Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për sulmit në kanalin e “Ibër Lepencit”.
Aktakuza është ngritur ndaj J.V., D.V., dhe I.D.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtoria Kundër Terrorizmit, dhe me partnerët evropianë
“Sipas aktakuzës, më 29.11.24 në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, në pjesën e kanalit “Ibër Lepenc” , të pandehurit J.V dhe D.V, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, kanë vendosur eksploziv (rreth 20 kilogram të llojit Trinitrotoluene “TNT”) në brendësi të kanalit. J.V. dhe D.V., akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit, “Ibër Lepenc”, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike, dhe ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh”, thuhet nga Prokurorial.
Sipas aktakuzës, me këto veprime, të pandehurit J.V. dhe D.V., kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve publike” nga neni 122 në lidhje me “Kryerjen e veprës terroriste” .
Dy të pandehurit akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, së bashku edhe me të akuzuarin tjetër I.D.
Sulmi në Ibër Lepenc ishte kryer më 29 nëntor të vitit 2024.
Ndërsa, i padnehuri J.V, akuzohet edhe për veprën penale “Spiunazhi”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri deri në momentin e arrestimit, në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, Kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat ti përdor gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.








