Alarmi i ATK-së: Ata që fitojnë nga kriptovalutat do obligohen të paguajnë tatime

Administrata Tatimore e Kosovës ka dalë me një paralajmërim ku ka potencuar që të gjithë qytetarët të cilët krijojnë të hyra nga kriptovalutat do të tatohen.

Të ardhurat e gjeneruara nga kriptovalutat, janë të ardhura të tatueshme!, është njoftimi që Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) bën të ditur për të gjithë ata që krijojnë të ardhura nga kjo veprimtari.

Administrata Tatimore e Kosovës, rikujton të gjithë personat fizikë jo afarist, personat fizikë afarist dhe personat juridikë, se janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet dhe Kontributet Pensionale në mënyrë reale dhe në kohë, ashtu siç është përcaktuar me legjislacionin tatimor.ATK njofton se do të përqendrohet tek personat që nuk deklarojnë të ardhurat dhe nuk e paguajnë tatimin, me fokus të veçantë që krijojnë të ardhura nga kriptovalutat
“Aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi, do të përqendrohen pikërisht te personat, të cilët nuk i deklarojnë të ardhurat e krijuara dhe nuk paguajnë Tatimin dhe Kontributet Pensionale. Me fokus të veçantë, ATK do të përqendrohet në identifikimin dhe trajtimin e personave, të cilët krijojnë të ardhura nga kriptovalutat.”, thuhet në njoftimMë tej në njoftim thuhet se për personat fizikë jo afarist, personat fizikë afarist dhe personat juridikë, të cilët nuk deklarojnë të ardhurat e krijuara dhe nuk paguajnë Tatimet dhe Kontributet Pensionale, ATK do të ndërmarrë masat sipas legjislacionit tatimor.

Administrata Tatimore e Kosovës, u bënë thirrje të gjithë personave që të deklarojnë të ardhurat e krijuara apo të korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor.

Sipas ATK-së, me kryerjen e detyrimeve tatimore, kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore.

Pagesa e tatimit, siguron qëndrueshmëri të ekonomisë në vend!Në muajin maj të këtij viti , KALLXO.com ka publikuar hulumtimin për prodhimin e kryptovalutave në katër komunat e veriut të Kosovës.