Dr. Ali Shaath filloi zyrtarisht detyrën si kryetar i Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), duke thënë se veprimi i tij i parë ishte miratimi dhe nënshkrimi i deklaratës së misionit të komitetit, transmeton Anadolu.
“Sot, si veprimi im i parë zyrtar, miratova dhe nënshkrova Deklaratën e Misionit të NCAG-së, duke konfirmuar mandatin tonë qeverisës dhe parimet e funksionimit”, tha Shaath vonë të shtunën në një deklaratë në rrjetin social amerikan X.
Ai tha se NCAG-ja është “e autorizuar nga Rezoluta 2803 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Plani i Paqes me 20 pika i presidentit Donald J. Trump”, dhe ka për detyrë ta shndërrojë periudhën tranzitore të Gazës në “një themel për prosperitet të qëndrueshëm palestinez”.
Shaath shtoi se komiteti do të veprojë “nën udhëzimin e Bordit të Paqes, të kryesuar nga presidenti Donald J. Trump, dhe me mbështetjen dhe ndihmën e Përfaqësuesit të Lartë për Gazën”.
“Misioni ynë është të rindërtojmë Rripin e Gazës jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në frymë”, tha ai.
Sipas deklaratës, NCAG-ja synon të vendosë sigurinë, të rikthejë shërbimet thelbësore, përfshirë energjinë elektrike, ujin, shëndetësinë dhe arsimin, si dhe të promovojë qeverisje “të rrënjosur në paqe, demokraci dhe drejtësi”.
Shaath tha se komiteti do të veprojë “me standardet më të larta të integritetit dhe transparencës” dhe do të punojë për të ndërtuar “një ekonomi produktive të aftë të zëvendësojë papunësinë me mundësi për të gjithë”.
“Ne përqafojmë paqen, përmes së cilës përpiqemi të sigurojmë rrugën drejt të drejtave të vërteta palestineze dhe vetëvendosjes”, shtoi ai.
Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten anëtarët e komitetit të ri “teknokratik” që do të mbikëqyrë tranzicionin e pushtetit në Rripin e Gazës, si pjesë e planit me 20 pika të presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund luftës gjenocidale të Izraelit në këtë territor.
Shaath është ish-zëvendësministër palestinez në Autoritetin Palestinez.
Shtëpia e Bardhë e përshkroi Shaath-in si “lider teknokratik gjerësisht të respektuar, i cili do të mbikëqyrë rikthimin e shërbimeve publike, rindërtimin e institucioneve civile dhe stabilizimin e jetës së përditshme në Gazë, duke hedhur themelet për qeverisje afatgjatë”.
Në deklaratë thuhet se është njoftuar gjithashtu një Bord Ekzekutiv i Gazës për të mbështetur qeverisjen dhe shërbimet, ku përfshihen ministri i Jashtëm i Turqisë Hakan Fidan; i dërguari special i Trumpit, Steve Witkoff; dhëndri i Trumpit, Jared Kushner; ish-kryeministri britanik Tony Blair; ministrja e Shtetit e Emirateve të Bashkuara Arabe për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Reem Al-Hashimy; diplomati veteran nga Katari Ali Al-Thawadi; dhe shefi i inteligjencës së Egjiptit, Hassan Rashad, ndër të tjerë.
Witkoff njoftoi të mërkurën fillimin e fazës së dytë të planit të armëpushimit në Gazë, duke thënë se fokusi do të zhvendoset te çmilitarizimi, qeverisja teknokratike dhe rindërtimi.







