Akademikja realizon ëndrrën, bëhet ngjyrosëse automjetesh

Gözde Ayter nga Turqia tërheq vëmendjen me profesionin e saj si ngjyrosëse automjetesh në qytetin e Izmirit edhe pse ka mbaruar studimet në tri drejtime në Universitetin Bilkent të Ankarasë.

36 vjeçarja Ayter e cila me origjinë është nga qyteti Trabzon, në vitin 1998 u vendos në Ankara për arsimin universitar. Ajo në vitin 2003 u diplomua nga Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Universitetin Bilkent, ndërsa më pas në të njëjtin universitet vazhdoi studimet në drejtimin e menaxhmentit dhe bankave dhe financave.

Në vend të punës në drejtimet për të cilat është diplomuar, ajo ka zgjedhur të ndjekë ëndrrat e saj. Ayter ka vendosur që të punojë në sektorin e automjeteve, për të cilin ka shprehur dashuri. Së bashku me bashkëshortin e saj ka filluar të operojë në sektorin “airbrush” për ngjyrosjen e automjeteve, që është shumë i njohur në SHBA dhe shtetet evropiane. Në fillim Ayter bëri importin e produkteve që përdoren në këtë sektor.

Çifti më pas është bërë shpërndarës i produkteve në fjalë në Turqi, ndërsa në vitin 2012 kanë hapur biznesin e tyre në Zonën Industriale 3 në Bornova të Izmirit. Ajo në fillim është përmbajtur dhe nuk ka dëshiruar të shkojë në punë në zonën industriale, ndërsa më pas ka pasur një komunikim shumë të mirë me punëtorët në atë zonë.

Ayter tërheq vëmendjen e të gjithëve me flokët ngjyrë vjollce dhe thonjtë e ngjyrosur, ndërsa tanimë gjashtë vjet ngjyros automjetet e klientëve të saj me teknikën “airbrush”.

– Kapota e automjetit si kanavacë pikturimi

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Ayter tha se e ka gjetur veten në sektorin e automjeteve dhe se kur punon është shumë e lumtur.

Ajo thotë se i punojnë dizajnet të cilat klientët i kërkojnë.

“Kapotën e automjetit e përdori si kanavacë dhe mundohem të bëj art. Është lumturuese kënaqësia e klientit me rezultatin. Gjej paqe derisa e bëj punën time”, shprehet Ayter.

Ayter më tutje tregon se bashkëshorti i saj është mbështetësi më i madh, ndërsa në zonën industriale e thërrasin si “mjeshtre” dhe “motër”.

Mjeshtrja, duke theksuar se është një vendim serioz që një grua të punojë në zonë industriale, potencon se deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim negativ.

Ajo thotë se çdo kush duhet ta bëjë punën që e do.

“Dikush që nuk më njeh, më thotë ‘desha të bisedoj me mjeshtrin’. E unë kur i them se unë jam mjeshtrja, e përsërit ‘jo unë dua të bisedoj me mjeshtrin'”, tha Ayter, duke treguar se kjo gjë shpeshherë shkakton konfuzion.