Alania, qyteti me katër stinët e “pushtuara” nga dielli

ANTALIA (AA) – Alania, në rajonin e Antalias, është e njohur se tërheq vizitorë nga të gjitha anët e botës. Vendi njihet edhe me sintagmën “qyteti ku dielli buzëqesh”, shkruan Anadolu Agency (AA).

Të pushtuara nga dielli, plazhet Kleopatra, Keykubat dhe Damlatas, gjatë tërë vitit paraqesin një destinacion pushimi për turistët e shumtë të cilët preferojnë Alanian.

E vendosur në brigjet e Mesdheut në gjirin e Madh të Antalias, mes malit Taurus në veri dhe detit Mesdhe në jug, Alania është qyteti i cili nuk fle.

Me ardhjen e sulltanit selçuk, Aladin Kijkubad I Pari, qyteti ka marrë emrin të cilin e mban edhe sot, ndërkohë që njihet për ndërtesat e shumta që u bënë markë e tij tregtare. Gjatë gjithë qytetit në një gjatësi prej 80 kilometrash shtrihet plazhi i famshëm Kleopatra.

Kjo është arsyeja që turistët e huaj vizitojnë Alanian jo vetëm gjatë verës, por gjatë tërë vitit. Duke synuar mbrojtjen e qytetit nga sulmet eventuale, Sulltani urdhëroi ndërtimin e murit verior përgjatë bregdetit bashkë me kullën e madhe në port e cila sot njihet si “Kulla e Kuqe”.

Kulla është e njohur për ngjyrën e kuqe të tullave me të cilat është ndërtuar dhe për arkitekturën mbresëlënëse të saj. Sot, ajo paraqet një muze dhe destinacion të pashmangshëm turistik.

Në afërsi janë edhe shpellat Dim dhe Damlatas, në të cilat ndodhen stalaktite dhe stalagmite që lënë pa frymë.

Kryetari i shoqatës së punëtorëve të Turizmit, Burhan Sili, tha për AA se Alania është aktive gjatë gjithë katër stinët e vitit. Në kohët e lashta, Alania ishte një bazë detare e njohur si Coracesium. Ai vuri në dukje se temperatura në tetor arriti 30 gradë celsius.

“Kështu do të jetë edhe në nëntor. Në det mund të laheni edhe në janar, shkurt dhe mars. Lahen dhe rreziten veçanërisht turistët që vijnë nga vendet e ftohta”, tha Sili.

Si e tillë, Alania më së shumti tërheq vizitorë nga Rusia, Gjermania, dhe nga vendet skandinave, por edhe të Evropës Lindore.