Albulena Haxhiu e kërkon dorëheqjen e Thaçit, e quan dinak e tinëzar

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në Facebook ka reaguar për zhvillimet e djeshme rreth shfuqizimit të Gjykatës Speciale, duke kërkuar edhe dorëheqjen e Presidentit Hashim Thaçi.

“Me gjasë tash së voni ka mundur të kuptoj që edhe ai do të jetë në mesin e të akuzuarve dhe është në gjendje të bëj gjithçka natën e fshehtazi, vetëm për interesat e tij puro personale. Njëri më dinak, më tinzar e më të paskrupullt, zor se mund të gjesh”, ka shkruar Haxhiu.

Më poshtë keni postimin e plotë:

Më kujtohet kur në muajin korrik të vitit 2015, pati dështuar votimi për Gjykatën Speciale por menjëherë pas një muaji gjegjësisht me 3 gusht të po atij viti, Kuvendi ka miratuar amendamentin për Gjykaten Speciale, pavarësisht kundërshtimeve tona.

Sot po vërtetohet që mosvotimi i amendamentit në korrik, ka pasur për qëllim rritjen e pazarit për Thaçin.

Siç po duket hapur, ai në atë kohë ka marrë garancë që nuk do të jetë njëri ndër të akuzuarit dhe duke e njohur që ai është në gjendje t’i jap shokët e luftës dhe ta kriminalizoj luftën për interesat e tij personale, edhe ka shtyer deputetët e partisë së tij të votojnë Gjykaten speciale.

Me gjasë tash së voni ka mundur të kuptoj që edhe ai do të jetë në mesin e të akuzuarve dhe është në gjendje të bëj gjithçka natën e fshehtazi, vetëm për interesat e tij puro personale. Njëri më dinak, më tinzar e më të paskrupullt, zor se mund të gjesh.

Zyrtarë të lartë shtetërorë si Thaçi e Veseli dhe të tjerë, duhet të japin llogari jo për kohën e luftës, por për krimet në paqe ndaj Kosovës.

Le të mos tentojnë të na gënjejnë që me ligj mund të shfuqizohet Gjykata Speciale, sepse PDK, LDK dhe Lista serbe, e kanë futur në Kushtetutë!

Kjo tendenca e mbrëmshme, është një përpjekje e Thaçit që të marr sërish garancë për veten.

Ne na duhet të ndalojmë tendencat e kriminalizimit të luftës së drejtë të UÇK’së ajo s’bëhet me këto përpjekje para së cilave fshihet Thaçi!

Hashim jep dorëheqje!(sic) /Telegrafi/