Aliyev: Azerbajxhani ka kërkuar nga Franca kërkimfalje për “shpifjet” gjatë Luftës së Dytë Karabakut

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, tha se vendi i tij ka kërkuar nga Franca kërkimfalje për “shpifjet” gjatë luftës së Karabakut të vitit 2020 me Armeninë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Gjatë konfliktit, Franca na akuzoi hapur, shpifi ndaj nesh. Unë kërkova prej tyre kërkimfalje. Ata shpifën ndaj nesh pa asnjë provë”, tha Aliyev në një intervistë për gazetat lokale.

Duke nënvizuar se derisa mund të ketë disa arsye për qëndrimin francez kundër Azerbajxhanit, ai pretendoi se Franca dëshironte që Karabaku, i njohur ndërkombëtarisht si territor i Azerbajxhanit, të mbetej në qendër të një konflikti të pazgjidhur dhe të “ngrirë”.

“Ne nuk kemi arritur paqen në lidhje me këtë. Unë besoj se kjo është arsyeja thelbësore e pozicionit të tyre kundër Azerbajxhanit. Sepse ne i prishëm planet e tyre dhe ata nuk mund ta shpëtonin Armeninë, të cilën e vendosën nën patronazhin e tyre”, tha Aliyev, duke shtuar se “ndikimi armen” në qeverinë franceze ishte një tjetër arsye për politikën e tyre kundër Azerbajxhanit.

Aliyev tha se Parisi zyrtar kishte mbajtur një qëndrim të ekuilibruar deri në fillimin e konfliktit 44-ditor dhe se dëshironte të mbetet një ndërmjetës, pavarësisht ndryshimit të politikës.

“Ne mund të jetojmë pa Francën dhe Franca mund të jetojë pa ne. Ne kemi jetuar si të tillë. Por, nëse ka përpjekje për të normalizuar këtë situatë, sigurisht që nuk do të jemi të shurdhër” shtoi ai.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike, Armenisë dhe Azerbajxhanit, kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, si dhe shtatë rajone ngjitur.

Në vjeshtën e vitit 2020, në përleshjet që zgjatën 44 ditë, Azerbajxhani çliroi disa qytete, fshatra dhe vendbanime nga pushtimi armen. Marrëveshja e paqes e ndërmjetësuar nga Rusia festohet si një triumf në Azerbajxhan.

Azerbejxhani në të kaluarën ka kundërshtuar “provokimet” nga Franca, duke përfshirë rezolutat parlamentare që bëjnë thirrje për sanksione kundër Azerbajxhanit dhe tërheqje nga territori i çliruar nga pushtimi armen.