Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, kanë diskutuar hapat për avancimin e procesit të paqes mes dy vendeve gjatë një takimi në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Dublin, transmeton Anadolu.
Në deklarata të veçanta pas bisedimeve, Presidenca e Azerbajxhanit dhe zyra e kryeministrit armen thanë se diskutimet u mbështetën në rezultatet e samitit të paqes të gushtit të vitit 2025, ku Baku dhe Jerevani nënshkruan një deklaratë të përbashkët dhe parafuan një marrëveshje paqeje.
“Diskutimet u përqendruan në hapat konkret drejt konsolidimit të mëtejshëm të paqes mes dy vendeve”, thuhet në deklaratë, ku përmenden “zhvillimi i lidhjeve të transportit dhe tranzitit, marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare, përcaktimi i kufirit dhe zbatimi i masave për ndërtimin e besimit”.
Liderët shqyrtuan progresin në projektin e Rrugës së Trumpit për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar (TRIPP), përfshirë planifikimin dhe projektimin e pjesëve të tij hekurudhore dhe rrugore, si dhe mundësitë për lidhje tranziti.
Ata gjithashtu mirëpritën kalimin tranzit të mallrave drejt dhe nga Armenia përmes Azerbajxhanit si një “zhvillim pozitiv”, duke theksuar se që nga nëntori i vitit 2025, përmes territorit të Azerbajxhanit janë transportuar drejt Armenisë 105.000 tonë mallra.
“Palët shkëmbyen gjithashtu mendime mbi mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, përfshirë ndërlidhjen e ardhshme të rrjeteve elektrike”, thuhet në deklaratë.
Më tej, bëhet e ditur se liderët theksuan krijimin e grupeve të punës për menaxhimin e lumenjve ndërkufitarë dhe nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit mjedisor dhe bashkëpunimit për burimet e përbashkëta ujore.
“Liderët riafirmuan rëndësinë e ruajtjes së dinamikës pozitive në procesin e paqes dhe vazhdimit të dialogut me synim forcimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon”, thuhet në deklaratë.





