Algjeria ka dënuar deklaratat e presidentit të Francës, Emmanuel Macron kundër vendit dhe i ka cilësuar ato si një “fyerje të papranueshme” ndaj përkujtimit të më shumë se 5 milionë kryengritësve të vrarë gjatë kolonializimit francez, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Presidenca e Algjerisë e cila u publikua në televizionin shtetëror thuhet se “Deklaratat e Macronit janë një fyerje e papranueshme ndaj përkujtimit të 5 milionë e 630 mijë dëshmorëve që sakrifikuan veten e tyre me një rezistencë trimërore kundër kolonializimit francez (gjatë viteve 1830-1962). Gjithashtu në deklaratë dënohen deklaratat e bëra nga Macron kundër vendit.
“Krimet e panumërta koloniale që ka kryer Franca janë një gjenocid i kryer kundër popullit të Algjerisë”, thuhet në deklaratën në të cilën tërhiqet vëmendja se deklaratat që i atribuohen Macronit nuk janë publikuar zyrtarisht.
Më tej bëhet e ditur se refuzohet kategorikisht ndërhyrja në punët e brendshme dhe se presidenti algjerian, Abdelmadjid Tebboune ka thirrur menjëherë në vend për konsultime ambasadorin e Algjerisë në Paris, Mohammed Anter Davud.
Presidenti francez, Macron në një deklaratë të bërë dje akuzoi Algjerinë për “Ushqyerje të urrejtjes ndaj Francës” dhe përdori shprehjen “A kishte një komb algjerian para kolonizimit francez?”.
Algjeria dje tërhoqi “për konsultime” ambasadorin e saj në Paris. /aa