kërkojnë Profetit (a.s) më shumë shpenzime. Këto kërkesa e rënduan Profetin (a.s), i cili filloi të distancohej prej tyre. Kjo vazhdoi deri kur Profetit (a.s) iu shpall ajeti: “O i Dërguar! Thuaju grave tuaja: “Nëse dëshironi jetën e kësaj bote dhe shkëlqimin e saj, ejani, unë do t’ju lë të kënaqeni për ca kohë dhe do t’ju divorcoj si është më mirë. Por, nëse dëshironi Allahun, të Dërguarin e Tij dhe botën tjetër, dijeni se Allahu ka përgatitur shpërblim të madh për ato prej jush që bëjnë vepra të mira.”[1] Kur iu shpall ky ajet, Profeti (a.s) vajti tek dhoma e secilës grua duke i kërkuar të zgjedhë. Këtë, ai e filloi me gruan e tij të dashur, Aishen. Me të hyrë brenda, i tha: “O Aishe! Unë do të të kërkoj të zgjedhësh mes dy alternativave dhe kërkoj të mos nxitohesh. Ashtu siç të këshilloj që të konsultohesh edhe me prindërit e tu më parë.” Më pas, i lexoi ajetin që sapo i ishte shpallur. Aisheja e pa në sy Profetin (a.s) dhe i tha:”O i dërguar i Allahut! A për këtë të konsultohem me prindërit?! Ajo që zgjedh unë, është Allahu, i Dërguari i Tij dhe jeta tjetër.” Kjo e gëzoi shumë Profetin (a.s) Aisheja, është modeli më i mirë për të rejat myslimane. Ajo përjetoi dashurinë më të madhe që mund të përjetojë një femër, por në kufijtë e të lejuarës. Aishja në vdekjen e Profetit (a.s.) Aishja jetoi me Profetin (a.s) vetëm nëntë vite. Por gjatë këtyre nëntë viteve, ajo mësoi dhe përfitoi shumë nga ai. Disa ditë para se të vdesë, Profeti (a.s) pyeti:”Çfarë dite është sot?” Ai dëshironte të dijë kur është nata e Aishes. Ajo ditë, ishte dita që i takonte të qëndrojë në dhomën e Mejmune-s. Ai kërkoi që të gjitha gratë të mblidheshin dhe pasi erdhën, u tha:”A më lejoni që përkujdesja të më bëhet në dhomën e Aishes?” Ato u përgjigjën njëzëri:”Po o i dërguar i Allahut.” Profeti (a.s) tentoi të ngrihet, por nuk mundi. Atëherë erdhi Ali ibn Ebi Talib dhe Fadl ibn Abas dhe e çuan Profetin (a.s) në dhomën e Aishes. Tregon Aishja:”Kur e sollën Profetin (a.s) në dhomën time, ai kullonte në djersë. Herë pas here e ngrinte gishtin tregues dhe thoshte:”Nuk ka zot tjetër veç Allahut! Vdekja ka dhimbjet e saj.” Unë e merrja dorën e tij dhe ia fshija djersët nga fytyra. Kjo, pasi dora e Profetit (a.s) ishte më e mirë dhe më e fisshme se dora ime.” Kurse Omer ibn Hatabi, kishte nxjerrë shpatën dhe thoshte:”Kush thotë se i dërguari i Zotit ka vdekur, do i pres kokën. Ai ka vajtur të takojë Zotin e tij dhe do të kthehet, ashtu siç shkonte Musai dhe kthehej.” Njeriu më i qëndrueshëm në këtë kohë, ishte Ebu Bekri, i cili hyri në dhomën ku ishte Profeti (a.s) dhe e përqafoi atë fort. Kur u sigurua që ka vdekur, duke e puthur në ballë tha: ”I bukur ke qenë i gjallë, i bukur je dhe i vdekur o i Dërguar i Zotit.” Zoti kishte zgjedhur Aishen që të jetë pranë Profetit (a.s) në çastet e vdekjes së tij. Kontributi i Aishes pas vdekjes së Profetit (a.s) Kur ndërroi jetë Profeti (a.s), Aishja do të jetonte rreth dyzet shtatë vite më pas. Për dyzet e shtatë vite me radhë, misioni i saj do të jetë i përqendruar në përhapjen e dijeve fetare. Nëse nuk do të ishte Aishja, një pjesë e madhe e haditheve do i mungonin trashëgimisë islame. Nëse kjo grua ka kontribuar në koleksionimin dhe ruajtjen e trashëgimisë islame, si është e mundur atëherë që të thuhet se Islami e diskriminon gruan? Si është e mundur kur Profeti (a.s) ia beson asaj përcjelljen e një pjese të mirë të fesë tek brezat e ardhshëm? Aishja ka transmetuar nga Profeti (a.s) 2250 hadithe. Mes transmetuesve të haditheve të Profetit (a.s), ajo zë vendin e katërt ose të pestë. Vendin e parë e zë Ebu Hurejre, të dytin Abdullah ibn Omer, të tretin Enes ibn Malik, të katërtin – sipas disave e zë Abdullah ibn Abasi – kurse sipas të tjerëve e zë Aishja. E veçanta tek hadithet e transmetuara nga Aishja, është se ajo i transmetonte direkt nga Profeti (a.s). Çdo hadith që ajo transmeton përmban fjalët: “E kam dëgjuar Profetin (a.s)…. Thotë Profeti (a.s)….” Kurse transmetuesit e tjerë të lartpërmendur, edhe pse kanë transmetuar më shumë se Aishja si numër, shumë hadithe nuk i transmetojnë direkt nga Profeti (a.s), por nga një sahab tjetër. Një e veçantë tjetër e haditheve të Aishes, është se hadithet që transmeton ajo, nuk i transmeton kush tjetër. Ndërkohë që me transmetuesit e tjerë nuk ndodh kjo. Hadithet e tyre i transmetojnë edhe myslimanë dhe shokë të tjerë të Profetit (a.s). Që nga vdekja e Profetit (a.s), Aishja hapi shkollën e parë ku mësohej fik’hu islam. Pra, shkolla e parë në islam, është hapur nga një grua. Ajo u mësonte nxënësve të saj hadithet e Profetit (a.s), çështje të fik’hut dhe interpretimit të Kuranit. Numri i atyre që transmetojnë hadithet e Profetit (a.s) të transmetuara nga Aishja, arrin në njëqind. Nga ata që transmetojnë hadithet e saj është vetë Omer ibnul Hatabi, Abdullah ibnu Omer, Ebu Hurejre etj… Nga brezi i tabi’inëve janë Urve ibn Zubejr, Seid ibn Musejib, nëna e Hasen El-basrij … etj. Nga tradita praktike e Profetit (a.s), 90 % e saj transmetohet nga Aishja. Tek veprat praktike, hyn mënyra si merrte abdes, tejemumin etj… Është ndërhyrja e Aishes gjatë një udhëtimi ku nuk kishin ujë për të marrë abdes, që Profetit (a.s) iu shpall ajeti i tejemumit. Tregon Ebu Musa El-esh’arij:”Sa herë që gjendeshim në vështirësi mbi një çështje të caktuar, shkonim tek Aishja e cila na rezervonte gjithmonë informacionin e duhur.” Abdullah ibn Zubejri i thoshte Aishes: “O nëna ime! Për Zotin nuk çuditem nga informacioni që ke mbi gjenealogjinë e fiseve arabe, sepse je bija e Ebu Bekrit. Nuk habitem as për dijet dhe informacionin që ke rreth fesë, pasi t’i ka mësuar i dërguari i Zotit (a.s.) Nuk çuditem as nga erudicioni yt mbi poezinë arabe. Ajo që më mahnit dhe më lë pa fjalë, janë dijet e tua rreth mjekësisë. Nga e ke mësuar këtë o nënë?” Aishja ia ktheu:”O biri im! Në vitet e fundit të jetës, i dërguari i Zotit (a.s) sëmurej shpesh. Sa herë që vinin delegacione nga fiset arabe, i jepnin receta të ndryshme për të trajtuar sëmundjet. Prej tyre mësova disa gjëra të mjekësisë.” Dijetarët më të mëdhenj të umetit – si Buhari dhe të tjerë – transmetojnë hadithe dhe dije të Aishes. Veç sa përmendëm, Aishja njihet dhe për oratori dhe gojëtari. Thotë Muavije ibn Ebi Sufjan:”Oratori më i madh ndër arabët, është Aisheja.” Tregon Ebu Musa El-esh’arij:”Kam parë shumë kalifë të predikojnë, kam parë Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin, Aliun dhe Muavijen. Për Zotin nuk kam parë oratore më të mirë gjatë predikimit se Aishja.” A e kuptoni përse Profeti (a.s) u martua me Aishen në atë moshë? Duke qenë e re në moshë, ajo do të mësonte dhe përfitonte shumë nga Profeti (a.s). Këto dije ajo do u transmetonte myslimanëve pas vdekjes së Profetit (a.s). Adhurimi i Aishes Aishja njihet për adhurimin e saj të shumtë. Ajo njihet për agjërimin dhe namazet vullnetare. Tregon Urve ibn Zubejr: “Hyra një natë tek dhoma e nënës time (Aishes) dhe e gjeta duke u falur. Në ato momente, ajo po lexonte ajetin: “.. por, Allahu na ka dhuruar mëshirë dhe na ka ruajtur nga era përcëlluese (e Zjarrit). Ne qysh më parë i jemi falur Atij. Ai është vërtet Bamirës dhe Mëshirëplotë”[2] Ajo e lexonte këtë ajet dhe qante. Me zë të ulët thoshte:”O Zot më dhuro mëshirë dhe më mbro nga ndëshkimi përcëllues!” Atëherë dhe mua më shpërthyen lotët kur e pashë duke qarë. Unë kisha vajtur për t’a pyetur mbi një çështje, por kur e pashë që po falej dola jashtë. Kur u ktheva pas një ore, e gjeta sërish duke u falur dhe përsëriste fjalët:”O Zot më dhuro mëshirë dhe më mbro nga ndëshkimi përcëllues!” Përsëri dola jashtë dhe u ktheva pas një ore, por sërish ajo përsëriste fjalët:”O Zot më dhuro mëshirë dhe më mbro nga ndëshkimi përcëllues!” Dy vite para se të vdesë, Aishja vajti të kryejë haxhin. Ditën e Arafatit ajo agjëronte edhe pse ishte shumë vapë. Ata që kujdeseshin për të, i hidhnin ujë fytyrës herë pas here me qëllim që t’ia lehtësojnë. Urve ibn Zubejr hyri në çadrën e saj dhe kur e pa në atë gjendje i tha:”O nëna ime! Ruaje veten dhe shëndetin, ajo që po bën është e rëndë.” Tregojnë të pranishmit: “Kur dëgjoi këto fjalë, sikur iu kthye forca dhe i tha Urves:”Të duroj dhe të ruaj shëndetin këtë ditë në të cilën Zoti të fal gjynahet e vitit të kaluar dhe të atij që vjen?!” Kur ke agjëruar për herë të fundit o vëlla dhe oj motër? A agjëroni të hënën dhe të ejten? Sa herë që dikush i dhuronte diçka për të ngrënë, ajo ia jepte ndonjë fukarai. Një herë, edhe pse agjëronte atë ditë, gjithë ushqimin që ndodhej në shtëpi ia dhuroi një lypësi. Shërbëtorja e saj i tha: “Nuk paske mbajtur asgjë për vete!” Aishja ia ktheu:”Sikur të më kishe thënë më parë!” Kur ke dhënë sadaka për herë të fundit o vëlla dhe sa ka qenë shuma? Aishja jo vetëm që ishte zemërgjerë dhe bujare, por këtë e bënte në një mënyrë shumë të veçantë. Sa herë që i vinte ndonjë i varfër për t’i kërkuar diçka, ajo e merrte monedhën që do i jepte, e fuste në një enë ku mbante parfum dhe pastaj ia jepte të varfrit. Pra, e parfumonte para se ta japë. Kur dikush e pyeti përse e bënte këtë, ajo i tha:”Sepse sadakaja bie në duart e Zotit para se të bjerë në duart e fukarait.” Gjithë dashurinë që kishte për Profetin (a.s), ajo e shndërroi në sakrificë për të përhapur islamin. Dashuria fishket kur nuk bazohet mbi një vlerë dhe mision madhor. Dashuria e një burri dhe gruaje të cilët martohen me qëllim që t’i shërbejnë Islamit, nuk mund të fishket. Prandaj, martohuni me qëllim që të lindni dhe edukoni fëmijë të cilët do i shërbejnë Islamit dhe umetit. Pjesëmarrja në luftë Përveç kontributit që lartpërmendëm, Aishja merrte pjesë dhe në luftërat që zhvilloheshin mes myslimanëve dhe mekasve paganë. Ajo kujdesej për të plagosurit dhe furnizonte me ujë luftëtarët. Gjatë betejës së Hendekut, gratë kishin marrë urdhër të qëndronin pas ushtrisë. Tregon Omeri: “Ndërkohë që unë ndodhesha në fillim të ushtrisë dhe po përgatiteshim për luftë, pashë Aishen para meje dhe i thashë:”Çfarë guximi o Aishe!” Sa’d ibn Muadh, duke ndjerë që Omeri po e tejkalon, i tha:”Lëre o Umer!” Aishja dhe altruizmi Në çastet e fundit para se të vdesë, Omeri i tha djalit të tij: ”Shko tek nëna e besimtarëve Aishja dhe i thuaj: ”Omer ibn Hatabi dhe jo Prijësi i besimtarëve, kërkon ta lejosh që të varroset pranë dy miqve të tij më të dashur (Profetit dhe Ebu Bekrit). Kur Abdullah ibn Omeri i tregoi mbi kërkesën e Omerit, Aishja i tha: ”Për Zotin e kisha rezervuar për veten time atë vend. Por meqë e kërkon Omer ibn Hatabi këtë vend, unë do e lejoj.” Pasi u varros dhe Omeri pranë Profetit (a.s) dhe Ebu Bekrit, u pa që kishte vend edhe për një person tjetër. Megjithatë, kur iu afrua vdekja, Aishja refuzoi të varrosej në atë vend. Ajo u tha të pranishmëve: “Më varrosni pranë shemrave të mia, pasi nuk dua të ndahem dhe dallohem prej tyre.” Tregon Aisheja se kur Profeti (a.s) dhe Ebu Bekri babai i saj, u varrosën në një qoshe të dhomës së saj, hynte dhe i ndërronte rrobat pa problem. Por qysh kur aty u varros edhe Omeri, nuk kam hyrë në dhomë veçse duke i shtrënguar rrobat për trupit, pasi më vinte turp prej tij, megjithëse ai ishte i varrosur në dhe. Vdekja e Aishes Ditën e martë, 17 Ramazan të vitin 57 hixhri, pasi njerëzit kishin falur namazin e teravive, do të ndërrojë jetë nëna jonë Aishja. Në çastet e vdekjes, vjen Abdullah ibn Abasi dhe kërkon leje për t’a parë. Të pranishmit i thanë: “Ajo nuk dëshiron askënd në këto çaste.” Abdullah ibnuAbasi u tha: “U lutem të më lejoni, pasi kam diçka për t’i thënë.” Pasi e lejuan të hyjë, ai hyri brenda dhe i tha:”O nëna jonë, gëzohu!” Aishja e pyeti:”Përse o Ibn Abas?” Ibn Abasi i tha: “Gëzohu, pasi mes teje dhe të dashurit tënd Muhamedit (a.s), nuk ka mbetur gjë tjëtër përveç dorëzimit të shpirtit. Ti ke qenë gruaja më e dashur e Profetit (a.s). Pafajësinë tënde e shpalli vetë Zoti nga qielli…” Aishja i tha:”O Ibn Abas! Më lër të qetë! Ah sikur të isha diçka e harruar. Nëse duhet të krenohem me diçka, unë krenohem se i dërguar i Allahut (a.s) vdiq mes prehrit dhe kraharorit tim. Të gjithë banorët e Medines morën pjesë në varrimin e Aishes. Ai që i fali xhenazen ishte Ebu Hurejre. Në varr e zbriti Abdullah ibn Zubejri. E veçantë është se njerëzit që e shoqëronin në rreshtin e parë, ishin gratë e Profetit (a.s) të cilat ishin akoma gjallë. Duke ecur, ato qanin dhe thoshin: “Vdiq e dashura e të dërguarit të Zotit.” Kjo ishte nëna jonë Aisheja, Zoti qoftë i kënaqur me të! [1] – Sure Ahzab: 28 – 29. [2] – Sure Tur: 27.