Albanese hedh poshtë akuzat e Netanyahut për sulmin në Bondi Beach

Kryeministri australian Anthony Albanese ka refuzuar pretendimet e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se njohja e shtetit palestinez nga Australia ka ndikuar në sulmin e armatosur në Bondi Beach, Sydney.

Në një intervistë për The Guardian, Albanese tha se nuk pranon asnjë lidhje mes njohjes së Palestinës dhe sulmit, duke theksuar se shumica e vendeve në botë e shohin zgjidhjen me dy shtete si rrugën e vetme drejt paqes në Lindjen e Mesme.

Sulmi ndodhi gjatë një feste hebraike të Hanukës në Bondi Beach, ku sipas raportimeve u vranë të paktën 15 persona dhe u plagosën 42 të tjerë. Albanese e quajti ngjarjen “terroriste” dhe tha se bëhej fjalë për një sulm të synuar ndaj hebrenjve australianë, duke shtuar se Australia “nuk do t’i nënshtrohet kurrë urrejtjes dhe dhunës”.

Netanyahu, nga ana tjetër, akuzoi qeverinë australiane se ka nxitur antisemitizmin përmes mbështetjes për shtetin palestinez, duke pretenduar se kjo politikë “ka inkurajuar urrejtjen ndaj hebrenjve”. Albanese i hodhi poshtë këto akuza.

Marrëdhëniet mes Australisë dhe Izraelit janë tensionuar muajt e fundit, veçanërisht pas njohjes zyrtare të shtetit palestinez nga Australia, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë. /mesazhi