Dhjetëra aktorë dhe regjisorë, përfshirë Javier Bardem dhe Tilda Swinton, e kanë akuzuar Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin për racizëm anti-palestinez dhe u kanë kërkuar organizatorëve të shprehin qartë kundërshtimin e tyre ndaj gjenocidit të Izraelit në Gaza, transmeton Anadolu.
Sipas raportimeve të medias të mërkurën, thuhet se në një letër të hapur të botuar në Variety, 81 punonjës filmi kritikuan atë që e quajtën “përfshirjen e Berlinales në censurimin e artistëve që kundërshtojnë gjenocidin e vazhdueshëm të Izraelit kundër palestinezëve në Gaza”.
Nënshkruesit u ankuan me komentet e presidentit të jurisë së këtij viti, Wim Wenders, i cili në një konferencë për mediat të kohëve të fundit në Berlin, kur u pyet për Gazën tha: “Ne duhet të qëndrojmë larg politikës”.
Ata argumentuan se qëndrimi i festivalit bie ndesh me qëndrimet e tij mbi luftën e Rusisë ndaj Ukrainës dhe zhvillimet në Iran. Letra akuzoi festivalin për policimin e regjisorëve dhe përmendi incidente nga eventi i vitit të kaluar.
“Vitin e kaluar, regjisorët që folën hapur për jetën dhe lirinë palestineze nga skena e Berlinales raportuan se u qortuan në mënyrë agresive nga programuesit e lartë të festivalit. Një regjisor u raportua se ishte hetuar nga policia, dhe udhëheqja e Berlinales nënkuptoi në mënyrë të rreme se fjalimi prekës i regjisorit, i rrënjosur në të drejtën ndërkombëtare dhe solidaritetin ishte ‘diskriminues'”, thuhej në letër.
“Ne qëndrojmë me kolegët tanë në hedhjen poshtë të kësaj shtypjeje institucionale dhe racizmit anti-palestinez”, shtuan artistët. Nënshkruesit thanë se “nuk pajtohen fuqimisht” me deklaratën e Wendersit se krijimi i filmave është “e kundërta e politikës”, duke shkruar: “Nuk mund ta ndash njërin nga tjetri”.
Ata thanë se Berlinalja deri më tani nuk i ka përmbushur as kërkesat e komunitetit të saj për të lëshuar një deklaratë që pohon të drejtën palestineze për jetë, dinjitet dhe liri, duke e quajtur këtë minimumin që duhet të bëjë.
“Ashtu siç festivali ka bërë deklarata të qarta në të kaluarën në lidhje me mizoritë e kryera kundër njerëzve në Iran dhe Ukrainë, ne i bëjmë thirrje Berlinales të përmbushë detyrën e saj morale dhe të shprehë qartë kundërshtimin e saj ndaj gjenocidit të Izraelit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës kundër palestinezëve, dhe të ndërpresë plotësisht përfshirjen e saj në mbrojtjen e Izraelit nga kritikat dhe thirrjet për llogaridhënie”, thuhej në letër.
Apeli vjen disa ditë pasi autorja indiane Arundhati Roy njoftoi se po tërhiqej nga festivali i këtij viti, i cili zhvillohet nga 12-22 shkurt, duke përmendur ato që ajo i quajti “deklarata të paarsyeshme” nga anëtarët e jurisë, përfshirë Wendersin.



